Pse bora na zë në befasi gjithnjë si shtet?!

Pse bora na zë në befasi gjithnjë si shtet?!

08:10, 11/01/2022 Nga Astrit Veliqi
A+ Aa A-

Pikërisht ditën e dhjetë të janarit, Kosovën e mbuloi pothuaj bora e parë serioze për vitin 2022. Por përveçse kjo borë i ka të mirat e saj në aspektin e shëndetit dhe pastrimit të ajrit, por edhe i mbush liqenet e lumenjtë me ujë, sidomos tek ne sjell mjaft vështirësi për lëvizjen siç edhe për ngrohjen.

Nga Astrit Veliqi, Syri Kosova.

E ndërsa jemi pothuaj në gjysmën e stinës së dimrit, të muajit janar, një acar i ftohtë me borë e ka goditur vendin tonë, duke i zënë në befasi shumë institucione që merren me mirëmbajtjen e rrugëve, shtigjeve për këmbësorë si dhe vendeve tjera publike. Ndaj nuk është çudi se sa herë bie borë në Kosovë, përkundër të mirave që sjell, jeta dhe përditshmëria jonë bëhet edhe më e vështirë.

Por çka t’i bësh! Edhe vet stina e dimrit është më e vështirë për t’u përballuar, duke nisur nga veshja me rroba, rreziku për qarkullim në rrugë, rritja e konsumit të energjisë elektrike si dhe fryrja e faturave komunale.

Përjashto këtu edhe shumë gjëra tjera siç janë makinat, ngrohja, ambientet e ftohta, etj.

Por ajo çka e bën edhe me të rëndësishme, është se kjo borë si për çudi i ka zënë pothuaj institucionet përgjegjëse në gjumë, duke bërë që si në Prishtinë, edhe në vendet e tjera, rrugët për qarkullim të vështirësohen mjaft shumë.

Pyetja që duhet bërë tani është: Pse bora na befason gjithnjë si shtet?

Normalisht që edhe kapacitetet infrastrukturore i kemi të limituara, por të paktën shumë kompani marrin para të majme nga Buxheti i Shtetit për mirëmbajtjen e tyre. Jemi në dimër e përgatitjet do të duhet të kishin qenë të mëhershme, kur dihet se bora dhe acari është paralajmëruar një javë më herët se do të vijë edhe në Kosovë.

Por edhe pse kryetarët e komunave kanë dhënë njoftimet se kanë filluar punët në terren, megjithatë reagimet në rrjetet sociale pohojnë të kundërtën, pasi shumë vozitës janë ankuar për rrugët me borë e kolona të gjata.

Sido që të jetë, ditët që na presin nuk do të jenë të lehta, ngaqë kjo javë parashikon temperatura mjaft të ulëta dhe reshje bore të vazhdueshme, prandaj, edhe ngricat do të jenë të paevitueshme.

Por ajo që është qenësore, qeveria duhet të mobilizohet që ky mot të kalojë pa pasoja dhe aksidente në rrugë, sikurse edhe energjia të mos iu mungojë qytetarëve për ngrohje.

Bora përveç vështirësive i jep edhe një pamje të mirë relievit gjeografik, sikurse mos ta harrojmë, asaj i gëzohen edhe fëmijët të cilët presin me padurim që të argëtohen.

Megjithatë, mbetet për t’u parë, kjo është vetëm dita e parë dhe java ende është e gjatë, dhe temperaturat do të bien shumë, prandaj kërkohet angazhim i të gjithëve, që së paku ky acar mos të na gjejë të mërdhirë.

Kryeministër...është koha për t’i ndezur “bagerat” seriozisht!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco