Prapaskenat e shkarkimit/ Gledis Nano refuzoi largimin e negociuar

Prapaskenat e shkarkimit/ Gledis Nano refuzoi largimin e negociuar

09:16, 01/09/2022
A+ Aa A-

Gledis Nano është shkarkuar. Këtë e konfirmoi mëngjesin e së mërkurës ministri i brendshëm Çuçi, i cili e lidhi vendimin e tij me punën e dobët të ish-drejtorit të policisë. Ajo që paralajmëroi Lapsi.al një ditë më parë, ndonëse u zyrtarizua në mbledhjen e qeverisë, u la të kuptohej që të martën. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri dy reagime për të marrë ai rolin e protagonistit të arrestimit të mashtruesit turk të kriptomonedhave dhe të autorit të krimit të dyfishtë në familje.  Ai ishte kujdesur veçanërisht për t’i dhënë meritat Departamentit të Policisë Kriminale, që prej disa javësh drejtohet nga Neritan Nallbati.

Për ngjarjen pasditen e së martës, ai përgëzoi Policinë e Tiranës që drejtohet nga Lorenc Panganika dhe jo Policinë e Shtetit, që kryesohej deri në ato momente nga Gledis Nano. Këto elementë mes rreshtave nuk qenë të të rastësishëm, por ilustronin përplasjen pa kthim, që doli në media një ditë më parë mes Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. 

Prej fundjavës së shkuar kur iu kërkua një largim i negociuar përmes dorëheqjes, dhe Gledis Nano e refuzoi atë, nuk ka pasur asnjë komunikim mes tij dhe Bledi Çuçit, tregojnë bashkëpunëtorë të afërt të kreut të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm me bekimin e Edi Ramës e quajti çështjen të mbyllur duke pritur për shkarkimin e Gledis Nanos, vetëm mbledhjen e qeverisë të se mërkurës ku shkarkimi i dhunshëm do i linte vendin dorëheqjes së negociuar.

Një burim diplomatik i tregoi Lapsi.al se as Gledis Nano nuk ka qëndruar duarkryq 48 orët e fundit në detyrë. I braktisur nga Rama dhe Çuçi, dy njerëzit që e graduan në krye të Policisë së Shtetit në një moshë fare të re, ai ka bërë lëvizjet e tij për të penguar shkarkimin.

“Ka kontaktuar me së paku dy seli të rëndësishme diplomatike në Tiranë dhe ka kërkuar këshillim ose ndërhyrje prej tyre”, i tregoi burimi i Lapsi.al pa zbardhur më shumë detaje.

Por nëse rikthehesh pas në kohë, në korrikun e vitit të shkuar, Gledis Nano mori një dekoratë të beftë nga amerikanët për arritje profesionale. Krah tij në selinë e Rrugës së Elbasanit pozonte edhe ambasadorja Yuri Kim. Ishte një lloj mbështetje për t’i shtruar rrugën në krye të Policisë së Shtetit.

Në këtë kuptim, nëse flasim për seli diplomatike të interesuar që Gledis Nano të mos shkarkohej, të parët të interesuar me siguri që janë amerikanët. Dihet që ai ka bërë dhe një kurs të rëndësishëm në SHBA tek e njëjta shkollë ku përgatiten oficerët e FBI, si dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht kur drejtonte Antiterrorin. Kush është palë tjetër e interesuar nga ndërkombëtarët nuk dihet me siguri, por kujtojmë se në këto 10 muaj në detyrë Nano ka bërë vizita zyrtare në Londër, Berlin, Tel Aviv e Uashington.

Por në valën e re sovraniste që ka kapluar qeverisjen e Ramës mbështetja nga selitë diplomatike të vendeve aletat nuk është gjithmonë një ogur i mirë. Madje nëse je me i afërt me ta, kjo mund të përbëjë një shqetësim për kryeministrin.

Me ikjen e Nanos, Rama shkarkon njëkohësisht edhe një barrë përgjegjësie të shumë ngjarjeve kriminale që kanë tronditur opinionin publik këtë verë, ngjarje që tregojnë gjithashtu se sa e rëndë është situata.

Por ndërkohë që filloi numërimi mbrapsht, edhe mediat pranë qeverisë nisën që dje sulmet ndaj Gledis Nanos. Top Channel në edicionin qëndror të lajmeve i numëronte kreut të Policisë së Shtetit 45 viktimat nga vrasjet e këtij viti si dhe theksonte se “Gledis Nano nuk e ka kaluar provimin”. Nga ana tjetër, “Albanian Post”, shkruajti gjithashtu se Gledis Nano do të shkarkohet duke theksuar ndër të tjera edhe një arsye përtej atyre që janë thënë përgjatë këtyre dy ditëve si kriminaliteti në rritje dhe përplasja me Ministrin e Brendshëm.

“Shkak i largimit të Nanos vetëm 11 muaj pas marrjes së detyrës si kreu i Policisë së Shtetit është rrjedhja e informacioneve konfidenciale me interesa shtetërore”, shkroi AP pa zbuluar më shumë detaje.

Cilado qoftë arsyeja e shkarkimit, vendimi nuk premton që të rregullojë ndonjë gjë të madhe në radhët e Policisë së Shtetit edhe me drejtuesin e ri që do të pasojë Gledis Nanon, për aq kohë kohë sa kjo strukturë përgjatë qeverisjes së Edi Ramës nuk është çliruar nga kthetrat politike të partisë-shtet dhe drejtuesit e saj me lidhje okulte me krimin e organizuar./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco