Indiferenca e Evropës dhe pushtimi i paralajmëruar

Indiferenca e Evropës dhe pushtimi i paralajmëruar

10:36, 25/02/2022
A+ Aa A-

Bota, dhe sidomos Evropa, nuk u shokua me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë. Është e kundërta. Pushtimi ndodhi sepse bota dhe Evropa pra, ishte e ngrirë, e pandjeshme, e paralizuar dhe indiferente, e shokuar nga indiferenca e saj.

Nga Melihate Tërmkolli, politikane kosovare, ish-ministre e ibrahim Rugovës

Asgjë nuk ndodhi befasisht, as brenda natës, që kjo botë të bëhet si e shokuar. Evropa qëndroi e mpirë, thuajse Rusia është në një planet tjetër e jo si zgjatim i territorit evropian, në kufij të saj, në kufij të NATO-s. Bënte sehir përderisa Putin me muaj hapur po përgatitej për këtë sulm. As nuk e fshihte as kishte arsye ta fshihte. Pastaj, para disa viteve Rusia pushtoi Krimenë.

Gjermania dhe Franca si dy vendet lidere të BE-së, u zgjuan vetëm pak ditë para sulmeve ruse. BE-ja po heshtte edhe kur Putin po u kërkonte shteteve të ish-bllokut komunist, edhe shteteve të anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që të dalin nga NATO.

Në Ballkan, i kërkoi hapur Bullgarisë daljen nga NATO, ndërsa në një mënyrë kërcënuese i kërkoi Shqipërisë deklarim rreth Ukrainës, etj.

Më seriozisht veproi SHBA dhe NATO. SHBA, furnizoi me armatim Ukrainën, vendosi armatime të rënda dhe forca ushtarake në Poloni dhe bashkë me NATO-n shtuan kujdesin ndaj vendeve baltike, anëtare të NATO-s.

Rusia njeh vetëm forcën, një përgjigje të fuqishme të perëndimit! Njësoj si edhe sateliti i saj në Ballkan, Serbia.

Ajo nuk mërzitet për sanksione, së paku në plan afatshkurtër. Tani ato janë të vonuara. Pushtimi i Ukrainës dhe dëmet tjera të mëdha nuk justifikohen me sanksione.

Mund të jetë beteja vendimtare e perëndimit, SHBA, NATO, BE me Rusinë dhe mundja e saj ose më saktë shkatërrimi i një politike ekspansioniste ruse dhe fillimi i një epoke të re për të, si një vend me sistem e vlera demokratike, që është e vështirë për tu besuar. Ose ky pushtim mund të jetë hyrje për një ndarje të re të botës, për sfera të reja të interesave gjeopolitike e gjeostrategjike. Për një botë ndryshe dhe për një Evropë ndryshe!

Por, ky mund të jetë edhe fillimi i fundit të Rusisë si një fuqi botërore.

Pas të gjithave, mbase kjo botë ka heqë dorë nga indiferenca, ose një “angazhim’ sipërfaqësor, përfshirë edhe zhvillimet në Ballkan, duke i dhënë një goditje vendimtare politikave ekspansioniste serbe, në veçanti në raport me Kosovën.

Me vite, BE-ja heshti kur Serbia si satelit rus u armatos nga Rusia duke kërcënuar me luftëra të reja shtetet fqinje, duke ndërhyrë dhe krijuar situata konfliktuoze në këto vende. BE-ja duke e favorizuar dhe duke e marrë me të mirë Serbinë, ajo veç ka ndikuar në forcimin e saj dhe kundër tyre e vlerave perëndimore.

Si vend perëndimor e properëndimor, duhet ta përdorim këtë kohë e këto rrethana për t’i shndërruar në mundësi për zgjidhje definitive të problemeve me Serbinë dhe për sigurinë e stabilitetin e vendit dhe rajonit me përpjekjet maksimale dhe urgjente për anëtarësim të Kosovës në NATO, për njohje nga pesë vendet e BE-së dhe tutje në OKB. Është interes edhe i BE-së dhe NATO-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco