‘Artikujt të montuar nga sigurimsat e rinj’/ Sinamati: Padi penale për ABC. Kukësi e refuzon këtë sekt

‘Artikujt të montuar nga sigurimsat e rinj’/ Sinamati: Padi penale për ABC. Kukësi e refuzon këtë sekt

15:15, 12/05/2023
A+ Aa A-

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë fitojmë”, Admir Sinamati ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryebashkiakut socialist të Kukësit, njëherazi dhe kandidat për këto zgjedhje, Safet Gjici.

Sipas këtij të fundit, nga dokumentet e publikuara nga ABCNews, akuzojnë se babai i kandidatit Sinamatit ka dënuar 8 persona në Kukës në periudhën e komunizmit.

Gjatë një deklarate për mediat, Sinamati i ka hedhur poshtë këto akuza, ndërsa është shprehur se artikulli është montuar nga sekuritatet dhe sigurimi i shtetit. Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Kukës ka paralajmëruar padi penale dhe civile ndaj televizionit ABC për për ‘shpifje’ dhe ‘cënim të imazhit publik’.

Deklarata e plotë e Admir Sinamatit:

Fillimisht pasi jam vënë në dijeni dje për këtë lajm të prodhuar në zgafellet krimit në Kukës dhe i dërguar i përgatitur nga këtu, ku anatemohet babai im i ndjerë, Behlul Sinamati unë kam komunikuar me ABC, në numrin e telefonit të shfaqur, pavarësisht se nuk e di personin me të cilin kemi komunikuar, dhe më ka dërguar disa dokumente 7 orë pasi kanë publikuar lajmin.

Pasi i kam shqyrtuar këto dokumente, kam parë që një dorë injorante, e papërgatitur e ka përgatitur këtë lajm me një qëllim të vetëm, cenimin e imazhit tim. Kanë kërkuar për muaj me radhë duke shfletuar gjithçka të aktivitetit tim profesional dhe jetësore, të gjetur në boshllëk, të gjendur vetëm në rekorde pozitive jetësore, profesionale, familjare, farefisnore, ky sekt i pistë që është në ikje, ky klan mafioz, kriminel i korruptuar, mundohet të cënojë imazhin e kandidatit të PD-së dhe koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ me sajesa të ndyra të shpifura, tipike për sekuritatet dhe sigurimin e shtetit.

E bëjë këtë sqarim për opinionin publik, jo kuksian, sepse kuksianët e njohin shumë mirë familjen time, babain tim të ndjerë, aktivitetin e tij, aq më tepër në Bicaj, Kukës, rrafshën e Lumës, njihet se kush është Behlul Sinamati, se çfarë kontributi dhe aktiviteti jetësor ka patur ai gjatë gjithë jetës së vet.

Sqaroj me përgjegjësi që ajo që është botuar dhe publikuar nga ABCNews, është thjeshtë dhe vetëm një sajesë, një ndërlikim dokumentesh nga disa dosje të ndryshme dhe për këtë unë i kam njoftuar përgjegjësit e këtij televizioni se do të përballen me mua në gjyq. Po përgatis, avokatin e kam në zyrën time, po përgatis kallëzim penal dhe civil ndaj këtij televizioni për dy vepra penale, për ‘shpifje’ dhe ‘cënim të imazhit publik’.

Admir Sinamati i ka shqetësuar jo vetëm rilindjen në Kukës, por ka shqetësuar pa masë edhe kapon e rilindjes në Tiranë, sepse imazhi i Admir Sinamatit nuk është thjeshtë dhe vetëm imazh lokal, është një imazh nacional dhe ndikimet e fushatës së bërë në Kukës, kanë reflektuar në shkallë kombëtare, dhe për këtë ne kemi raporte, kemi të dhëna të sakta nga organe të specializuara në fushën e monitorimit të fushatës dhe politikës.

Të gjetur në këtë siklet, bashkëpunimi me një televizion të marrë peng në shërbim të ‘Open Ballkan’ dhe dyshes famëzezë Rama-Vuçiçi, tenton të dëmtojë imazhin politik të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Por në Kukës ata kanë bërë një autogol.

E para unë i kam bërë ftesë medias të shkojë e të komunikojë me drejtuesit e shoqatës dhe drejtuesin e shoqatës antikomuniste dhe të përndjekurve politikë Avdi Gjana, emri i të cilit përdoret dhe përmendet në këtë dënim të falsifikuar.

Bëhet fjalë konkretisht për një dënim të Raif Elezit dhe grupit të Gjaneve, Avdi Gjana, Bajram Gjana, Shefqet Gjana, Xhevat Gjana, etj., të dënuar në vitin 1969-1970. Vendimi është marrë në mars të vitit 1970. Dhe pas lirimit është gjykuar përsëri për të njëjtin proces, i ndjeri Bajram Gjana. Dhe ky shtetas është gjykuar në vitin 1982, dosje të cilës këto i referohen. Në vitin 1982 është e vërtetë si ndihmës gjyqtar i caktuar me vendime fshati, siç ka funksionuar puna e ndihmësgjyqtarit, për rekorde qytetarie, normale të asaj periudhe, nga fshati është vendosur që babai imë të ishte ndihmësgjyqtar, me rol totalisht honorifik, të pa akses juridik me vendimet, thjeshtë rol formal siç kanë pasur ndihmësgjyqtarët në diktarurë.

Dhe praninë e emrit të tij, thjeshtë në këtë proces të vitit 1982 e kanë përzier qëllimisht me gjyqin dhe dënimin e grupit anti-parti, njerëzit e sipërcituar Raif Elezi me shokë, dënim i marrë në vitin 1970, 12 vite më para se koha kur ka ushtruar këtë funksion honorifik babai im i ndjerë.

Unë gjej rastin të shpreh para opinionit krenarinë time të ligjshme si një bir, si një pinjoll i familjes së Lul Sinanit, patrioti i parë në historinë e Lumës dhe mbarë Shqipërisë që ka rezistuar, organizuar Lumën në luftë kundër reformave të tanzimatit dhe për këtë është i njohur në histori, qoftë lokale, por edhe në historinë e Perandorisë Osmane.

Së dyti, jam krenar i ligjshëm që jam bir i Belul Sinamatit, një punëtori të thjeshtë, i një mikëpritësi, një bujari, që dera e shtëpisë tonë ka qenë e hapur për të gjithë njerëzit pa dallim. Për këtë familja jonë, shpia jonë ka qenë e hapur për antikomunistë, por edhe për të gjithë njerëzit e besimeve të ndryshme dhe bindjeve politike.

E të gjendur në këtë siklet, e të gjetur në këtë merat, ish-kryetari 8%, në ikje, përdor, ka sajuar këtë lajm, për të cenuar sadopak imazhin tim, por nuk ja del. Ai ka bërë një autogol, sepse do ta marrë ndëshkimin nga Bicajt, Kukësi, familjet më të mira, më me traditë qoftë familjet e Lumës, të Gorës, Malziut. Dhe për këtë provokim që ka bërë ndaj ish-të dënuarve politikë duke ricikluar dënime edhe pas vdekjes do të ndëshkohet dhe ju bëj thirrje të gjithë familjeve, të të përndjekurve politikë të mos bien pre e këtij provokimimi të turpshëm, të këtij lajmi të sajuar dhe ta ndëshkojnë fuqimisht sigurimin e ri të shtetit, diktaturën e re që kërkon të instalohet në Kukës, ta ndëshkojnë me fuqinë e votës, për ta hequr njëherë e mirë këtë barrë të rëndë, barrë të keqe që kapluar prej kaq vitesh Kukësin.

Gjithashtu ju bëj me dije, se në tendencën për të devijuar kriminalisht votën, i vëllai i ish-kryetarit 8%, është zënë gafil me para, me armë në dyert e qytetarëve, në mesin e natës dhe për këtë ka një kallëzim në organet kompetente.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kukësit të mos kenë frikë, ta luftojnë frikën me votë dhe ta luftojnë terrorin me votë dhe ta ndëshkojnë njëherë e mirë e përgjithmonë sektin gjakpirës të Kukësit dhe ta përzënë njëherë e mirë nga Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco