'Shpërfillja e ndërkombëtarëve nga Kurti vë në dyshim ekzistencën e Kosovës, po aq sa strukturat paralele'

'Shpërfillja e ndërkombëtarëve nga Kurti vë në dyshim ekzistencën e Kosovës, po aq sa strukturat paralele'

07:55, 22/11/2021
A+ Aa A-

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve evropianë, do të duhej të ndodhte menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga Albionë Zhitia, SYRI NET KOSOVA.

Image

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë.

Edhe pse gjatë javës që shkoi delegacionet e Kosovës dhe Serbisë qëndruan për disa ditë në Brukesel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk u arrit që të zhvillohet një takim tri palësh. Kjo për faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë qëndrime të kundërta lidhur me temat që mund të diskutohen në takim.

Të dy delegacionet zhvilluan takime të ndara me të ngarkuarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit në një postim në Twitter tha se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin, kryenegociator i Kosovës, dhe Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë, ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së, se "është i nevojshëm një përparim në ecurinë e dialogut”.

Që tema e Asociacionit është e papranueshme të vihet në tavolinën e diskutimit për Prishtinën, e ka pranuar edhe vet Lajçak.

Në anën tjetër është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe mbi baza etnike nuk mund të zbatohet në Kosovë për shkak se nuk e lejon Kushtetuta. Për më tepërë ai tha se me këto marrëveshje aktualisht bëhet bosnjizimi i Kosovës.

Qëndrim të njëjtë si shefi i tij dje ka dhënë edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai tha se Kosova është shoqëri multi-etnike, duke përsëritur në këtë mënyrë frazën që e thotë vazhdimisht kryeministri Albin Kurti kur flet për këtë temë.

 “Diskutimet për dialogun me Serbinë i udhëheqë kryeministri, kështu që deri më tani nuk kam ndonjë angazhim në këtë drejtim. Gjithçka në Kosovë deri sot është ndërtuar me idenë që Kosova është shtet multi-etnik dhe në një shtet multi-etnik nuk mund të ketë Asociacion njëetnik”.

Asociacioni ‘peng’ i zhvillimeve në Bosnjë?

Duke u nisur nga qëndrimet e Qeverisë së Kosovës dhe ngjarjet e fundit që po ndodhin në Bosnje, në Prishtinë kanë filluar të lidhen këto zhvillime e të kenë një epilog të njëjtë. Që zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë mund të ndikojnë në procesion e dialogut e me theks krijimin e Asociacionit po e thonë edhe profesorët universitarë.

Është profesori i shkencave politike, Behlul Beqaj, që ka folur për Syri.net Kosovën, duke thënë se, më shumë se ngjashmëri të situatës, ka ambicie të liderëve.

“Situata në Bosnjë e Hercegovinë gjithsesi ka ndikim në situatën në Kosovë dhe e kundërta, por jo pse ka ngjashmëri të ngushtë por pse ka ambicie të liderëve identikë. Liderët e Republikës Serbe, përkatësisht Serbisë, pretendojnë të unifikohet teritorri serb, ndërsa lideri kosovar, përkatësisht i Shqipërisë, si duket synojnë të njëjtën gjë, pa e humbur veriun e Kosovës. Pra, bosnjizimi po përdoret si pretekst i palëve për një qëllim tjetër” shprehet Beqaj.

Ndërsa profesori i të drejtës ndërkombëtare publike, Afrim Hoti, thotë për Syri Kosovën se nuk beson që rasti i  Asociacionit është peng i zhvillimeve në Bosnjë.

“Unë mendoj se çështja e Asociacionit edhe ashtu është e paqartë dhe nuk besoj që është peng i zhvillimeve në Bosnjë. Asociacioni është produkt i një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë e Kosovës, për të cilën ne kemi një pajtueshmëri të lidershipit kosovar. Në të njëjtën kohë nga gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, institucionet tona kanë dy zgjidhje.”

Sipas Hotit vendi ynë ka tri alternativa se si mund të veprojë karshi implementimit të kësaj marrëveshje e të mos kemi një bosnjëzim.

“E para; ta vendosin në tavolinën e negociatave dhe të rinegociohet kjo temë, gjithmonë nëse ka vullnet të dyanshëm.

E dyta; është të zbatohet, pra të të ecet më tutje pasi palët më herët veç kanë rënë dakord për këtë çështje dhe ekziston një marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar.

E treta; të denoncohet të hiqet dorë nga marrëveshja, por që kjo e fundit mund të sjellë efekte negative për Kosovën. Mendoj se më e mira e mundshme do të jetë sikur të arrihet një ujdi me palën tjetër që të rinegociohet dhe të vijmë deri tek sqarimi i gjithë statusit të Asociacionit” përfundon profesor Hoti për Syri.net.  

 Në anën tjetër, profesori Beqaj shkon edhe më larg, duke sqaruar hapësirat se si mund të ndikojë (mos)zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

“Mos themelimi i Asociacionit është anashkalim i një dokumenti të ratifikuar nga sovrani (Parlamenti i Kosovës) dhe mban portën hapur që të tjerët të mos e respektojnë sovranitetin e Kosovës. Fundja Gjykata kushtetuese Asociacionin e ka zhveshur nga kompetencat antikushtetuese dhe ekzekutive dhe mos zbatimi i Asociacionit lë të hapura tri mundësi: status-quon, ndarjen që nënkupton bashkimin dhe shkëmbimin e territoreve. Kjo do të shkaktonte pasoja të ndërsjalla, por edhe regjionale, ngase në çdo variant serbët aktualë do të mbesin në Kosovë apo në Shqipërinë (multi)etnike” deklaron Beqaj.

Ndërsa profesori i të drejtës kushtetuese, Përparim Gruda, tha për Syrin se Kosova ka shumë pak hapësirë t’i ikë obligimit për themelimin e Asociacionit, pasi kjo marrëveshje është ratifikuar edhe në Kuvend me 2/3 e votave.

"Kosova ka nënshkruar dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një në vitin 2013 dhe një në vitin 2015. E para është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave, e dyta, ndërkaq, nuk ka pasur nevojë të ratifikohet në Kuvend sepse ka qenë vetëm operacionalizim i dispozitave të marrëveshjes së parë. Me ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013, Kosova pranoi si obligim ndërkombëtar dhe kushtetues themelimin e Asociacionit. Kjo është kështu për shkak se Kosova bën pjesë në mesin e sistemeve kushtetuese evropiane që marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara i ka njohur fuqinë juridike mbi ligjin e zakonshëm dhe nën dispozitat kushtetuese. Në këto kushte, ka pak gjasa që Kosova të mund t'i ikë obligimit për themelimin e Asociacionit”.

Mos ‘dëgjimi’ i SHBA-së dhe BE-së nga qeveria mund të sjellë rrëzimin e saj

Mosrespektimin e sugjerimeve dhe marrëveshjeve që ka arritur Kosova në Bruksel e Uashington qeverisë së Kurtit mund t’i kushtojë me rrëzim të saj. Kështu të paktën po e sheh profesori universitar Behlul Beqaj, i cili ua sjell në kujtesë liderëve institucionalë se shtetësia e Kosovës erdhi bazuar në koordinimet ndërkombëtare.

“Gjykata kushtetuese nuk ka dalë kundër, ajo e ka pastruar Asociacionin nga elementet që bien ndesh me Kushtetutën, prandaj mosrespektimi i sugjerimit të SHBA dhe BE e sjell në dyshim ekzistencën e kësaj qeverie. Mos të harrojmë se shteti i Kosovës është produkt i zgjidhjes së koordinuar ndërkombëtare, prandaj mospërfillja e sugjerimeve të faktorëve ndërkombëtare sjell në dyshim ekzistencën e shtetit po aq sa edhe strukturat paralele që janë aktive në veri të Kosovës, e të cilat pushteti aktual po i toleron” thotë Beqaj për Syri.net

Çfarë përmban Asociacioni i Komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./A. ZH/ SYRI NET KOSOVA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco