‘Veliaj fshehu vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë’, Këlliçi: 50 mln euro të vjedhura nga inceneratorët

‘Veliaj fshehu vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë’, Këlliçi: 50 mln euro të vjedhura nga inceneratorët

17:00, 10/11/2021
A+ Aa A-

Deputeti i PD Belind Këlliçi ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë, duke i akuzuar se kanë vjedhur 50 milion euro në inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.

Gjithashtu Këlliçi iu rikthye edhe njëherë akuzave në drejtim të Veliajt si përgjegjës i vrasjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

‘Në 7 gusht të vitit 2016 ky i ri minoren punonte në landfillin e Sharrës i pasiguruar, në të zezë dhe humbet jetën në mënyrë tragjike’, shprehet Këlliçi në Komisionin e Inceneratorëve.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Sot në Komisionin e Inceneratorit.

Ju ftoj ta ndiqni deri në fund.

Pas vjedhjes se inceneratorit të Elbasanit dhe inceneratorit të Fierit prej 50 mln euro, vjen momenti që vijmë tek skena e krimit që është landfill I Sharrës në Tiranë ku historia nis në fakt në 7 gusht, se këtu nuk kemi media ne. Sa herë flasim për Ardit Gjoklajn nuk ka media prezente. Në 7 gusht të vitit 2016 ky i ri minoren punonte në landfillin e Sharrës i pasiguruar, në të zezë dhe humbet jetën në mënyrë tragjike. Menjëherë kemi deklarata publike që mund t'i verifikoni të kryetarit të bashkisë, Erion Veliajt që mohon ekzistencën e këtij djali të punësuar në landfillin e Sharrës dhe vetëm 10 ditë më pas rrjeti investigativ BIRN që unë gjej rastin ta falenderoj bën publike një foto tjetër të vëllait të të ndjerit, unë kam detyrim njerëzor dhe moral t'i shfaq sot sepse ka një çensurë të frikshme në lidhje me këtë ngjarje krimiale, me këtë vrasje që ka ndodhur në landfillin e Sharrës ku vëllai i Ardit Gjoklajt vetëm 10 ditë më pas pozon me uiformën që thotë "Bashkia Tiranë" të Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Pse i përmenda këto dy foto dhe pse i bëra publike: e para sepse refuzon media t'i bëjë publike dhe duket sot që mungesa e mediave pasqyron në fakt paranë e madhe që është hedhur për të çensuruar fjalën e kujtdo dhe për të çensuruar këdo deputet apo qytetar të lirë që ngre zërin në lidhje me këtë mega aferë, në lidhje me këtë mega vjedhje të 30 viteve. Vetëm ditën e djeshme ju keni parë madje dhe nje media kombëtare që ka nisur një dokumentar për historinë e suksesit për landfillin e Sharrës, por do kemi mundësinë të shkojmë dhe më gjerë në këtë histori suksesi që ka të bëjë vetëm me një sukses, vjedhjen e taksapaguesve shqiptarë dhe atyre të Tiranës. Çfarë ndodh, në shtator të 2016  kryetari i bashkise Tiranë del dhe njofton me pompozitet se po përgatitet që në Tiranë, në bashki do të vijë një kompani e madhe prestigjoze hollandeze e cila do merret me trajtimin, grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, do të ndërtojë një incenerator dhe bazuar në eksperiencën e saj të jashtëzakonshme në këtë fushe do të punësojë qytetarë nga zona e Kombinatit dhe nga kryeqyteti dhe do të bëjë një investim model në kryeqytet. Tani, pa u ngrohur ende mesa duket, nga dy PPP-të e fituara në Elbasan dhe në Fier ky projekt i ofrohet ministrisë së mjedisit në vitin 2016 për një incinerator të ri  në Tiranë me vlerën 128 milion euro. Ministria e Mjedisit kthen përgjigjen pozitive në 28 gusht 2016 dhe vetëm tre ditë më pas në tavolinën e ministrit të atëhershëm vjen propozimi i kompanisë Integrated Energy BV, pra kjo kompania hollandeze e cila kishte eksperiencë, që ishte prej vitesh në këtë fushë dhe operonte në pronësi të Klodian Zotos, që në këtë rast paraqitet si hollandez. Tani këtu vlen të përmendim dhe faktin që Klodian Zoto është i njëjti person që së bashku me Mirel Mërtirin dhe me partneren e Mirel Mertirit, Stela Gugallja kanë marrë para në inceneratorin e Elbasanit, kanë marrë para në inceneratorin e Fierit dhe shfaqen sërish së bashku me Ernesto Granelli, italianin e famshëm të inceneratorëve në skemën e inceneratorit të Tiranës. Ky projekt i propozuar përcakton që do të punohen 700-800 ton mbetje, pra rreth 292 mijë ton mbetje në vit me një sipërfaqe sheshi diku tek 120 hektar për një periudhë 30 vjeçare.

Në 5 shtator 2016 lëshohet urdhëri nga ministria e mjedisit për ngritjen e komisionit të koncesionit dhe më pas ish ministri Lefter Koka i dërgon shkresa zyrtare ministrisë së financave, të drejtësisë dhe asaj të energjitikës. Në prill 2017, qeveria shqiptare me VKM i jep një bonus prej 6 pikësh kompanisë Integrated Energy BV, meqë na kishte propozuar një ofertë të pakërkuar dhe në datë 24 prill shpallet në buletinin e prokurimit publik tenderi i hapur për PPP. Kjo ndodh 16 ditë përpara përfundimit të dorëzimit të ofertave. Në qershor 2017 pasi u shpall gara për një koncesion të pakërkuar ai fitohet sigurisht nga kompania e veteme në garë, Integrated Energy BV, nga hollandezi Klodian Zoto me vlerë 128 mln euro pa tvsh. Kompania si në rastet e tjera kishte një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh dhe administrohej nga Klodian Zoto që njëkohësisht administron dy kompanitë e tjera të lidhura me inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit. Edhe këtu pavarësisht se në rastin e inceneratorit të Tiranës ka një përmirësim në procedura, në mënyrën se si janë vjedhur paratë me procedurë. Sepse në rastin e Elbasanit është flagrante, në rastin e Fierit gjithashtu flagrante. Në rastin e Tiranës nuk ka patur faj i ndjeri Pjetër Arbnori kur thonte se nuk janë socialistë por janë specialistë. Vjedhja sigurisht është ngritur në një stad tjeter. Por kjo kompani themelohet në 31 gusht 2017 dhe fiton po atë ditë kontratën 128 mln euro. Nëse ka një shqiptar kudo në botë që del e thotë se njeh një rast të ngjashëm për një kompani të tillë, unë tërhiqem,  kërkoj ndjesë dhe falje publike për këto deklarata qe po bëj sot. Në lidhje me procedurat vemë re se kontrata për inceneratorin në rastin e Tiranës është për të gjithë qarkun e Tiranës dhe sipas dokumentave rezulton se ministria e mjedisit njeh për kryetar të qarkut të Tiranës dhe jo si kryetar bashkie Erion Veliajn. Pse? Sepse inceneratori i Tiranës në parim duhet të trajtojë mbetjet e bashkisë Tiranë, Bashkisë Kamëz, Bashkisë Vorë dhe Bashkisë Kavajë dhe në këtë rast pyetja ime lind se pse nuk është marrë mendimi i tre kryetarëve të tjerë të bashkive të asaj periudhe. Pavarësisht faktit që leja mjedisore është anulluar, sërish kompania, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, me Erion Veliajn, me Arben Ahmetajn, me të gjithë miqtë e tyre vijon të paguhet. Unë dua të theksoj edhe faktin që sot të gjithë qytetarët e Tiranës paguajnë 51 mijë euro në ditë për pastrimin e qytetit dhe për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Kjo skemë kriminale ka shkuar edhe në rritjen e tarifave me rreth 15% e taksave vendore për pastrimin e qytetit dhe plani ogurzi i kësaj mazhorance për të vjedhur vetëm në rastin e -- sepse vlera shkon 430 milionë euro në inceneratorin e Tiranës -- konkretisht, kosto e ndërtimit është 131,248 euro dhe kosto e operimit 299,399 euro. Pavarësisht kësaj, ka edhe një plan tjetër ogurzi, sepse në Prill të 2020 Bashkia Durrës mbushet nga plehrat, gjithë qytetarët janë dëshmitarë, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur landfillin e Porto Romanos. Ndërkohë që Bashkia Durrës kishte planifikuar ndërtimin e disa landfilleve të tjera në zonën e Sukthit që nuk realizohen. Edhe pse dëgjoj pëshpërima në këtë që po them, mund të citoj vendimin e KKT-së, nr.6, datë 12 Janar 2020, për miratimin e lejës së infrastrukturës, mbyllja dhe depozitimi i lëndëve të ngurta dhe ndërtimi i Eco Park me vendndodhje në Bashkinë Durrës. Ka një arsye se përse bëhet kjo: sepse Bashkia Durrës asgjëson rreth 75 mijë ton mbetje për vit, dhe tarifa vjetore e koncesionarit të Sharrës është 3 milionë euro, që për 20 vite do të shkojë 60 milionë euro. Më tej, dihet presioni që është aplikuar mbi bashkinë Durrës  dhe flitet nga kryeministri z. Rama që shpresoj ta kemi mundësinë ta pyesim vetë, për të nënshkruar një kontratë me inceneratorin e Tiranës, për të inceneruar edhe mbetjet e Durrësit. Në qershor 2021, inceneratori i Tiranës refuzon që të marrë plehrat nga bashkia Durrës duke i lënë ato në kontenierë dhe duke e kthyer Durrësin në mënyrë të qëllimtë në një qytet të mbushur me plehra në fillim të sezonit turistik, dhe në mbledhjen e qershorit 2021 të Këshillit Bashkiak u vendos që Bashkia Durrës t'i kërkojë qeverisë financimin dhe ndërtimin e një stacioni transferimi për plehrat, gjithashtu subvencionimin e tarifave për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Në gusht 2021, para pak muajsh, qeveria shqiptare miratoi një fond prej 32 milionë eurosh nga taksat e shqiptarëve për të mbështetur Bashkinë e Durrësit, që kjo e fundit të paguajë inceneratorin e Tiranës. Sipas të dhënave, edhe 2 minuta zonja kryetare, edhe 2 minuta... Edhe 2 minuta se nuk ndërpreva asnjë njeri. Nuk ju ndërpreva zonjë. Patjetër, po dal në fund.

