Një 'Zajednicë' anti-kushtetuese dhe asgjë në këmbim?! Jo, faleminderit!

Një 'Zajednicë' anti-kushtetuese dhe asgjë në këmbim?! Jo, faleminderit!

14:27, 08/12/2021
A+ Aa A-

Nga Albionë Zhitia

Kosovës po i kërkohet të gjejë rrugë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas BE-së, ky është një detyrim ndërkombëtar. Por, Qeveria Kurti thotë se nuk do të ketë asociacion një-etnik të komunave.

Kosova në vitin 2013 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shumë pika të kësaj marrëveshje, që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike – shkruan Syri.net Kosova.

E, gjatë ditës së djeshme, sërish Asociacioni u bë mollë sherri mes Prishtinës e Brukselit. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë pasur një përplasje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel, kryediplomati evropian, u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit, ndërsa, kreu qeveritar tha se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Borrell ka thënë se kjo marrëveshje duhet të implementohet, sepse, është nënshkruar nga të dyja palët. Përkitazi me këtë qëndrim, Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.

Por, Kurti tha se nga 33 marrëveshjet me Serbinë, dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërës prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai”, deklaroi ai.

Pavarësisht këtij qëndrimi, Borrell ia përsëriti kryeministrit Kurti nevojën për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin.

“Jam demokrat edhe unë. Dhe nuk jam këtu t’i shërbej ndonjë politikani, të asnjërës anë. Ajo që është treguar deri tash është se dialogu është mënyra e vetme për të adresuar dhe zgjidhur çështjet e hapura. Dua që ta merrni parasysh plotësisht rëndësinë e dialogut dhe që të tejkaloni vështirësitë e Kosovës për integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare. S’pajtohem kur thoni që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshëm implementimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Borell.  

Ndaj gjithë kësaj ka që ndodhi atje, ka reaguar Eugen Cakolli, nga KDI. Ai ka thënë se kryeministri Kurti ka të drejtë kur shprehet se Asociacioni, sipas marrëveshjes së 2013 është në favor të Serbisë.

Në anën tjetër, Cakolli po i jep të drejtë edhe Borellit që po e kërkon të zbatohet kjo marrëveshje, pasi, Gjykata Kushtetuese nuk e ka pamundësuar formimin e këtij Asociacioni.

“Kryeministri Kurti ka të drejtë që Asociacioni është në shërbim të interesave të Serbisë, sipas marrëveshjeve të 2013 e sidomos asaj të vitit 2015, për shkak se si i atillë e rrezikon funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Por edhe Borrell ka plotësisht të drejtë që Gjykata Kushtetuese nuk e ka pamundësuar formimin e Asociacionit. Sepse, përkundrazi janë disa pika të aktgjykimit që ritheksojnë obligimin për formimin e Asociacionit. Gjykata vetëm ka përcaktuar konditat brenda së cilave një entitet është brenda normave kushtetuese në fuqi.Ideja është që ai Asociacion, i cili herëdokur do të themelohet, të mos ketë elemente që minojnë shtetësinë tonë. Sa më shumë që vonohemi dhe refuzojmë aq më shumë do të rrezikojmë” shprehet Cakolli.

Në anën tjetër, në krah të Kurtit ka dalë edhe ish-këshilltari i Hashim Thaçi, Blerim Latifi. Ai ka përkrahur idenë e Kurtit për Asociacionin e Komunave Serbe. Latifi ka thënë se Serbia e kërkon Asociacionin, por, nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim, as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti.

"Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Europian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit", ka shkruar në Facebook.

Kurti nuk mund t’i ikë krijimit të Asociacionit

Në anën tjetër, qëndrimi i Kurtit përballë Serbisë, po vlerësohet si një deklarim i fuqishëm politik, por, që kërkohet të dihet mënyra se si do të përmbushet obligimi që ka Kosova për themelimin e Asociacionit.

Sipas profesorit të Kushtetueses Përparim Gruda, Kurti duhet të tregojë se si do t’i shmangët obligimit për themelimin e Asociacionit, duke pasur parasysh se kemi një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar në vitin 2013.

“Deklaratat e Kryeministrit Kurti, se krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe do të ishte krijim i një shteti brenda Kosovës, dhe se nuk do ta lejoj formimin e tij, janë deklarata shumë të forta politike. Ky është një qëndrim shumë i qartë i Kryeministrit Kurti. Por, ky deklarim nuk duhet të përfundoj me kaq. Kryeministri duhet të tregoj si do ti shmanget këtij obligimi për të themeluar Asociacionin, sepse siç e dimë Kosova ka nënshkrua dy marrëveshje ndërkombëtare, një në vitin 2013 dhe një në vitin 2015, të cilat parashikojnë themelimin e këtij asociacioni”.

Gruda në prononcimin për Syri.net thekson se kërkesa për themelimin e ‘Zajednicës’, po vjen edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe duke parë rezistencën e Kurtit për ta përmbushur këtë detyrë, mund ta çojë në rrëzim të tij.

“Po ashtu, krijimin e asociacionin e kërkojnë edhe aleatet tanë perëndimor, SHBA dhe BE. Në këto kushte, duke shumë e vështirë që Kosova ti shmangët këtij obligimi. Nëse Kryeministri vazhdon të rezistoj dhe nuk ka një alternativë si t’i bind për këtë aleatet tanë perëndimorë, kjo gjë do të provokoj zgjedhje të reja parlamentare shumë shpejt” tha Gruda.

Mirëpo, për profesorin Gruda, Kosova ka shumë arsye për të mos themeluar këtë asociacion, duke pasur parasysh që shumë pika të marrëveshjes së Brukselit për këtë çështje, janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë.

“Në rrafshin politik, Kosova ka shumë arsye për të mos e themeluar atë asociacion, të paktën deri sa Serbia e kërcënon Kosovën me luftë  ose deri në marrëveshjen finale për njohjen të ndërsjellë. Pra, unë sugjeroj që qëndrimi i Kosovën në këtë temë të jetë: Asociacioni do të themelohet në përputhje me dy marrëveshjet e Brukselit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur të arrihet marrëveshja finale për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Te jemi krejt i qartë, Kosovës nuk i duhet asgjë asociacioni, është një gjë krejt e ekzagjeruar për të mbrojtur të drejtat komunitetit serb në Kosovës, por mos themelimi i tij është një gjë vështirë e arritshme në kushtet që jemi" përfundon ai për Syrin.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./Syri Kosova 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco