Prishtinë - Ministrja e Arsimit e Kosovës Arbërie Nagavci dhe Komisonerja e BE-së për Inovacion Mariya Gabriel kanë nënshkruar në Prishtinë dhe Bruksel marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe”. Me këtë marrëveshje, Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Izraelit.
Pas këtij lajmi kanë ardhur edhe reagimet e para. Analisti kosovar, Shkëlzen Gashi, ka përgëzuar të angazhuarit për këtë sukses. "Një punë shumë e mirë e shërbyesve tanë në ministrinë e arsimit" shkruan Gashi në Facebook.
Pjesëmarrja e Kosovës në Programin “Horizon Europe” po cilësohet lajm i muajit nga analisti tjetër, Krenar Shala. "Lajmi i ditës. Ose ma mirë me thonë i javës. Nashta edhe i mujit me thonë nuk osht aspak e tepërt!Kosova bohet antare (ka mbetë vetëm ratifikimi nga ana e Kuvendit të Kosovës) e Horizon Europe që osht programi kyç i BE-së për hulumtim dhe inocacion, buxheti i të cilit arrin vlerën prej 95.5 miliardë eurove.Urime për krejt ata që merren me punë kërkimore" shkruan Shala.
Ndërsa zyrtari i Lartë për Asistencë Zhvillimore at Zyra e Kryeministrit, Andi Batusha, e ka cilësuar super lajm vendimin e sotëm.Ndryshe, Programi “Horizon Europe” është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro. Programi bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke mbështetur zbatimin e politikave të BE-së dhe duke adresuar sfidat globale të njerëzimit përmes kërkimit dhe inovacionit.
Në programin Kornizë të BE-së për hulumtim dhe inovacion, Kosova fillimisht ka marrë pjesë në programin “Framework Programme 7” dhe “Horizon 2020”. Në këto programe, Kosova ka pasur statusin e vendit të tretë (third country) bashkë me shumicën e vendeve të tjera të botës, ndërsa me këtë Marrëveshje statusi i Kosovës avancohet ndjeshëm.
Marrëveshja për asocim në Programin “Horizon Europe” hyn në fuqi pasi të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, subjekteve juridike nga Kosova i është lejuar të aplikojnë edhe në thirrjet e vitit 2021, ndërsa fituesit do të mund t’i realizojnë projektet e tyre pas ratifikimit të Marrëveshjes.
© SYRI.net