VIDEO- KAFE SHQETO/ Holandezin e kapin prej leckash para kryeministrisë/ Açka: Më tha 'ju jeni shtet fashist'

VIDEO- KAFE SHQETO/ Holandezin e kapin prej leckash para kryeministrisë/ Açka: Më tha 'ju jeni shtet fashist'

12:42, 11/11/2021
A+ Aa A-

Një incident ka ndodhur dje në qendër të Tiranës, në momentet e pritjes nga Kryeministri Edi Rama të homologut të tij holandez Mark Rutte. Një qytetar holandez që ishte rastësisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u afrua për ta parë nga afër kryeministrin e vendit të tij, por oficerë të Policisë shqiptare që kishin rrethuar zonën, e shtynë dhe e flakën tutje “prej leckash”, do të thoshte dikush.

Këtë incident e tregoi sot shkrimtarja dhe publicistja Flutura Açka në studion e “Kafe Shqeto”, për të përcjellë përshtypjen e hidhur që la Policia e Shtetit, edhe tek miku i saj holandez: “Ju keni polici fashiste. Ju keni shtet fashist”. Këto kishin qenë fjalët e vetme që nxori nga goja, i huaji, i tronditur.

Zonja Açka u ftua në emision për të dhënë opinionin e saj tashmë edhe si politikane e re, deputete e PD, pas një emërimi të habitshëm të ish-kreut të Policisë, Ardi Veliut, në krye të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës. E thelbi ishte: a jemi ne një shoqëri ku individi vlerësohet në një pozicion të caktuar, falë vlerave të tij personale apo bazuar mbi pasurinë, pushtetin a familjen nga e cila vjen?

Intervista me shkrimtaren dhe publicisten Flutura Açka, deputete e PD-së.

Kafe Shqeto: Ishte spunto e pashmangshme, provokim, emërimi i Ardi Veliut nga Policia e Shtetit, si Zv.ministër i Infrastrukturës. Ç’ndodh me një qeveri që është angazhuar në propagandë dhe bën nga ana tjetër veprime të tilla, një reminishencë që menduam se ishte e  kaluar, përveç shërbimit politik?

Flutura Açka: Historia e z. Ardi Veliu është pak a shumë e ditur. Nuk ka lidhje thjesht me opozitën, por me raportet me gjithë shoqërinë shqiptare. Kini parasysh protestat, gazin, që kanë qenë të gjitha jo vetëm shërbime, por të kalkuluara në tryeza për të mbajtur protestat, për të cenuar fjalën e lirë, gjithçka e për të shkuar pastaj, për t’i dhënë atë dorën e fundit të zezonës. Kështu po e quaj, “zezonë”, se e gjithë historia e Ardi Veliut në Policinë shqiptare është një zezonë e gjatë…Për ta mbyllur pastaj karrierën e tij të shëmtuar në Elbasan...

Ardi Veliu nuk u tregoi shqiptarëve nëse e mbylli dosjen, çfarë ndodhi në të vërtetë, por i gënjeu botërisht në një konferencë për shtyp tre ditë përpara zgjedhjeve, kur ai gënjeu hapur se në makinat e kriminelëve nuk ishin gjetur fare të dhëna, fotografi, lista, para e gjithçka tjetër, postera të kandidatëve të Partisë Socialiste, nuk ishin gjetur materiale që kompromentonin zgjedhjet, sepse, po ta kishte thënë këtë gjë, zëre se ia jepte në dorë opozitës, zgjedhjet. Por ai ishte vendosur aty për të mos ia dhënë, për t’ia rrëmbyer, për t’ia dhënë Edi Ramës në tavolinë dhe Ardi Veliu (sigurisht ky ishte një zullum i madh, se nuk ishte vetëm një Ardi Veliu. Kini parasysh konferencën e shtypit ku ishin 3-4 vetë, ishte edhe një prokuror. Edhe prokurori e kaloi vetingun. Mund të ketë arsye që të jetë i pastër dhe ta ketë kaluar, por unë kam gjithë të drejtën të dyshoj se për shkak të gënjeshtrës e ka kaluar Vetingun.

Kafe Shqeto: : Zonja Açka, megjithatë do të donim, përveç rastit të Ardi Veliut, ta shihnim pak më gjërë këtë...Flas për një tjetër zëvendësministre, kolege e z. Veliu, Avokaten e Shtetit që pasi u humbi 400 milionë euro shqiptarëve në gjyqet e shtetit shqiptar në Arbitrazh, në vend që të pushohet nga puna si juriste e paaftë, promovohet si Zv.ministre. Mos na ka dalë meritokracia nga kontrolli?

Flutura Açka: ...ose rikthimi i Arben Ahmetaj. U përfol nga opozita, u shmang një farë kohe, u rikthye prapë.

Kafe Shqeto: : ...apo i Ilir Beqajt.

Flutura Açka: Njerëz që shkojnë e vijnë…sigurisht. Nuk kishte dhënë llogari për atë që ishte akuzuar njëherë, që të harrohej. I heqin nga një pozicion i lartë, që të harrohet një sekondë, të fashiset frustrimi shoqëror për një individ të caktuar që nuk është përgjegjës për detyrën e tij.

Nëse më pyesni për meritokracinë e shtetit shqiptar, vetëm fakti që të rinjtë shqiptarë të diplomuar, të arsimuar, të kualifikuar, nuk zënë dot pozicione pune po nuk u atashuan në një parti, do të thotë se çështja e meritokracisë ka rënë në këtë vend. Pse ikin të rinjtë?! Sepse nuk e gjejnë dot veten. Është një rast së fundi i një kirurgu të mrekullueshëm në Elbasan, djalë i ri, që në sistemin e pikëzimit ka më shumë se gjithkush tjetër dhe ai nuk mund të emërohet në Elbasan, e dërgojnë diku tjetër kur mund t’u shërbejë vërtet qytetarëve të Elbasanit, sepse ai njeri nuk është brenda “rrethit”.

Kafe Shqeto: : Situata e rendit e kompromentuar pikërisht nga këto emërime nepotike dhe shkatërrimi i Policisë, a e ka bërë shoqërinë shqiptare të jetë komplet ndryshe nga ç’duhet të ishte sa i takon rendit dhe sigurisë?

Flutura Açka: Unë po ju jap vetëm një rast të thjeshtë, të djeshëm, që të kuptoni se çfarë ka ndodhur me Policinë e Shtetit. Dje ka ardhur për vizitë Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe sigurisht u bë një ceremoni. S’ka nevojë që të bëhet një kast me policë i atillë, se pse prej kujt ruhen këta njerëz?!

Në Holandë, Rutte ecën me biçikletë rrugëve dhe s’e ngacmon kush. Po nejse. Një qytetar holandez m’u ankua mbrëmë se ishte afruar aty afër gazetarëve në mënyrë që të shohë kryeministrin e vet që paska ardhur në Shqipëri. Qytetarë holandez që u ndodh në Shqipëri. E kanë kapur për leckash, sa në një cep, në një cep, në mënyrë të dhunshme. Të dhunshme. Policia dje, përpara Kryeministrisë. Dhe në fund pastaj, kur e takova në mbrëmje, më tha: “Ju keni një polici fashiste. Ju keni një shtet fashist!” Kaq. Çfarë doni më shumë? Kush ia dha këtë frymë Policisë shqiptare?!

Një njeri, një qytetar i zakonshëm, një i huaj që ka dëshirë të shohë kryeministrin e tij, kur andej e  thërrasin publikun të jetë i pranishëm, sepse s’mund të ketë kryeministër me kaq distancë me njerëzit. Vetëm këtu kryeministrat janë me antiplumb, me gjithfarë policie, me gjithfarë skafandrash. Ç’janë këta njerëz që distancohen nga publiku? Këta janë thjesht njerëz për të marrë ca para katër vjet, bashkë me Ardi Veliun duke i ndihmuar ai, duke ua sjellë zgjedhjet në tavolinë dhe ky është shpërblimi që i është dhënë.

Prandaj rrugët tona janë kështu siç janë. Maksimimumi hapen rrugët, sepse i drejton Ardi Veliu. Njëherë Policinë, i hap gropa Policisë dhe e kthen në Polici fashiste dhe lë frymën e tij e s’ka Nano e njeri ta ndryshojë Policinë shqiptare dhe tani e çojnë atje që të vjedhë edhe rrugët, të shkatërrojë edhe rrugët shqiptare. Kjo ëhstë meritokracia dhe ky pushtet që ndërtojnë këta./ar/sh/SYRI.NET

Ndini intervistën e plotë në videon e “Kafe Shqeto”

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco