Meta mes shqiptarëve në Prishtinë, Rama te 'vëllai' Vuçiç në Beograd

Meta mes shqiptarëve në Prishtinë, Rama te 'vëllai' Vuçiç në Beograd

19:37, 24/11/2021
A+ Aa A-

Që prej marrjes së detyrës si kryeministër 8 vjet më parë, Edi Rama nuk e ka patur asnjëherë në axhendë Kosovën. 

Pothuajse të gjitha vizitat të konsideruara zyrtare në Prishtinë i ka katandisur në një apo dy takime të këtij rangu dhe më pas ka drekuar a darkuar me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e është kthyer në Tiranë. 

Edhe vizita e fundit e Ramës në Kosovë ajo e datës 27 shtator 2021 ishte as më shumë e as më pak se shëmbëlltyrë e vizitave të mëparshmë. E cunguar dhe pa produkt. Ndërsa në mënyrë ofenduese Rama refuzoi të takojë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Por edhe nga ato takime të realizuara nuk është se në fokus ishin çështjet e Kosovës dhe heqja e barrierave me Shqipërinë. Madje pengesave në doganë i është shtuar tashmë prej tre vitesh edhe taksa 'Rama' në Rrugën e Kombit. 

Pra, lehtësisht e kuptueshme se çfarë axhende ka Edi Rama në raport me faktorin shqiptar në rajon. Dhe është e qartë se për të qasja kombëtariste nuk ekziston sa kohë qëndrimi i tij në raport me Kosovën dhe faktorin shqiptar në rajon është shumë larg asaj që i obligon Kushtetuta. Ky është halli më i vogël i Ramës aktualisht.

Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet sa i takon kapërcimeve drejt Serbisë. 

Numërohen plot 4 udhëtime zyrtare (këto që dihen të paktën) të Edi Ramës në Beograd, ku është pritur me nderime nga kryeministri i djeshëm dhe presidenti i sotëm Aleksandar Vuçiç. Në 3 nëntor 2021 ishte vizita e fundit e Ramës në Serbi ku bëri 'flamurtarin' e nismës që parasheh predominancën serbe në rajonin e Ballkanit dhe shndërrimin e Shqipërisë në vasale të Serbisë së Vuçiç. 

Rama është jo vetëm i pashqetësuar por edhe krejt i pandershëm në këtë aspekt, ku meriton të gjitha epitetet e mundshme për të gjithë atë që ka demonstruar si numri një i qeverisë shqiptare në raport me shtetet e tjera të rajonit ku dihet botërisht se shqiptarët nuk shihen me sy të mirë. Këtë e di edhe Edi Rama por nuk e lejon një axhendë tjetër komplet e dyshimtë dhe e ndikuar nga qarqe okulte dhe me fokus veprimtarinë anti-shqiptare. I tillë ishte edhe propozimi për prekjen e kufijve të Kosovës, një nismë sa e rrezikshme aq edhe besëprerëse nga një shqiptar kundër shqiptarëve me promotor, dihet tashmë, të parin Edi Ramën dhe pas tij Aleksandar Vuçiç. 

Dhe si të mos mjaftojë kjo, Rama nuk ndalet dhe në bashkëpunim me 'vëllanë' Vuçiç, të dy shkuan edhe më tej, duke flakur tutje 'Procesin e Berlinit' të iniciuar nga kancelarja Angela Merkel si udhërrëfyes që mund të përqaste bashkëpunimin mes shteteve dhe do t'i afronte me BE-në. Nuk ka sjellje më anti-shqiptare dhe anti-kombëtare për Ramën se sa devijimi i orientimit perëndimor të shqiptarëve për nga Beogradi. 

Ndërsa Rama fle dhe zgjohet me mendjen në Beograd, e kundërta mund të thuhet për presidentin Ilir Meta. 

Kreu i shtetit gjatë vizitës së sotme në Kosovë përcolli mesazhe të forta sa i takon stabilitetit në rajon, ndërsa kërkoi unitet kombëtar përballë rrezikshmërisë që vjen nga një frymë serbo-centriste e cila ka dhënë shkëndijat e para në rajon, siç është provokimi i tensioneve në Bosnje Hercegovinë, Malin e Zi apo edhe rrethimi i Kosovës me tanke serbe sa herë institucionet e Prishtinës duan të shtrijnë ndikimin dhe zbatimin e ligjit në çdo cep të tërësisë territoriale.  

Kjo duhet ta shqetësonte Edi Ramën që në krye të herës e jo të afektohej pas Vuçiç i cili në çdo moment i rikthehet atavizmave të Millosheviçit, Sheshelit e Mlladiçit, duke kërcënuar jo vetëm Kosovën e Bosnjen me luftë, por të gjithë rajonin. Dhe kuptohet qartë se aleatët gjeostrategikë të Edi Ramës janë tashmë treshja gjenocidiale Vuçiç-Sheshel-Mlladiç.  

Dhe këtë e tregon qartë ajo që ndodhi ditën e sotme për të cilën jemi dëshmitarë të gjithë se nga cili kah anon Edi Rama, vetëm në anën e shqiptarëve jo.

Ilir Meta nga Prishtina u rreshtua me shqiptarët për të mbrojtur popullin nga çdo rrezik, ndërsa Edi Rama, ndonëse jo fizikisht, ishte me mendje në Beograd te Vuçiç duke i bërë këtij të fundit avokatinë e 'Open Balkan'. Kjo edhe përkundër qëndrimit të SHBA-ve, pasi vetëm i dërguari i Uashingtonit Gabriel Escobar ngriti pikëpyetje për nismën duke vënë në dyshim suksesin e saj në të ardhmen.

E në përfundim të retorikës së Ramës të tipit 'kush do le të vijë pas nesh, kush s'do nuk do ta bindim', përfaqësuesit serbë sigurisht që do t'i ishin atij mirënjohës e nuk munguan duartrokitjet e gjata në anën tjetër të ekranit nga Beogradi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Berti24/11/2021 19:48

Mos ka shkuar per te vjedhur flori ne kosove se ne shqiperi e boshatisi fytyre e poshter

Shto koment

Denonco