Mos u shqetëso se u shqetësove shumë! Ç'ke? Se e shoh që je shqetësuar. Mos u shqetëso, nuk të ndërpreva zonjë! Unë fjalën këtu do e çoj deri në fund, kemi 5 vite që çensurohemi ne këtu. Mua mos ma ndërpri fjalën se nuk ta ndërpreva fjalën. Ku i ke mediat këtu? Ku i ke mediat? Ku janë live? Më lër të mbaroj fjalën! Jo, do dëgjosh, siç të dëgjova edhe unë ty. Sipas të dhënave nga vetë ministria e mjedisit rezulton se inceneratorët e ndërtuar në Fier, në Tiranë dhe Elbasan janë aq të mëdhenj sa që duhet të furnizohen me plehrat e rajonit për të përmbushur nevojat e kapaciteteve të tyre. Nëse inceneratori i Elbasanit do të punojë vetëm në Elbasan me kapacitet të plotë, do të incenerojë çdo mbetje që shkon në incenerator dhe kapaciteti është për 4.3 milionë banorë. Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut së bashku. Tani imagjino nëse do funksionojnë me kapacitet të plotë të tre inceneratorët. Znj kryetare, në përfundim të fjalës time, unë do të kërkoja që ne të na jepet mundësia që të thërrasim si dëshmitar, dhe për të kërkuar provat e reja dhe faktet duke nisur nga gazetarja Aleksandra Bogdani, nga rrjeti investigativ BIRN, e cila është e para që ka shkruar për këtë çështje dhe ka publikuar dhe fotot që unë përmenda, media të tjera, drejtues të mediave që kanë pasur kurajo të bëjnë transparencë për këtë megaaferë, duke nisur nga media Ora News, tek Syri TV, dhe tek CNA.al, ish kryetarët e bashkive të qarkut Tiranë, kur është nënshkruar kjo kontratë, komisioninn e vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Mjedisit, kryetarin e këshillit bashkiak të Tiranës në periudhën kur është nënshkruar kjo marrëveshje dhe grupin e punës së KLSH, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe voluminoze për të hedhur dritë mbi këtë aferë që rëndon për 30 vite xhepat e taksapaguesve të Tiranës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco