Anthony Rota: Kanadaja mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE

Anthony Rota: Kanadaja mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE

10:53, 13/10/2022
A+ Aa A-

Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota në kuadër të bashkëpunimit 35-vjeçar mes Shqipërisë dhe Kandasë ka mbajtur një fjalë në foltoren e Parlamentit ku ka deklaruar se kjo marrëdhënie do të vazhdojë që të rritet teksa vendet punojnë bashkë për të forcuar lidhjet tregtare dhe ato mes njerëzve.

Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota: Sivjet mbushen 35 vjet nga momenti kur 2 vendet tona vendosën marrëdhënie diplomatike. Kjo marrëdhënie patjetër që do të vijojë të rritet teksa vendet tona punojnë bashkë për të forcuar lidhjet tregtare dhe lidhjet mes njerëzve. Kanadaja dhe Shqipëria kanë dhe mundësi për të bashkëpunuar për çështje që na sfidojnë të gjithëve. Vizita ime vjen në një moment të trazuar, të gjithë kemi parë me tmerr zhvillimet e javëve të fundit që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Lufta po cënon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ky agresion na ka treguar se shtete që mendojnë njësoj, duhet të punojnë bashkë. Besoj dhe ju ndjeni tronditje teksa shohim kolegët tanë ukrainas që sapo mbarojnë seancës si ligjvënës, nxitojnë për të rrokur armët. Shembulli i kolegëve tanë në Ukrainë duhet të na shërbejë si shembull për të gjithë. Ne na takon të bëjmë rolin tonë për të adresuar të gjitha problemet me të cilat përballen vendet tona. Besoj se hapi i parë për të gjetur zgjidhjet e duhura është dialogu.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Dhomës së Komunave të Kandasë, Rota deklaroi se Kanadaja mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian teksa uroi më të mirat për vendin tonë në këtë drejtim.

Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota: Gjatë viteve kemi parë shumë zhvillime, qoftë brenda vendeve tona, por edhe në nivel ndërkombëtar. Përsa i përket sigurisë, vendi juaj ndihmoi në stabilizimin e rajonit pas konflikteve të 1990-ës, dhe në 2009 Shqipëria iu bashkua NATO-s. Shqipëria ka punuar për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët përmes mekanizmave si Ballkani i Hapur.

Më erdhi mirë kur mësova se në Korrik Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në BE. Kanadaja i mbështet aspiratat tuaja për anëtarësim në BE dhe ju uron gjithë të mirat në këtë udhëtim. Shqipëria ka punuar fort me masa dhe në fusha të tjera me qëllim që dy vendet tona të punojnë dhe më shumë.

Gjithashtu, Rota përgëzoi Shqipërinë për marrjen e disa nismave.

Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota: Ju jeni vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që keni hartuar një strategji për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota theksoi rëndësinë e NATO-s dhe bashkëpunimin mes vendeve.

Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota: Kanadaja dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Agresioni i Rusisë na tregoi nevojën që NATO të forcojë masat mbrojtëse dhe parandaluese. NATO demonstron bindjen e përbashkët se çdo centimetër e aleancës duhet të mbrohet. NATO është jetike për mbrojtjen e qyetarëve, shkon përtej aspektit ushtarak, por bazuar në vlera të përbashkëta për të cilat jemi përkushtuar.  Çdo vend ka ende punë për të bërë dhe Parlamentet tona duhet të jenë gati për të mbrojtur rolin e tyre. Le të gjejmë gjuhë të përbashkët përmes dialogut.

Në fund të fjalës së tij, Rota tha se pret me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin Shqipëri-Kanada.

Kreu i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota: Le të kremtojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona, le të forcojmë marrëdhëniet mes nesh. Pres me padurim që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Ju uroj të gjitha të mirat në punën tuaj./tvklan.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco