VIDEO/ Përveçse me Thaçin, Rama s'ka pasur marrëdhënie normale me asnjë homolog  në Prishtinë’ Gjykimi i dy analistëve, z. Xhevdet Pozhari nga Prishtina dhe z. Enver Bytyçi nga Tirana në "Kafe Shqeto"

VIDEO/ Përveçse me Thaçin, Rama s'ka pasur marrëdhënie normale me asnjë homolog në Prishtinë’

12:42, 26/11/2021
A+ Aa A-

Marrëveshjet që nënshkruan sot Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës në Elbasan tërhoqën vëmendjen prej spektaklit me ngjyra të forta që u zhvillua  në një sfond motivesh folklorike kuq e zi. Por, çuditërisht, dy analistë politikë, z. Xhevdet Pozhari nga Prishtina dhe z. Enver Bytyçi nga Tirana, që e ndoqën spektaklin politik, shfaqën për një pikë të njëjtin skepticizëm dhe dyshim.

“Mos është ky momenti kur Rama dhe Kurti po shohin me të njëjtin vizion, apo kemi të bëjmë me një show propagandistik?” - ishte pyetja e parë që iu drejtua të dyve në emisionin “Kafe Shqeto” mëngjesin e sotëm, nga moderatorët Dori Daka dhe Flavio Qarri.

“Vlen për t’u theksuar se kohët e fundit nuk është parë ndonjë klimë e mirë midis dy kryeministrave, - u përgjigj z. Pozhari. -  Nganjëherë është krijuar përshtypja se zoti Rama e ka bashkëpunimin më të mirë me z. Vuçiç se me z. Kurti, ndërkohë që në takimet e para, z. Kurti kur është pritur në Shqipëri pati deklaruar se më me rëndësi se mini-Shengeni ballkanik është makro-Shengeni shqiptar. Unë këto marrëveshje i shoh në këtë frymë pra.

Është paralajmëruar se sot në mbledhjen e shtatë të dy qeverive, do të ketë marrëveshje për Sigurimet Shoqërore, - vazhdoi ai, -  për lejeqendrimin pesëvjeçar me një aplikim të thjeshtë, marrëveshja për procedurën e njohjes së diplomave e po ashtu Memorandumi i Mirëkuptimit për studimin, rehabilitimin dhe ndërtimin e segmentit hekurudhor Durrës – Prishtinë. Sigurimet shoqërore Shqipëri - Kosovë u mundësojnë qytetarëve që kanë dhënë kontribute në Shqipëri të gëzojnë pensionet  tyre, pra, janë marrëveshje të mira shikuar kështu në sy, por se sa do të realizohen në praktikë, kjo mbetet të shihet veçanërisht në rrethanat kur ne nuk kemi një përvojë të mirë të zbatimit të këtyre marrëveshjeve në të kaluarën; përkundrazi, acarimi dhe raportet midis kryeministrave shqiptarë  nuk është se ndodhin për herë të parë, sepse kishim një acarim të tillë në rastin kur kryeministër ishte zoti Haradinaj; zoti Rama e ka pasur më të lehtë të bashkëpunojë kur Kryeministër ishte zoti Thaçi. Atëherë gjente një gjuhë komunikimi e bashkëpunimi më të mirë, jo sa i përket qeverisjes, por sido që të jenë, interesave të tyre që mbeten enigmë,” vuri në dukje, analisti nga Prishtina.

Kurse z. Bytyçi nga Tirana gjykoi: “Sa i përket mbledhjes së sotme të dy qeverive, që është e shtata në radhën e saj, janë nënshkruar diku mbi 70 marrëveshje midis të dy vendeve. Në fakt, nëse do të bënim një bilanc të zbatimit të  marrëveshjeve, nuk do të kemi një realizim përtej 10%-it të tyre, çka do të thotë se mbledhjet e dy qeverive midis Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi kanë qenë dhe mbeten mbledhje formale, një show publik me qëllim që të shitet patriotizëm sidomos nga pala e Tiranës dhe për pasojë nuk ka një efektivitet të vazhdueshëm ose të spikatur.

Mbledhja e sotme është një mbledhje me një kujdes dhe me një regji të tillë njësoj si mbledhjet e para, që të ushqejë tek njerëzit një lloj imazhi dhe propagande se midis dy vendeve është gjithçka në rregull, se midis dy vendeve nuk ka asnjë problem politik, por e vërteta është se problemet midis Kosovës dhe Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, prej 5-6 viteve kanë qenë probleme shumë të mëdha. E tha dhe kolegu nga Prishtina se përveçse me zotin Thaçi, zoti Rama nuk ka pasur marrëdhënie korrekte dhe normale me asnjë prej homologëve të tij në Prishtinë. Për pasojë edhe situata e marrëdhënieve midis dy vendeve është një situatë në pikën më të vështirë dhe më të ulët gjatë historisë së shtetit të pavarur të Kosovës.

Ajo çka e rëndon më shumë situatën ka të bëjë me faktin se Shqipëria është angazhuar dhe involvuar shumë në marrëdhëniet e saj me Serbinë gjë që ka vështirësuar marrëdhëniet me Prishtinën për shkak se ka vështirësuar dialogun dhe sidomos pozitën e Prishtinës në raport me dialogun me Serbinë.  Një marrëdhënie e tillë midis Tiranës dhe Beogradit ka bërë që Prishtina të ndihet e izoluar dhe madje të izolohet në një farë mënyrë, ka bërë që Serbia të rehabilitohet dhe madje të krijojë një epërsi të padiskutueshme morale dhe politike ndaj Kosovës në dialogun dhe vendimmarrjen që duhet të merret përmes tij,” theksoi Bytyçi//ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni gjykimin e plotë të dy analistëve, z. Pozhari dhe z. Bytyçi në videon e "Kafe Shqeto".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco