VIDEO/ Shalsi u flak propozimet për Paketën Fiskale, Nasto: Po hakmerret që biznesi s'e njihte për ministër!

VIDEO/ Shalsi u flak propozimet për Paketën Fiskale, Nasto: Po hakmerret që biznesi s'e njihte për ministër!

13:24, 23/11/2021
A+ Aa A-

Ka tejkaluar përmasat e absurdit dhe të qesharakes dhe tani po merr pasoja, rezultati i një pyetësori të shtrirë në dymijë biznese të vendit nëse ata e dinin se cili ishte Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në qeverinë Rama II. Vetëm 10% e bizneseve u përgjigjën “Eduard Shalsi”, kurse 90% doli që s’ia kishin dëgjuar as emrin, as famën.

Por tani që në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend po diskutohet Paketa Fiskale 2022, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm po përballet me hakmarrjen e egër të ish-ministrit, tani kryetar komisioni, Eduard Shalsit. Fyerje dhe ofendime pati në tryezën ku duhej të dëgjoheshin propozimet e këtij grupi interesi.

Dhe si të mjaftonte kjo, edhe një injorim i qëllimshëm të hënën nga Kryeministri Rama, i cili as nuk ia dha fjalën kësaj shoqate që të parashtronte propozimet e saj për Buxhetin e 2022-it, por i bëri karshillëk hapur me biznesmenin e peshkut, Gjergj Lucën.

Këtë situatë që pritet të ketë rrjedhoja të rënda për ç'ka përfaqësojnë, e tregoi sot z. Albert Nasto në emisionin “Kafe Shqeto” mëngjesin e sotëm, pasi kërkoi t’i jepej mundësia t’ia prezantonte qeverisë nëpërmjet ekranit, propozimet e bizneseve për Paketën Fiskale 2022.

"Isha dje në takim me zotin Rama, me kryeministrin e vendit. Shumë gjëra nuk i kuptova  - tha Nasto, - në ishin përgatitur për Paketën Fiskale të vitit 2022 dhe Buxhetin e vitit 2022, por faktikisht atje grupi ynë i interesit atje nuk e mori dot fjalën, ose ishte një bisedë e përgatitur pa media, një bisedë që nuk ngjallte ndonjë kureshtje të madhe. Ato fjalë ne i kemi dëgjuar shpesh, nuk i përkasin kohës që jemi, kësaj gjendjeje të rëndë ekonomike dhe financiare që po kalon biznesi. Por edhe atë propozim që bëri zoti kryeministër nuk është diçka për t’u thënë nga ne.”

Kafe Shqeto: Me z. Rama, a u ndjetë si komunitet i biznesit të vogël dhe të mesëm sikur po takonit dikë jashtë realitetit apo ai arriti të adresonte çështjet emergjente të Buxhetit faktit 2022?

Albert Nasto: Unë do të doja që propozimet që desha t’ia lexoj dje Kryeministrit për Projekt-paketën fiskale 2022 dhe të Buxhetit, t’ia lexoj këtu ngaqë nuk pata mundësi dje t’ia thosha në sy.

Faktikisht atje u fol për “start up”-et, që janë zhvillim për biznesin e janë shtuar fondet për 2022-in, por nuk janë këto pikat, vështirësitë që biznesi ka sot. Janë të tjera gjëra që ne do të lexonim dhe thoshim në sy Kryeministrit, pavarësisht se ai bëri se ç’bëri me Gjergj Lucën – që është e turpshme të dalë atje një përfaqësues, një biznesmen, një tregtar të njollosë me baltë shumë fermerë të tjerë.

Ne do t’i thoshim gjëra të tjera. Ndoshta Kryeministri e kishte këtë ide që ne do t’ia thoshim dhe propozonim e kërkonim edhe llogari për ato që nuk janë bërë sidomos gjatë tërmetit dhe pandemisë, por do t’i jepnim dhe pikat që ne mendojmë se do të jepnim zhvillim.

Se ne kemi qenë dhe në Kuvend, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, por ishte e njëjta skemë injorimi ose përbaltjeje e këtij grupi kaq të madh. Ndoshta ky është grupi më i madh që mbron ndër vite interesat e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë prandaj dhe këta njerëz, këta aparatçikë, këta deputetë ose këta njerëz që kryesojnë si zoti Shalsi, që ndoshta kaloi nga në një projekt-buxhet, që edhe propozimet tona i kaloi në një situatë politike shumë të rëndë, në ofendime ndaj Shoqatës së Biznesit. Është e turpshme.

Kafe Shqeto: Ofendime për çfarë arsyeje?

Albert Nasto: Sepse ne kemi pasur një përplasje të madhe si shoqatë me zotin Shalsi kur ishte ministër dhe bëmë një anketë, një sondazh në 2000 biznese, sa e njihnin personin dhe kush ishte Ministri i Mbrojtjes së Sipërmarrjes. Vetëm 10% e njihnin zotin Shalsi. Ne e publikuam këtë sondazh dhe zoti Shalsi përdori veton e tij apo egon e tij apo vendin e tij në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave që kaloi në një....Mos të them... Këta nuk duan! Përfundimisht, kjo klasë politike ose Partia Socialiste shkoqur fare, nuk do të ketë grupe interesi që të kërkojnë llogari apo të ngrenë zërin për të mbrojtur interesat e grupeve që ato përfaqësojnë, siç jemi ne, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të mesëm të Shqipërisë. Prandaj zoti Shalsi nuk i dëgjoi propozimet tona, nuk i mori ato propozime që unë do t’i lexoj tani.

Së pari, ne deshëm një paketë financiere ndihme direkte për biznesin. Kjo është kërkesa e parë. Sidomos kjo ndihmë e parë financiare për biznesin të jetë rimëkëmbjeje si për të punësuarit, edhe për biznesin. Mos të harrojmë se për pandeminë u dha një ndihmë minimale, qesharake. Të paktën, një paketë me vlerë 200 milionë euro që të ndahej në të gjithë bizneset, në ato që u mbyllën përgjithësisht në kohën e pandemisë por dhe për të punësuarit që mbetën pa punë në kohën e pandemisë.

Pika e dytë që ne do t’i propozonim, që zoti Shalsi dhe Kryeministri nuk i dëgjuan dje: të shtyhet pa afat ligji i fiskalizimit deri në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe punës me kapacitete të plota të bizneseve. Sepse po punohet me kapacitete deri në 30% sot. Prandaj, kjo të shtyhet deri në një afat që të dalim nga pandemia, se fiskalizimi do të jetë proces shumë i vështirë, delikat, shumë i vështirë, shumë i kushtueshëm dhe do të ketë dëme të mëdha për biznesin siç pati TVSH-ja. Do të ketë dëme më të mëdha se pandemia. Dëmet që do të sjellë fiskalizimi si proces kaq i vështirë dhe kaq i ndërlikuar, do të mbyllë mbi 70% të biznesit shqiptar të vogël dhe mesëm dhe kjo ndofta është politika më e gabuar që po ndjekin monopolet dhe oligarkët në Shqipëri, që të zhdukin biznesin, të marrin të gjitha shërbimet e biznesit të vogël dhe të mesëm, të nxjerrin mijëra e mijëra të papunë.

E treta që do të kërkonim është që të ndërhyhet nga ana e qeverisë tek pushteti lokal. Mos të harrojmë për çështjen e taksave, pushtetit lokal i është hequr ligji i ngritjes dhe uljes së tarifave dhe taksave dhe ai po 5-fishon apo 10-fishon shërbimet që ka për biznesin apo qytetarët.

E zëmë nga Tirana, që nga çmimet e  pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit, janë shumë shërbime të tjera, edhe cmimin e ujit mos ta harrojmë. Çmimi i ujit sot në Tiranë e në shumë qytete po e them me bindje të plotë është më i lartë se në mes të Parisit. Është rreth 2800 lekë metër kub për biznesin. Kjo është një çmenduri, ndaj duhej t’ia thonim zotit Rama që të ndërhynte në pushtetin lokal dhe ta sanksiononte me ligj,” theksoi z. Nasto/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me z. Albert Nasto dhe qëndrimin e ekspertit të ekonomisë, z. Arben Malajn në “Kafe Shqeto”. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco