A ja ka arritur qëllimit ndërhyrja ruse në Shqipëri?

A ja ka arritur qëllimit ndërhyrja ruse në Shqipëri?

17:11, 12/11/2021
A+ Aa A-

Vetë titulli merr të mirëqenë faktin se në Shqipëri ka një ndërhyrje ruse, e cila është e pranishme në të gjithë Ballkanin, diku më shumë e diku më pak, pra diku më të suksesshëm e diku më pak. Pavarësisht mendimeve të ndryshme, në sasi dhe cilësi, të gjithë bien dakord dhe një gjë është e sigurtë: Rusia kurrë nuk ka munguar në Ballkan. Ndërhyrja ruse në Ballkan ka variuar që nga ato ushtarake, politike, ekonomike, kulturore dhe çdo gjë tjetër që përfshin kjo gamë.

Fillimisht dy fjalë për mënyrën e funksionimit të sistemit. Një nga metodat më efikase të ndikimit, që përdoret në Ballkan, është ai përmes keqinformimit, i cili ndahet në tre faza.

1. Identifikimi i një problemi real (të natyrshëm dhe normal për një shtet) në vendin e shënjestruar për keqinformim;

2. Përcaktimi i palëve që do të përfshihen dhe anët që do të mbajnë; dhe

3. Keqinformimi duke zmadhuar/zvogëluar problemin sipas synimit përfundimtar.

Sipas studimit të kryer nga Qendra e Komunikimeve Strategjike të NATO-s (STRATCOM) në Ballkan, fenomeni i keqinformimit mjetet keqinformuese të lidhura me Kremlinin kanë synuar ndarjen e opinionit publik në atë pro-perëndimor dhe atë pro-lindor.

Një tjetër gjetje e këtij studimi ishte edhe fakti që keqinformimi ka synuar që aktorëve më pro-amerikanë, t’i krijohet një profil sa më negativ duke i paraqitur si njerëz të korruptuar, destabilizues për rajonin dhe të lidhur me krimin. Stigmatizimi i tillë i aktorëve pro-amerikanëve ka qenë shumë i pranishëm në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shtetet më proamerikane në rajon, krahasuar me Serbinë, Bosnjen dhe Serbinë, pavarësisht se për këto të fundit raportet vjetore tregojnë një nivel shumë më të lartë të korrupsionit, veprimtarive destabilizuese dhe krimit të organizuar.

Largimi i investimeve perëndimore dhe afrimi i investitorëve të lidhur drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë me Kremlinin, është një strategji tjetër e ndjekur për të qenë të pranishëm edhe ekonomikisht, e cila si pasojë sjell dhe ndikime në fusha të tjera. Në Ballkan vihet re një mungesë e theksuar e investimeve perëndimore dhe një rritje të investimeve të kompanive të cilave nuk i dihet origjina për shkak të statutit të tyre off-shore.

Euroskepticizmi është një armë tjetër në duart e Kremlinit. Sipas të njëjtit studim të lartë përmendur, Kremlini i paraqet këto vende se me aspiratën e tyre për t’u bërë pjesë e BE-së, ata po humbasin sovranitetinduke u gjunjëzuar përballë kërkesave të BE-së.

Për ta kuptuar më mirë, thelbi i mesazhit që Kremlini dëshiron të përçojë tek këto vende është: pro-amerikanët janë të korruptuar, destabilizues dhe të lidhur me krimin, ndërsa aspirata për në BE po ju çon drejt humbjes së sovranitetit.

Pra a është e kënaqur Rusia me gjendjen në Shqipëri? Le t’i përgjigjemi pyetjes, titullit të këtij shkrimi, me tre pyetje, përgjigjet e të cilave mund t’i jepni edhe vetë.

1. A ka arritur keqinformimi në Shqipëri që të paraqesë aktorët më pro-amerikanë në Shqipëri si të lidhur me krimin, të korruptuar dhe destabilizues për rajonin?

2. Cili është niveli i investimeve të kompanive perëndimore në Shqipëri?

3. A është rritur euroskepticizmi, në nivelet më të larta shtetërore dhe ato shoqërore? /D. K

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco