Rama: Qeveria do paguajë inceneratorët, por jo Francesco Becchettin

Rama: Qeveria do paguajë inceneratorët, por jo Francesco Becchettin

17:36, 30/12/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se qeveria e tij do të vijojë të paguajë kompanitë koncensionare të inceneratorëve edhe pse pronarët e tyre janë shpallur në kërkim nga drejtësia. Ai u justifikua me kontratën ligjore, por në rastin ‘Becchetti’ ai tha se nuk do të paguajë sepse ‘ai është në kërkim nga drejtësia’.

Nga Blerina Gjoka-BIRN

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se qeveria do të vazhdojë t’i paguajë kompanitë e inceneratorëve edhe pse pronarët e tyre janë shpallur në kërkim nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Ai iu referua përgjigjes së një dite më parë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sipas së cilës, administrata duhet të zbatojë kontratën ligjore pa paragjykuar nëse personat përfitues janë në hetim.

I pyetur nga BIRN nëse mendonte se ishte politikë e mirë që paratë që merren nga xhepat e varfër të shqiptarëve të shkojnë për të paguar kompani koncensionare, pronarët e të cilave kërkohen nga drejtësia, Rama tha se ishte i detyruar nga kontrata ligjore me ta.

‘Përgjigja e ministres është përgjigja e duhur sepse janë marrëdhënie kontraktuale të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat. Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia’, tha Rama.

Me 14 dhjetor Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka marrë të pandehur ish-ministrin Lefter Koka. Po ashtu, janë shpallur në kërkim Stela Gugallja, pronare e kompanisë ‘Albtek Energy’ të inceneratorit të Elbasanit dhe Klodian Zoton, pronar i ITS, dy persona që u shfaqën nga asgjëja gjashtë vite më parë për të përfituar me propozim të pakërkuar tre koncesione të mëdha për trajtimin e mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Të dy pronarët e kompanive i janë fshehur drejtësisë, ndërsa thesari i shtetit vijon të bëjë pagesa për kompanitë e tyre.

Ai i cilësoi inceneratorët ‘vepra të mëdha’ që s’kanë lidhje me veprimet anti-ligjore individuale. ‘Për sa i përket veprave, asgjë që ka të bëjë me aktet individuale, dhe me gjasën e abuzimeve individuale nuk cënon rëndësinë e atyre veprave, që janë shpëtimtare për njerëzit që ju iu qani hallin’- u përgjigj ai.

Por, pyetjes se pse nuk kishte zbatuar të njëjtin standard ligjor në rastin e biznesmenit italian Francesco Becchetti, kryeministri tha se rastet nuk janë njësoj.

‘Kur ai person, (Becchetti) që është në kërkim me kërkesë nga prokuroria për krime ndaj këtij vendi do t’i marrë ato lekë, atëherë hajdeni të flasim prapë,’ tha ai, duke deklaruar se qeveria e tij nuk do ta paguante gjobën e arbitrazhit ndërkombëtar, të fituar nga biznesmeni italian.

Biznesmeni Francesco Beccheti, prej kohësh është një temë debati politik në Shqipëri, pasi fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milion euro nga shteti shqiptar, i cili i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin ‘Agon’.

Ndërkohë, një ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku aludoi për ngjashmërinë e rasteve, duke thënë se nëse qeveria nuk paguante pronarët e kompanive të inceneratorëve –  Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, qeveria rrezikonte të hidhej në gjyq në Arbitrazh për prishje kontrate.

‘Në rast se ne nuk zbatojmë kontratat, nga ana e ligjit tregtar të kontratës, ne do t’i krijonim Republikës së Shqipërisë një dëm të tillë që me siguri do të përgjigjeshim në Arbitrazh,’ tha Balluku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Toni31/12/2021 06:12

Ju lutemj ju te medias. Me terhoqi vemedjen deklarata e ministres mbi kompanite e Zotos dhe arbitrazhin. Ato sikur jane subjekte shqiptare dhe i neneshtrohen ligjit dhe gjykates shqiptare. Cne arbitrazhi ketu. Shifeni njehere se sikur bie ere kjo pune dhe si e rakorduar duket.

Dojan 30/12/2021 18:08

Bexheti I ka marrë eurot që i ka fituar me gjygj në borxhin 700 milionë që ka marrë Shqipëria. Pagesat që Rama bën për inceneratore janë për vetë Ramën se ai kontrollon gjithçka që ka të bëjë me fitime.

Shto koment

Denonco