Një rrëfenjë në 31-vjetorin e Rilindjes Demokratike!

Një rrëfenjë në 31-vjetorin e Rilindjes Demokratike!

19:07, 04/01/2022 Nga Armand Maho
A+ Aa A-

Deri më atë kohe, s’kisha shfaqur ndonjë interes për gazetat. Dhe skish se si, jo vetëm që sa kisha hyrë në adoleshencë, por propaganda komuniste  më kish shoqëruar përgjatë gjithë fëmijërisë në shkollë apo dhe televizorin bardh e zi model "Lura" për të cilin dhe pas 10 vjetësh im atë nuk kish shlyer dot borxhin për ta blerë.

Një televizor atë kohë kushtonte 45 mijë lekë të vjetra thuajse aq sa ai merrte në një vit punë! I vinte keq teksa shikonte fëmijët që bridhnin derë më derë komshinjve për të parë ato palo programe që ofronte TVSH e asaj kohe. Në diell e në të ftohtë sapo vinte ora 6 i mbrëmjes, me agjendë të përcaktuar do i zinim derën ndokujt prej fqinjëve.

Shpesh shkonim tek Isai, një burrë babaxhan e shtatlartë me origjinë nga Kosova i cili se prishi kurrë zemrën, megjithëse shtëpia i kthehej në kopësht fëmijësh, ndërsa fëmijët vetë i kishte në moshë madhore. Gruaja e tij Havaja, një grua e fisme në mes të atij fukarallëku, mundohej të na gostiste me ç’ti gjendej, qoftë dhe me ndonjë gotë ujë me sheqer.

Programet fillonin me lajmet, diku rreth orës 18.00, pastaj me një program medemek për fëmije, me pas sërish lajme dhe ishte fat i madh në rast se mbas orës 8.30 të jepej ndonjë film me Herkulin ose Maçisten. Të mërkurave përgjithësisht jepej muzikë simfonike, ose filma revolucionarë, si fjala vjen “E dashura ime Libera”, që se mbaj mend mirë se për çfarë fliste por që ishte goxha i mërzitshëm. Aty na zinte dhe gjumi në qilimin e shtëpisë së Isait deri sa vinin prindërit e na merrnin... 

Atë ditë te 5 janarit dola që në 7 të mëngjesit. Lajmi se atë ditë do dilte një gazetë ndryshe nga ato të cilat ishim mësuar kishte marrë dhenë. Shtëpinë e kisha tek fusha e Ali Demit.... Në fillim ndalova para shkollës Ismail Qemali, ku ishte një kinkaleri që mbante dhe gazeta, por më thanë që aty kishin mbaruar që në 6.00. Me sa duket nga radha e qumështit në 2 të mëngjesit njerëzit kishin zënë radhë dhe për gazetën. Vazhdova më tej... here pas here shikoja me zili ndokënd që kish blerë gazeten dhe po e lexonte ose me nge mbështetur pas ndonjë muri apo duke ecur nxitimthi për në punë. 

Afër ushtarit të panjohur diku në kryqëzim sapo kaloje kinema Partizanin, ndodhej një tjetër kioskë kinkalerish dhe gazetash. Grumbulli i njerëzve ishte shumë i madh. Aq i madh sa shitësit trupvogel që kish dale jashtë po i zihej fryma megjithëse kish hipur majë karriges, duke i shpjeguar njerëzve se kishte dërguar njerëz në shtypshkronjë për të marrë kopje të tjera.

Dita ishte gri, pa diell por nuk bënte ftohtë....Mu afrua një tip që më tha se nëse doja të blija gazetë duhet të paguaja 250 lekë të vjetra... i thashë se kisha vetëm 100 lekë. Ma ktheu që për aq as që behej fjale.  

Kaloi një gjysmë ore dhe një i ri trupmadh me flokë të gjatë dhe pak mjeker që kisha afër filloi tu hakërrehej matrapazëve që si hienat qëndronin rrotull kioskës. "Në rast se unë nuk marr sot gazetën do ju bëj të gjithëve ju gazetë" u tha. Ata nuk u ndjenë. Me sa dukej duhej të ishte ndonjë nga të çarturit me emër të asaj kohe në Tiranë. Mu duk sikur gjeta nje fije shprese dhe ju afrova... "mi merr dhe lekët e mija dhe më bli nje kopje. Mua ska për të më ardhur radha..." i thashë. Uli kokën, hodhi sytë nga 100 lekëshi jeshil dhe më tha..
-Shko bëji tamam se s’do rri të merrem me ty!
- S’ka gjë mbaji të gjitha
- Ik bëji tamam e mos më çaj t....

Shkova me vrap tek një dyqan buke afër dhe i bëra dy pesëdhjetëshe, ja lashë në dore njerën... 

Pas 15 minutash erdhën dy persona me biçikleta dhe me nga një vandak gazetash. Djali trupmadh, hyri i pari mes turmës që u harbua dhe mes të shtyrave e bërtiturave doli prej andej me katër kopje....

- Na tënden- tha dhe iku

E mora në dorë! Titulli i pare ishte " Fjala e Parë"! Në çdo germë që lexoja kishte aromë lirie. Ishin ato fjalët që thuheshin nën zë në shtëpinë time nga shokët e tim eti, ato fjalë te cilat plot mllef i artikulonte ime më, i thoshte me zë të ulet sa here shihte “djajtë e kuq” në televizor, ato fjalë qe i kisha degjuar nga im gjysh, nga fqinji im rebel, sot po i lexoja të shkruara e zeza mbi të bardhë.

Poshtë Enver Hoxha, poshtë Diktatura...! Sa njerëz ishin burgosur dhe vrare vetëm se kishin guxuar qoftë ta mendonin. Isha ende fëmijë! Ngrita dhe një herë kokën për të falënderuar djalin trupmadh. E pashë teksa largohej duke pedaluar si me nge biçikletën 28-she kineze me gazetat nën sqetull....!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

alienet04/01/2022 21:52

mos ja kujtoni shqiptareve kete se e kane vete parasysh instalimin ne shqiperi te pseodemokrateve te perfaqesuar nga komunisti sali berisha . prandaj shqiperia eshte sot e varfer e pa zhvilluar krimi ne te gjitha fushat e jetes , pra ky eshte pinjolli i fundit i komunzmit sali berisha qe po enderron qe te destabilizoje shqiperine per here te fundit , pasi nuk mund te shkoje ne boten e pertejme pa nje shqiperi te zhytur ne kaos dh trishtim . shqiptaret jane me zhvillim poshte normales prandaj Sali berisha akoma ka terren ne shqiperi. fucker all komunistat e pd.

pazari i ri04/01/2022 21:10

Une nuk ndodhesha ne Shqiperi spse ishim azilnte ne perendim por numrin e pare te gazetes ma derguan njerezit e aferm me poste . Dite te pa harrueshme .

Shto koment

Denonco