INTERVISTA/ Protesta kundër Rama-Vuçiç, Koka: Fal' Zotit, Shqipëria ka edhe aktorë të tjerë politikë që iu dëgjohet zëri!

INTERVISTA/ Protesta kundër Rama-Vuçiç, Koka: Fal' Zotit, Shqipëria ka edhe aktorë të tjerë politikë që iu dëgjohet zëri!

14:40, 20/12/2021
A+ Aa A-

Në prag të protestës kombëtare të opozitës shqiptare kundër nismës “Open Ballkan” dhe aferës së inceneratorëve, thirrur për herë të parë pas 8 vjetësh nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha, analisti Bledian Koka ka nxjerrë në pah rëndësinë e organizimit së saj në një moment kritik për Shqipërinë dhe Kosovën si edhe të mesazheve politike, që e tejkalojnë rajonin.

“Për mua, pjesa më e rëndësishme e protestës sot është për të treguar që këtu Serbia nuk mund të vijë e ta gjejë të shtruar sa herë t’i dojë qejfi Edi Ramës, për interesat politike të Edi Ramës dhe për turpin e madh të heshtjes së liderit të opozitës”, tha Koka gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto”.

Analisti bëri lidhjen midis hapave të rrezikshëm politikë Rama–Vuçiç të hedhur vitet e fundit, si tentativa për ndryshimin e kufijve të Kosovës që iu rrëzua si dhe shpallja menjëherë pas saj e një tjetër projekti të habitshëm me emrin “Open Ballkan”, rrethuar nga prania e mistershme në të gjitha rastet e një 32-vjeçari me emrin Alex Sorros, që  nuk dihet se ç’përfaqëson.

E në vijim, Koka hyri në thelbin e zhvillimeve të fuqishme që trazuan politikën shqiptare së fundi,  që ai gjykon se nuk është tjetër përveçse rrëzimi i planit për ndarjen e Kosovës falë guximit të z. Berisha për ta demaskuar dhe denoncuar me forcë. “E kam thënë që në nisje të procesit për shpalljen e zotit Berisha “non grata” se shkaku kryesor i këtij vendimi ka  qenë qëndrimi dhe këmbëngulja e zotit Berisha që një projekt i tillë të mos bëhej”, nënvizoi Koka.

Ndiqni intervistën e plotë me gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri në emisionin "Kafe Shqeto" në SYRI TV. 

Kafe Shqeto: Z. Koka, çfarë do të thotë kjo protestë sot në këto kohë trazirash? “Open Ballkan” dhe ngritja e zërit për një çështje të tillë, duket se i ka kushtuar Sali Berishës shumë nga karriera e tij politike...Si është për ju kjo situatë?

Bledian Koka: Unë besoj se nuk ka asnjë dyshim që raporti i vetëm i Shqipërisë me Serbinë është ai që ka Edi Rama me Aleksandër Vuçiç dhe askush këtu në Shqipëri, sado partizan i zotit Rama të jetë, nuk është se e mbështet këtë nismë. Pra, zoti Rama i është futur një aventure personale të diktuar nga qarqe okulte dhe ju vetë e përmendët praninë e zotit Alex Soros që hajde merre vesh se ç’përfaqëson ky njeri që ulet në tryezë si i ftuar special përballë tre kryeministrave të tre vendeve të Ballkanit. Pra, është e kuptuar qartë që i gjithë ky projekt, i cili vishet me pushtetin që ka zoti Rama si Kryeministër, me atë të zotit Zaev deri dje Kryeministër dhe qoftë edhe me qëndrimin e Presidentit të Serbisë, është një nismë personale e tyre, e cila për mendjet e ftohta që kanë mbetur si drejtues në Ballkan, siç është Kosova, Mali i Zi, por po të doni edhe Bosnje Hercegovina, që i kanë thënë “jo”, projektit , është një tregues i qartë që ky më shumë se një projekt konkret benefitesh, është thjesht një provokim apo një tentativë për të çuar përpara atë që është filozofia e “Shoqërisë së Hapur” së zotit Soros - shtete pa kufi, shtete pa identitet, shtete ku ka një lëvizje të pakontrolluar dhe një përzierje të panevojshme të identiteteve dhe  kulturave dhe ajo, që ne duhet të bëjmë kujdes, janë sentimentet e Kosovës , e cila së paku në këtë drejtim është e gjitha në union, si liderët politikë, ashtu edhe qytetarët.

Është e qartë pra që ti nuk mund të ulesh jo vetëm për shkakun se kemi përballë një kriminel lufte si Aleksandër Vuçiç , jo vetëm sepse kemi përballë një njeri që vetëm para dy javësh ishte në takim me Presidentin e Rusisë, zotin Putin, një takim ku u diskutua dhe u negociua blerja e armatimeve shtesë nga ana e Serbisë në Rusi. Pyetja është: ndërkohë që ne po flasim , ose ata na thonë që po flitet për kufij të hapur, për lëvizje të lirë, për uljen e tensioneve, a mund ta shpjegojë dikush pse i duhen ende Serbisë, materialet dhe armatimet shtesë nga Rusia dhe një gjuhë sektare në raport me Kosovën, që asgjë s’ka ndryshuar?! Dhe këtë qytetarët e Kosovës e dinë mirë. Qytetarët e Shqipërisë mendoj se e kanë shumë të qartë idenë, ndërkohë që përballë kemi thjesht dhe vetëm tre liderë e konkretisht shqetësimi është nga ana jonë: jemi nën drejtimin e një kryeministri që për mendimin tim nuk beson as te flamuri , as tek identiteti kombëtar dhe aq më pak, tek çështja kombëtare.

Kafe Shqeto: Por çfarë do të thotë kjo protestë në këtë kontekst të aktualitetit politik që ka Shqipëria sot?

Bledian Koka: E vërtetë është ajo që u tha në nisje të emisionit që protesta këtu ishte shpallur “non grata” nga ana e opozitës shqiptare. Këtu, ndërkohë që flitet për masakër zgjedhore, ndërkohë që flitet për krime ekonomike që kryejnë qeveritë etj. etj., këtu protesta nuk përmendet, protesta shikohet si herezi, sepse lidershipit aktual të PD nuk i duhen më protestat. I duhet thjesht dhe vetëm vegjetimi për katër vitet në vazhdim tani që u mor sipas tyre dhe mandati i tretë në opozitë e kjo i gëzon pa masë. Ndaj është shumë e rëndësishme që të kthehet koncepti i protestës.

Për mua, pjesa më e rëndësishme e protestës sot, pavarësisht se inceneratorët janë shumë të rëndësishëm, është për të treguar që këtu Serbia nuk mund të vijë e ta gjejë të shtruar sa herë t’i dojë qejfi Edi Ramës, për interesat politike të Edi Ramës dhe për turpin e madh të heshtjes së liderit të opozitës, i cili ende sot e gjithë ditën nuk e ka një qëndrim të qartë në raport me “Open Ballkan”. Për të mos thënë se sot e gjithë ditën, ai që ishte deri dje kryetar i PD-së, nuk është shprehur njëherë qartazi për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Mendoj se këtu ka nevojë për zgjimin e një nervi që me qëllim është vënë të flejë  dhe  është e ditur ajo që shprehja që kushdo që fle në demokraci , më pas zgjohet në diktaturë, po rreziku është që të zgjohemi nën pushtim.

Kafe Shqeto: Që nga data 11 dhjetor, duket sikur Berisha do të ishte lojtari risi. A është një “tour de force”, protesta e sotme apo është një koherencë e Berishës, i cili doli le të themi nga “pensionimi” i tij i pjesshëm politik për t’u aktivizuar në favor të moscopëtimit të kufijve dhe trojeve të Kosovës? 

Bledian Koka: Z. Berisha ka qenë zëri i parë, jo i vetmi, por ndër zërat e parë dhe më të fuqishëm që e kanë kundërshtuar që në nisje procesin pararendës të kësaj që po gjykojmë, “procesi i korrigjimit” siç u tha atëherë, por që mendoj se ishte “procesi i ndarjes” së Kosovës.  Mendoj se ishte pikërisht ky moment, ky qëndrim i fortë dhe i ashpër , ndoshta që vendosej shpeshherë përkundër vizionit apo qëndrimit që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në fund fare - duke para akordin që kishin liderët e asaj kohe, qoftë të Serbisë, qoftë të Kosovës, qoftë edhe të Shqipërisë - thanë  që “nëse ata duan të ndahen, le të ndahen punë e madhe”,  por mendoj se gjëja më e mirë që i është bërë atij projekti është qëndresa, një pjesë e rëndësishme e së cilës ishte z. Berisha bashkë me z. Kurti dhe gjithë mendjet e  arsyeshme që falë Zotit ende e drejtojnë politikën në Shqipëri dhe në Kosovë. E kam thënë që në nisje të procesit për shpalljen e zotit Berisha “non grata” se shkaku kryesor i këtij vendimi ka  qenë qëndrimi dhe këmbëngulja e zotit Berisha që një projekt i tillë të mos bëhej.

Mendoj se menjëherë pas dështimit të projektit për ndarjen dhe korrigjimin e kufijve të Kosovës, doli në skenë një tjetër projekt akoma më i çuditshëm, okult po të doni, një projekt që sërish në fundore, ekonomikisht,  në mënyrë territoriale, në mënyrë dhe politike, sërish shkon në favor dhe interesit të Serbisë dhe zoti Berisha ka qenë i qartë dhe në këtë drejtim. E tashmë sa vjen që kjo këmbëngulje e tri aktorëve kryesorë bashkë me aktorët okultë dhe parapolitikë që janë angazhuar në “Open Ballkan”, vazhdon dhe shpërfaqet sa në  Beograd, sa në Shkup dhe tani dhe në Tiranë.

Mendoj se këtu është mirë që ne të paktën si komb (prandaj dhe zoti Berisha e ka cilësuar një protestë kombëtare, që do të thotë që edhe mbështetja dhe pjesëmarrja nga Kosova do të ishte e mirëpritur) filluan të jepen sinjale që nervi i qytetarëve shqiptarë, nervi i identitetit shqiptar nuk mund të nëpërkëmbet dhe nuk mund të merret peng nga njerëz të papërgjegjshëm, që nuk janë prej kohësh në shërbim të interesave kombëtare, por në shërbim të interesave të lobimeve të caktuara. Për mua nuk ka gjë më të turpshme se të shikoj njëherë në dy javë, njëherë në muaj, një 32-vjeçar që quhet Alex Sorros që vjen dhe u bën zbor në foto e i ul sipas qejfit, liderët e tri vendeve; kjo, personalisht mua, “më rri” shumë ngushtë. Dhe është shumë e rëndësishme që kjo protestë e sotme të japë mesazhin që nga këtu e mbrapa nuk mund të ecet pa pengesa, pa një vetëdije kombëtare, se në fund të fundit, shumica jemi dakord besoj që nisma “Open Ballkan” është nismë që ekonomikisht ,politikisht dhe në mënyrë territoriale e favorizon Serbinë, por nuk kemi pasur realisht  qëndresë, se nuk ka pasur kush ta thërrasë!

E thashë që zoti Rama është bërë një nga bashkideatorët ose një nga bashkëthemeluesit; lideri i opozitës në reagimin  e parë dhe të vetëm që bëri, mbaj mend pas takimit në Shkup, tha se u” kërkoj atyre njerëzve të mos bëjnë foto, por të bëjnë akte”, pra në vend që të shprehej konkretisht se çfarë qëndrimi kishte për “Open Ballkan”, me sa duket me këtë qëndrim në njëfarë mënyre e mbështeti “Open Ballkan”. Pra, kemi Kryeministrin që është dakord, shefin e opozitës që është OK dhe...  falë Zotit që Shqipëria nuk është vetëm Kryeministri dhe lideri i opozitës i marrë peng, por ka dhe aktorë të tjerë politikë që u dëgjohet zëri, që mund ta rikthejnë të paktën në aspektin e protestës, nderin e qytetarëve shqiptarëve.

Kafe Shqeto: Gjatë Kuvendit të Rithemelimit në datën 11 dhjetor,  një nga analistët pranë qeverisë e konsideroi atë si “mitingun më të dobët” të Sali Berishës. Sipas teje,pasi kemi parë të gjitha format e protestës së zotit Basha dhe të opozitës, si mendoni se do ta ketë skenarin protesta e sotme dhe efiçencën, mesazhin? Do ta dëgjojmë Himnin në fund?

Bledian Koka: Mendoj dhe shpresoj që në këtë protestë të mos jetë siç kanë qenë protestat e zotit Basha. Në protestat e e zotit Basha, minimalisht unë do të doja ta dëgjoja Himnin të kënduar në fillim e jo në fund dhe të kënduar jo nga zoti Basha, por nga ata që dinë ta këndojnë dhe dinë t’i bëjnë nder këndimit të Himnit. Shpresoj shumë, nuk do të doja  që këto protesta të jenë të një njeriu të vetëm,  meqë më ngacmuat pak më herët a është kjo një tregim i mundshëm force nga zoti Berisha. Kjo është një protestë e gjithë shqiptarëve dhe doja shumë që në foltoren e protestës të shikoja intelektualë, të shikoja njerëz nga të gjitha fushat që të flasin për vetëdijen e tyre dhe të përfaqësojnë vetëdijen e mijëra protestuesve që do të jenë në shesh dhe po të doni, edhe interesin e tyre, por kjo jo e marrë peng thjesht për të ndërtuar imazhin e një njeriu (siç ishin thuajse të gjitha protestat e zotit Basha që nga fillimi deri në fund) por protesta të mirëfillta që janë aty për të shpërfaqur të gjithë papajtueshmërinë e  pjesëmarrësve në protestë dhe për atë çfarë protestohet, që është vizita e zotit Vuçiç në Tiranë dhe pika e dytë për ne po aq e rëndësishme  (dhe për mua një çështje që tregon se shteti ka rënë,drejtësia nuk funksionon) që ka të bëjë me aferën e inceneratorëve, e cila përfundoi me disa arrestime absolutisht dhe vetëm politike, parapolitike dhe aspak një operacion i mirëfilltë kirurgjikal që duhet ta kishte bërë drejtësia shqiptarë në raport me mega-vjedhjet që i kanë ndodhur shqiptarëve këto tetë vitet e fundit të paktën./ar/sh/SYRI.NET

Intervista e z. Koka në videon e  Kafe Shqeto

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco