Albin Kurti, mesazh Kosovës para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

Albin Kurti, mesazh Kosovës para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

10:55, 13/11/2021
A+ Aa A-

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është drejtuar sot me një mesazh, qytetarëve të Kosovës, një ditë para mbajtjes së raundit II të zgjedhjeve lokale. Në mesazh thuhet:

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kosovës,

Përgjatë këtyre ditëve të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kemi qenë bashkë. Jemi takuar në shumë takime e tubime e diku edhe nuk kemi arritur. Koha është resurs i kufizuar. Për gjithë këtë mbështetje që ia keni dhënë Lëvizjes VETËVENDOSJE! unë ju falënderoj tej mase.

Ju na dhatë mundësinë që të jemi në balotazh në 12 komuna. Ky është një shans i madh për Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Dardanën, Vitinë, Gjakovën, Rahovecin, Kaçanikun, Shtimen, Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Besianën. Në këto Komuna, votuesit tanë e kanë ngacmuar mentalitetin e vjetër dhe nesër më 14 nëntor është koha që ta zëvendësojnë krejtësisht, me një mundësi të re. Kjo është rruga e VETËVENDOSJE!-s.

Në Prizren e Besianë duhet të vazhdohen punët e mira që kanë nisur dhe të kryhen shumë të tjera. Kurse në 10 komunat e tjera ku kandidatët e Lëvizjes janë në garë, qytetarët po duan t’i heqin rropullitë nga qeverisja e stërgjatë me përplot gabime. Mjaft më! Askush nuk po do të kthehet në të kaluarën e errët komunale.

Koha është që t’i bëjmë zgjedhjet e duhura. Të vendosim për qytete të jetueshme, plane të zbatueshme e projekte të dobishme për qytetarët.

Niveli komunal e ka maskuar keqpërdorimin nën petkun e asaj që korrupsioni ndodh më shumë lart, atje larg në institucione qendrore. Sikurse shumë punë të mira e me ndikim që mund të ndodhin vetëm në nivel lokal ku zhvillohet shumica e jetës sonë, edhe një pjesë e korrupsionit zhvillohet pikërisht nëpër Komuna. Prandaj, është e rëndësishme që kjo të ndalet siç është ndalur në nivelin qendror. Ky është hap i domosdoshëm për t’i hapë rrugë zhvillimit mëpastaj.

Komuna, kryetarët tonë të zgjedhur, kabineti dhe asambleistët do të jenë infrastruktura lehtësuese për përmirësimin e jetës. Këtu është qëllimi i politikës sonë - jeta. Siguria, qetësia, zhvillimi, atraksioni, lëvizja, shërbimi, kujdesi. A nuk janë këto mbështetje jetësore? Këto i synojmë në këto zgjedhje dhe kjo nuk është pak. Politikat lokale mund të bëjnë më së shumti dhe e kanë ndikimin më të shpejt e direkt te jeta e qytetarëve. Prandaj janë të rëndësishme. Prandaj edhe këto zgjedhje janë të tilla. Prandaj kemi më shumë se 144 arsye që ta votojmë këtë numër të dielën.

Këto zgjedhje mbyllin këtë cikël fitoresh të VETËVENDOSJE!-s. Na bëjnë edhe më të qëndrueshëm, më të përkushtuar e angazhuar sepse na obligojnë më shumë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco