Manjani: Basha kamikaz që kërkon të nxisë dhunë, epoka e tij ka përfunduar

Manjani: Basha kamikaz që kërkon të nxisë dhunë, epoka e tij ka përfunduar

19:44, 04/01/2022
A+ Aa A-

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në intervistë me Skype me moderatoren Juli Krisafi në emisionin Ora 19:00 në Syri Tv, foli për situatën në Partinë Demokratike.

Manjani theksoi se Basha është kthyer në kamikaz, që kërkon të nxisë dhunë.

Ai shton se Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD-së dhe se epoka e tij në politikën shqiptare ka përfunduar.

“Lulzim Basha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike. Deputeti Basha synon ta bëjë bunker selinë e PD. Basha ka sjellje kamikaze, duke synuar të vrasë veten, por edhe Partinë Demokratike. Basha kërkon të nxisë dhunë. Faktet që dalin në dritë nga dita në ditë, rezulton se Basha paska siguruar deri në tre breza me biznese, të lidhura me qeverinë. Vendit i duhet një opozitë e sigurisht që të gjithë i kanë sytë tek PD, për shkak edhe të traditës.

PD shiti opozitarizmin nën drejtimin e Bashës, sepse ai ka biznese në port, ka biznese gjithandej, kjo është fundi i gjëse e kjo është sfida. Shqipërisë i duhet një opozitë politike, që në të ardhmen të afërt të kemi qeverisje të mirë e mos kemi këtë qeveri moniste, në mes të pluralizmit. Kjo histori e një partie që qeveris akoma sikur jemi në monizëm nuk duhet të vazhdojë më. Epoka e Bashës ka mbaruar. E di se ekzistojnë fjalë se çfarë do thotë ambasadorja amerikane, unë them që të thotë çfarë të dojë, sepse kjo nuk është punë e saj, por e demokratëve. Basha vazhdon të sillet si kamikaz e kamikazit duhet t’i jepet përgjigje. Rruga e Lulzim Bashës me PD është ndarë përgjithmonë, ai nuk ka të ardhme më në politikën shqiptare”, deklaroi Manjani.

Intervista e plotë

Juli Krisafi: Çfarë mendoni për protestën e datës 8 janar të thirrur nga zoti Berisha?
Ylli Manjani:
Mua së pari nuk më pëlqen fjala protestë, është zgjedhje e atyre që e kanë thirrur. Mirëpo, kjo nuk është një protestë, nuk protestohet kundër vetes. Demokratët kanë marrë vendimet e tyre, është koha që t’i vënë në zbatim këta vendime, duhet t’i kishin vënë më herët në zbatim faktikisht, por kanë vendosur t’i zbatojnë këtë javë e le t’i zbatojnë, kjo është.

E konsideroj si një ftesë, për të zbatuar vendimet që demokratët kanë marrë në partinë e tyre. Këtu nuk ka protesta, sepse nuk e kuptojmë se kundër kujt po protestohet. Kundër Lulit? Kjo është thjesht qesharake. Të protestosh kundër Lulit do të thotë që t’i rritësh vlerat që nuk i ka. Bunkerizimi i PD-së apo fakti që Luli bën si cup dhe i fortë, kjo është hapu dhe, nuk di fjalë tjetër përveç kësaj. Të arrijë që Luli të bëjë si cub, ky është fundi i logjikës. Nuk e kuptoj se çfarë do të arrijë ky djalosh, nuk e kuptoj se çfarë do të bëjë, sa kohë mendon ai se do të qëndrojë i bunkerizuar. Një parti politike ekziston sepse ka anëtarë. Çfarë mendon se arrin ky njeri, duhet të jetë i rënduar psikologjikisht, sepse ndryshe nuk arrij dot ta kuptoj.

Juli Krisafi: Si mendon se do i dilet që protesta e datës 8 janar, në orën 12:00 do ia arrijë që të nxjerrë zotin Basha nga zyra, se ky është qëllimi?
Ylli Manjani
: Ndoshta edhe nuk e lënë që të hyjë në zyrë. Nuk di skenare sesi, e tek e qysh, por unë di të them se Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD-së. Iu takon demokratëve që ta sqarojnë këtë punën e selisë, se selia ka mbetur si kështjella e imazhit publik, që kush mban godinën e SHQUP-it quhet kryetar. Është krejt e kundërta. PD ka momentalisht një komision rithemelimi, ka vendosur ta shkarkojë Bashën dhe sa dimë shumë shpejt do të hyjë në votim që të zgjedhë kryetarin e ri. Këtu mbyllet kapitulli e s’e kuptoj se çfarë ka këtu. Pastaj në kuptimin absurd të fjalës, kush mban godinën qenka kryetar dhe kush kërkon ta marrë godinën nuk qenka, këto janë muhabete propagande.

Qartësisht qeverisë i duhet Basha në krye të një partie kot, pa lidhje, që nuk ka as anëtarë. Ka dhe një gjë, ne sot lutemi që nuk paska fituar Lulzim Basha. Sa më shumë kalon koha dhe sa më tepër që shoh skena të tilla, që në fund të ditës janë nxitje për dhunë, për një njeri publik që bën thirrje të tilla janë nxitje dhune, se pse e bën këtë gjë ai. E bën për dhunë, e bën për të treguar që Partia Demokratike që ai drejtoi deri më sot qenka një parti e dhunshme. Ky është efekti kamikaz. Më vjen mirë që edhe drejtues të PD-së bien dakord me këtë përfundim, që sjellja e Lulzim Bashës është sjellje e një kamikazi. Është kamikaz, që do ta vrasë veten, por të vrasë edhe PD-në sa më shumë të jetë e mundur, për llogari të pagatorit të tij.

Juli Krisafi: Ku e shikoni ju zgjidhjen realisht, çfarë do të bëjë shumica?
Ylli Manjani:
Komisioni duhet ta riorganizojë sa më shpejt partinë, me struktura, me degë, me Kryesi, me forume, me ekipe, pse jo edhe me kryetarin e ri të PD-së një orë e më parë. Nuk duhet të zgjasë shumë kjo gjendje, sepse vendi ka nevojë për opozitë. Mungon opozita dhe nga dita në ditë ne mësojmë se Basha paska qenë i shitur deri në tre breza, e paska siguruar jetën e tre brezave me biznese, me bizneset e korrupsionit qeveritar. Thelbi i gjësë është që ne nuk paskemi pasur opozitë. Vendit i duhet kthyer një orë e më parë opozita.

Të gjithë për kthim real opozite i kanë sytë tek PD, edhe për shkak të traditës së partisë, edhe për shkak të numrave, historisë, traditës, edhe sepse PD ka ditur e të bëjë opozitë, përjashto faktin kur është drejtuar nga Basha. PD ama ka bërë opozitë, nuk e ka shitur opozitarizmin. I vetmi rast që PD shiti opozitarizmin, ishte drejtimi nga Lulzim Basha. Ne po e shohim këtë gjë nga dita në ditë, biznese në port, biznese në media, biznese te oligarkët, kudo. Kjo është fundi i gjësë për opozitën.

Nuk është koha që të merremi me persona. Bie dakord se jemi në situatë cikëlmbyllësish në total, por problemi është se na duhet të kuptojmë sjelljen publike, dmth të shikojmë të keqen më të vogël dhe problemi real në vend është se Shqipëria nuk ka opozitë. Shqipërisë i duhet një opozitë politike, që të fillojë të ngjallë shpresën, që në të ardhmen jo shumë të largët, ta kemi edhe një alternativë qeverisëse, sepse jetojmë në kushtet e një keqqeverisje. Jemi në një të keqe shumë të madhe, nuk ka çfarë t’i ndodhë më keq se kaq Shqipërisë, kemi hyrë në mandatin e tretë dhe me shumë gjasa shkojmë 12 vjet nën qeveri moniste. Nuk shkon më kjo histori, është e patolerueshme. Ndaj edhe shumë mllef që ka sot në opinionin publik po e merr mbi supe Lulzim Basha.

Basha po merr mbi supe edhe mllefin e Edi Ramës, edhe të Veliajt dhe mllefin e të gjithë klikës që sundon në vend. Tani ky ose është idiot e nuk e kupton ose realisht pastaj është pjesë e klikës, pjesë e qeverisë, se unë nuk di rrugë tjetër.

Juli Krisafi: Nëse shumica nuk hyn në godinë, edhe pse ju thatë se godina nuk është kaq e rëndësishme, si mendoni se duhet të vazhdoni të procedoni? Si do ta vazhdojë shumica opozitën e saj dhe a bën dot opozitë shumica e demokratëve, pa hyrë në godinë, pa pasur vulën, se partia nuk është vetëm anëtarësi apo jo, është edhe procedurë, shkresë, vulë?
Ylli Manjani:
Kur ka ndodhur Kuvendi i 11 dhjetorit, grupi nismëtar duhet të ishin në selinë e PD-së. Pikë e le të thonë çfarë të duan. Le ta ndëshkojë kushdo këtë gjest, nuk diskutohet. Këto janë vendime që merren tak fak, mbaroi historia. Epoka e Lulzim Bashës duhet ta kuptojmë se ka mbaruar, nuk ekziston më, është zero me xhufkë. Kjo është situata dhe zvarritjet vetëm e përkeqësojnë situatën. Vetëm krijojnë situata që janë të dyshimta dhe të paqëna. Kjo nuk duhet zgjatur, duhet bërë me çdo kosto. Ekziston një frikë se çfarë do thotë ambasadorja amerikane, çfarë t’i dojë zogu i qejfit le të thotë…

Kjo nuk është çështje e asnjë ambasadori, por e demokratëve të Shqipërisë, është çështje e shqiptarëve. Duam një Parti Demokratike në këmbë një orë e më parë. Thirrjen e Palokës për zotin Basha unë e kam bërë një muaj më parë, madje pa hyrë në këtë proces. Mesa duket zoti Basha nuk do ta dëgjojë zërin e arsyes dhe ka vendosur të sillet si kamikaz. Dhe kamikazit do t'i jepet përgjigje siç trajtohet një kamikaz, kështu duhet të trajtohet edhe zoti Basha. Nuk shoh asnjë alternativë tjetër.

Më vjen keq për fjalën e dhunshme por kjo është sjellje, është reflektimi. Unë nuk jam kundër bashkëpunimit. Kam thënë që herët që Lulzim Basha është ende i ri për t'u sjellë kështu siç po sillet. Duhet të kishte gjetur një mënyrë për ta lënë litarin jashtë, sepse ai nuk ka asnjë arsye të vetëlargohej nga PD. Por në PD nuk ka pse të rrish kryetar, mund të arrish anëtar dhe sërish mund të kërkosh që të rivitalizosh projektin politik. Por me faktet që po shoh ditët e fundit mendoj se rruga e Lulzim Bashës me PD është ndarë njëherë e mirë. Nuk shoh që Lulzim Basha ka të ardhme në politikën shqiptare.

Ka shitur vullnetin e njerëzve. E kuptoj që në Shqipëri ka politikanë nga më gafaxhinjtë, nga më maskarenjtë, por të shesësh njerëzit në mes të rrugës, djeg mandatet dhe po atë ditë lidh kontratën për Portin e Durrësit, kjo nuk hahet më. Nxjerr njerëzit në shesh kundër qeverisë dhe ço njerëzit atje për të lidhur kontrata e marrëveshje për të punuar te firmat e qeverisë kjo nuk shkon, ka kaluar çdo limit, më shumë se mashtrim. Mendoj se njerëz të tillë nuk duhet të militojnë në politikë. Për organizmin e brendshëm të PD, cilido institucion shtetëror që përfshihet është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Që qeveria dhe shteti të përcaktojë se kush duhet të jetë drejtuesi i PD, praktikisht ky fenomen quhet diktaturë.

Unë kam ende një rezervë në kuptimin e përfshirjes institucionale të Gardës së Republikës në ruajtjen e Lulzim Bashës, që për mua është e paligjshme, ai nuk gëzon mbrojtjen e trupit të tij nga Garda e Republikës. Si gjithë qytetarët e tjerë, Lulzim Bashës nëse i kërcënohet jeta e ruan Policia e Shtetit. Garda e Republikës është caktuar jo në urdhër të ligjit, por në urdhër të qeverisë. U bë tani kjo traditë, se nuk ka qenë kështu.

Nuk ka ligj. Nëse ligji do ta konsiderojë kryetarin e PD si personalitet shtetëror, atëherë ta shpallin PD-në pronë të shtetit, ta shtetëzojnë dhe të bëjnë ç’të duan pastaj. Jam dakord me Tan Hoxhën që thotë se Garda nuk ka për detyrë të ruajë PD-në, gardistët nëse janë caktuar, janë për t'i ruajtur trupin zotërisë, por në bazë të ligjit ata duhet ta udhëzojnë atë (Bashën) që të mos shkojë në vendet ku ka rrezikshmëri të lartë.

Dhe PD në këtë rast mund të jetë një rast i rrezikshmërisë së lartë dhe s'duhet ta lejojnë të futet në PD. Kështu thotë ligji për Gardën. Nëse ata duan ta ruajnë, të mos e fusin aty. Në asnjë rast, as Garda, as Policia, madje as Gjykata nuk kanë rol në këtë konflikt. Gjykata vetëm rolin e pasqyrimit në regjistrin e partive politike ndryshimet dhe vendimet që marrin forumet e partisë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Pro liris dhe demokracis04/01/2022 20:12

Nën një suazë çmendurie krimi, trafik drogë, depresioni për të nesërmen, emigrim pa fre i të rinjve, korrupsioni pa limit, qëndrimi LB është jo vetëm refraktar, cinik por dhe kriminal. PD dhe vetë SB duhet ta ndreqë me pa tjetër gabimin me jo largim të LB, por shporrjen e këtij në 8 janar. .

Bledi804/01/2022 19:54

Hallall pena !

Shto koment

Denonco