Genc Pollo: Duhet një projekt i ri në opozitë që të mobilizojë qytetarët

Genc Pollo: Duhet një projekt i ri në opozitë që të mobilizojë qytetarët

11:46, 10/11/2021
A+ Aa A-

Ish-deputeti dhe një ndër themeluesit e PD-së, Genc Pollo gjatë një interviste shprehet se duhet një projekt i ri në opozitë që të mobilizojë qytetarët.

Sipas tij, pas 25 prillit u bënë gabime, por më e rëndësishme është korrigjimi i gabimeve.

‘PD duhet të shprehet për vetingun; zgjatja e afatit të këtyre komisionerëve mbetet opsioni më i keq’, u shpreh Genc Pollo gjatë intervistës së tij.

Më poshtë intervista e Genc Pollos:

Pyetje: Zoti Pollo, së fundmi ju keni shkruar se është gabim që të zgjatet edhe disa vjet mandati i komisionerëve të vetingut dhe thoni se partia juaj duhet të refuzojë amendamentin kushtetues të PS-së.

GP: Kështu mendoj bazuar në sa e njoh procesin. Do t'ju rekomandoja edhe një studim të Fakultetit të Drejtësisë/UT  të publikuar së fundmi që ka gjetur p.sh. dopio standarde e standarde retroaktive (dmth kërkon për transaksionet e  v 1995 fatura e kontrata si të ishin të v. 2019). Prandaj mua më duket opsioni më i keq. Por gjithsesi ky është mendimi im, ndërkohë që ka njerëz me njohje më të plotë të vetingut e që nuk po flasin se askush nga politika nuk i fton për të folur.

Pyetje: Sikur po fillon debati në PD. Zoti Spaho lypi sqarime në grup parlamentar.

GP: Kolegët e nderuar këto ditë kanë folur gjerë e gjatë për ‘Akademinë e Barinjve’ që njoftoi qeveria. A thua se po rithemelohej Akademia e Platonit pas 24 shekujsh! Ajo shkollë barinjsh edhe po u bë keq do dëmtojë taksapaguesin sa 0,3% e një PPP-je abuzivo-korruptivo. Dhe një shkak që keto PPP vazhdojnë (shihni: pa zhurmë e bujë e riaktivizuan koncesionin Thumanë-Kashar!) është edhe gjendja e drejtësisë përfshi edhe paralizimin e drejtësisë nga vetingu. Prandaj duhet debat publik për të arritur zgjidhjen më të mirë. Se me marrëveshja mbas kuintave kemi arritur gjithmonë zgjidhjen më të keqe për publikun e më të leverdishme për pushtetin.

Pyetje: Gjithësesi mazhoranca thotë se do e dergojë për mendim në Venecia...

GP: Në Komisionin e Venecias dërgohen për opinion projektligjet që  rezultojnë komplekse, janë sensitive ose kundërshtohen fuqishëm. Asnjë nga këto kushte nuk përmbushet: 1-Shpjegimet zyrtare të PS për zgjatjen e vetingut deri 2024 janë arsye pa arsye të ngjeshura në tre faqe format A4. Mungojnë analizat, studimet e konsultimet; Nuk duket sensitive sepse PD po shkëlqen me heshtjen e saj. Apo me mosqenien e saj. Në këto kushte në Venecia vetëm do të habiten e do të qeshin.

Pyetje: Ju flisni për paralizë të drejtësisë nga vetingu që lejon vazhdimin e PPP-ve. Por SPAK është vetinguar apo jo?

GP: Ashtu është! Por barra e shpjegimit bie mbi SPAKun për dopio standardet e dukshme: Kur një deputet socialist tha një gjysmë akuze për abuzime në bashkinë Fier SPAK-u brenda javës vajti atje e njoftoi sekuestrimin e dokumenteve. Kurse për rastin e inceneratorëve, të denoncuar prej më shumë se dy vjetësh nga PD, nuk ka bërë asnjë hap e asnjë njoftim. Ndërkohë që dëmi financiar në këtë rast nuk ka të krahasuar edhe me totalin e abuzimeve në të gjitha bashkitë e vendit. Ndërsa shkeljet ligjore të dënueshme penalisht i gjen kollaj në Gazetën Zyrtare.

Pyetje: Ky mosbesim është shkaku që nuk pranohet që SPAK të bëjë vetingun e politikanëve?

GP: Ju i përgjigjeni vetë pyetjes. Po të lesh mënjanë propagandën e të shohësh statistikat, performanca e SPAK-ut në dënime, konfiskime etj nuk është më e lartë se ajo e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (PKR). Ndërkohë që SPAK, ndryshe nga PKR, jo vetëm është vetinguar por edhe është mbështetur me miliona euro-dollarë. Unë padyshim uroj që të jetë i suksesshëm. Por ne duhet të shqetësohemi kur nuk është ky rasti.

Pyetje: Kthehemi në situatën brenda PD. Deputetë pranë Bashës thonë se lufta në PD nuk ka palë vetëm kryetarin e ish kryetarin por edhe ShBA

GP: Me siguri po rivalizojnë mikun tim, Avokat Ngjelën, si zëdhënës ekskluziv i qëllimeve amerikane në trojet shqiptare.

Pyetje: Nëse në PD nuk kemi trekëndësh Basha, Berisha e ShBA,  a kemi një trekëndësh Rama-Meta-Berisha kundër Bashës?

GP: Nuk flas dot për përralla pa mbret. Por nga leximet dimë që anijet pa busull zhdukeshin në trekëndëshin e Bermudës.

Pyetje: Gjithashtu personat pranë Bashës thone se ai u zgjodh nga anëtarësia në qershor me shumicë të stërmadhe; prandaj është legjitim; prandaj mund të refuzojë kuvendin e foltores.

GP: Shikoni unë e kam thënë e përsëritur se shumë nga ne bënë gabime mbas 25 prillit. E them prapë për hir tuaj. Po kjo në fakt është një apel më shumë për korrigjimin e gabimeve. Sa për legjitimitetin shihni Ramiz Alinë e Partinë e Punës në votimet e 31 marsit 1991, pak muaj pas zyrtarizimit të PD. Ata fituan me 2/3. Por shumë shpejt u detyruan të bëjnë sërish zgjedhje parlamentare ku nuk morën dot as 1/3 e mandateve. Historia është mësuese e jetës thoshte Ciceroni.

Pyetje: Si vjen ndryshimi pozitiv sipas jush?

GP: Besoni votën e lirë: Shihni Maqedoninë e Veriut. Shihni para saj Kosovën e Malin e Zi. Por duhet një projekt i ri në opozitë që të mobilizojë qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ai10/11/2021 12:52

A e keni pyetur kuqin alias genc pollo, cfare kishte qe krijoi partine e re demokratike dhe shkoi thuajse ne gjykate me berishen per logon ????? Kjo ne vitin 1998 ! Apo ky eshte i djathte ???? I mbani mend lojrat e ketij me nanon, bamirin, rulin etj..... nese duhet vertete te rishikohet pozita, imazhi dhe fryma e PD-se, ky bashke me shume te tjere, perfshire dhe berishen duhet te rrine larg te djathtes

Shto koment

Denonco