VIDEO/ 'Kë do të marrë ky lumë?' Zall Gjoçaj pret verdiktin e gjykatës për HEC-et që po thajnë burimet

VIDEO/ 'Kë do të marrë ky lumë?' Zall Gjoçaj pret verdiktin e gjykatës për HEC-et që po thajnë burimet

14:17, 10/11/2021
A+ Aa A-

Shihi këto fotografi më parë e pastaj na ndiq.

"Preken 15 fshatra nga ndërtimi i këtij HEC-i në Mat. Dhe sapo kanë filluar pasojat e rrjedhjes së lumit. Burimet kanë filluar të shterojnë, siç është kroi i Kolës, kroi i Gjoçajve, kroi i Dajçit e për një periudhë të shkurtër, ndërprerja e lumit do të ndërpresë edhe ujërat nëntokësore që furnizon ky lumë."

Sot është dita vendimtare kur banorët e një fshati të vogël në Mat, Zall Gjoçaj, presin vendimin e gjykatës në Tiranë për betejën e tyre 3-vjeçare kundër ndërtimit të dy HEC-eve në Sekë dhe Zais, që po ua vjedhin lumin, po ua marrin ujin e bashkë me të, po shkretojnë jetën në 15 fshatra.

Dhimitër Koleci, banor i fshatit dhe mbrojtës i kauzës, shkoi pranë Gjykatës së Apelit për të mësuar vendimin, ndërkohë që qetësisht tha se sido që të jetë vendimi, ata asgjë nuk do t’i ndalë dhe do ta çojnë çështjen deri në gjykatat ndërkombëtare. Paralalisht, denoncimi i fshatit kundër Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij që firmosën ndërtimin e HEC-eve dhe futjen e lumit në tubacione, ka shkuar në SPAK.

Ndërkohë, avokatja Dorina Ndreka, në të njëjtat “ethe” pritjeje, ka dalë në studion e “Kafe Shqeto” për të sensibilizuar opinionin për betejën e pazakontë të qindra familjeve matiane, të cilave po ua than burimet, qeveria e tyre.

Dori: Zonja Ndreka  para cilit vendim jemi dhe si duken gjasat deri në këto momente?

Av. Ndreka: Vendimi që në presim sot është vendim i Gjykatës së Apelit. Nëse është pozitiv do të jetë finalizim i një kalvari trevjeçar për banorët, i rezistencës së tyre stoike përballë ndërtimit të HEC-it. Ne jemi optimistë, sepse në shkallën e parë gjykata na ka dhënë të drejtë, ka vendosur ta shfuqizojë liçencën që ERE i ka dhënë subjektit prodhues për HEC-in që ndodhet në zonën e Parkut Kombëtar. Kështu që ajo që kërkojmë ne nga Gjykata e Apelit është që të lërë në fuqi atë që ka konstatuar me të drejtë,shkeljet ligjore, edhe Gjykata e Shkallës së Parë.

Flavio: Falenderues ndaj gjykatës duhet të jenë vetëm banorët e Zall Gjoçajt si zoti Koleci, vendim i cili ndan jetën apo vdekjen edhe pse nuk duket aq dramatike në letër, po aktivistët, gjeologët, ambientalistët, kanë thënë që e gjithë jeta juaj shkatërrohet, i gjithë sistemi juaj që nga bujqësia e deri tek banesat, shkatërrohet nga ndërtimi i këtij HEC-i. Si ndiheni sot, për çfarë jeni gati?

Image

Dhimitër Koleci: Nuk kemi frikë fare, presim një gjykim të drejtë nga gjykata që të zbatohen vetëm ligjet shqiptare e asgjë më tepër. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë edhe nëse gjykata nuk do të marrë një vendim në favorin tonë. Do ta vazhdojmë betejën në shkallët e tjera e deri në gjyqet ndërkombëtare. Zall Gjoçaj sot është nën pushtimin e HEC-eve, fadromave, dinamitit , shpërthimeve dhe betonit. Është Park Kombëtar, është pasuri kombëtare. Të gjitha lejet që janë dhënë atje janë në shkelje të plotë me ligjin. Është paralizuar gjithë jeta atje, lugina është tharë, pa pikën e ujit

Kemi tre vjet në gjykata e protesta dhe firmës i jepet kohë që të vazhdojë masakrën , ta përfundojë masakrën dhe pastaj të thotë që është fakt e kryer e çfarë të bëjmë më.

Edhe ne kemi tre padi në gjykatë dhe një në SPAK. Të gjitha institucionet shtetërore për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e tyre do të japin llogari përpara drejtësisë dhe ne presim vetëm drejtësi, asgjë më shumë.

Dori: Ju si komunitete banorësh e keni quajtur “një genocid” atë që po ndodh në zonën tuaj dhe sigurisht me devijimin e ujit. Si e prek jetën tuaj të përditshme kjo që po ndodh?

Image

Dhimitër Koleci: Pasojat janë shkatërrimtare, janë totalisht që largojnë popullsinë nga zona. Është ndërprerë rrjedha e lumit dhe lumi është tharë pa pikën e ujit. Pa ujë s’ka jetë, janë prishur mullinjtë, të gjitha inertet janë hedhur në lumë. Të gjitha fshatrat që preken nga ky ujë janë pa pikën e ujit sot dhe njerëzit do të detyrohen të largohen nga zona. Ne atje kemi kujtime, kemi shtëpitë, kemi tokat, jemi rritur në atë lumë, kemi pirë ujë në atë lumë që sot nuk ekziston. Dhe më e keqja është se është në Park Kombëtar që me ligj nuk duhet të preket.

Preken 15 fshatra nga një HEC i tillë. E gjithë lugina 25 km mbetet pa pikën e ujit. Sepse Zall Gjoçaj nuk ngjet si në gjithë Shqipërinë. Në Zall Gjoçaj ndërpritet përjetësisht rrjedha e lumit, duke devijuar me tubacione nëntokësore dhe tunele 4 km dhe uji largohet përjetësisht nga rrjedha e vet.

Sapo kanë filluar pasojat e rrjedhjes së lumit. Burimet që ndodhen më poshtë lumit kanë filluar të shterojnë, siç është kroi i Kolës , kroi i Gjoçajve, kroi i Dajçit. Janë në shterim të plotë dhe për një periudhë të shkurtër, ndërprerja e lumit do të ndërpresë edhe ujërat nëntokësore që furnizon ky lumë. Tuneli ka ndërprerë edhe rrjedhën nëntokësore të kësaj zone. Brenda vitit do të jetë një katastrofë për gjithë fshatrat./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Esmeralda 10/11/2021 15:09

Ja shikoni burimin e priftit ne benje eshte thare nga shkatërrimet qe u bene nga hecet e qeverise mafioze te edi Rames

Shto koment

Denonco