VIDEO-SYRI TV/ Si po e betonizon Edi Rama edhe bregdetin

VIDEO-SYRI TV/ Si po e betonizon Edi Rama edhe bregdetin

12:31, 07/12/2021
A+ Aa A-

Këshilli i Rregullimit të Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka betonizuar vijën bregdetare duke dhënë për vitin 2021, 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë. Vetëm për bashkinë Himarë janë dhënë 40 leje, e ndjekur më pas nga Durrësi e Kavaja. Pak kohë më parë qeveria dorëzoi në parlament një nismë ligjore për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare”, për investime strategjike, por duket se vetë kryeministri është treguar dorëlëshuar me leje ndërtimi të copëzuara në të gjithë vijën bregdetare

SYRI TV

Gjatë vitit 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë në zonën bregdetare, duke e betonizuar të gjithë Rivierën Shqiptare nga Velipoja në Veri e deri në Sarandë, në Jug.

Numri më i madh i lejeve të ndërtimit për struktura hoteliere gjatë këtij viti është dhënë në Bashkinë e Himarës, me plot 40 të tilla. Lejet përfshijnë pothuajse të gjithë plazhet e mrekullueshme që përfshihen në këtë bashki jugore, duke nisur nga Dhërmiu, në Livadh, Potam e deri në Borsh. Pak javë më parë, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit, kritikoi ashpër kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, duke e konsideruar si të fjetur përballë emergjencës së pastrimit të territorit.

Goro qëndroi i heshtur para kryetarit të Partisë së tij, pa arritur të sqarojë se ndotja më e madhe e bashkisë vjen nga kantierët e ndërtimit të hapur për hotele e resorte në çdo cep të Himarës. Pas Himarës, Durrësi është bashkia me numrin më të madh të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për vitin 2021. Struktura qeveritare e drejtuar nga Rama ka lëshuar 7 leje për resorte e hotele në këtë bashki, kryesisht në zonën e bregdetit të Hamallajt.

Më tej, nga 6 leje për struktura hoteliere e resorte janë dhënë në territorin e Bashkisë së Vlorës dhe të Sarandës. Në Velipojë të Shkodrës dhe në Shëngjin të Lezhës, KRRT-ja e drejtuar nga Edi Rama ka lëshuar nga dy leje për ndërtim resortesh dhe hotelesh. Listën e lejeve të ndërtimit për zonën e bregut e plotëson Kavaja, me një të tillë në zonën bregdetare të Qerretit.

Një nismë ligjore e qeverisë “Rama”, e dorëzuar para pak kohësh në Parlament për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare, synon që lejet e ndërtimit të jepen vetëm për investime strategjike dhe projekte të Partneritetit Publik-Privat. Qeveria, sipas asaj që deklaron nëpërmjet kësaj nisme synon që të shmangë rrëmujën me lejet e ndërtimit në bregdet dhe të vendosi një rregullshmërisë. Por, përtej asaj që deklaron publikisht qeveria, vetë kryeministri Rama nuk duket se është i bindur me projektin që i ka dorëzuar Parlamentit.

Ai dhe kabineti i tij flasin për investime strategjike, ndërkohë që Këshilli i Rregullimit të Territorit, i drejtuar nga vetë kryeministri, është treguar tejet dorëlëshuar me leje ndërtimi të copëzuara në të gjithë vijën bregdetare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tre Ishujt Ksamil07/12/2021 14:12

Direkt perballe tre ishujve ne Ksamil eshte bere nje krim i madh urbanistik. Jane ndertuar pa kriter bisnese gjigande duke prishur te gjithe bregdetin atje dhe duke ju mohuar te gjithe shqiptareve dhe turisteve mundesine qe te pakten te shikonin ishujt nga afer dhe jo me te pushonin prane tyre. Per te pare ishujt nga afer te duhet te paguash 20-25 euro ne dite per cadren dhe te zbresesh nga lokali i ngritur perballe tyre per ne det!!! Sa keq, pjesa me e bukur e bregdetit shqiptar e betonizuar dhe e zaptuar brutalisht.... Pak me tej tek plazhi Augisti, nen uje ka aq shume mbetje plastike dhe goma makinash nen uje sa te vjen turp nga turistet e huaj qe je shqiptar. Per kete plazh, meqe te duhet te lundrosh mbi plehra, pagesa e cadres eshte vetem 8 euro ne dite!! Nje plazh i ri i hapur per turistet kete vit, para se te shkosh tek Pema e thate, deti ishte vertet i mbrekullueshem, por parkimi ishte mbi shkure dhe deget e pemeve, cadra 20 euro ne dite dhe "restoranti" kishte vetem hamburger!!!

Shto koment

Denonco