Mbetjet në Tropojë digjen, Çelaj: Pushteti lokal i papërgjegjshëm po shkatërron natyrën

Mbetjet në Tropojë digjen, Çelaj: Pushteti lokal i papërgjegjshëm po shkatërron natyrën

07:46, 09/11/2021
A+ Aa A-

Deputeti i Tropojës Isuf Çelaj deklaroi dje ne Kuvend se zona ku është zgjedhur deputet përveç shumë probleme të mëdha ka dy problematika që janë shqetësim i përhershëm për banorët e kësaj zone.

Ai ka kërkuar ndërhyrjen pasi pushteti i papërgjegjshëm lokal po e shkatërron natyrën e Tropojës, duke djegur mbetjet urbane.

E sikur të mos mjaftonte kjo situatë, një tjetër katastrofë shëndetësore rrezikon çdo ditë shëndetin e tropojanëve.

E gjithë bashkia e Tropojës nuk ka një thertore funksionale për therjen sipas kushteve higjeniko-sanitare të bagëtive.

Fjala e plotë:

Të nderuar qytetare të Tropojës,

Te nderuar kolegë,

Jam sot këtu përpara jush që të ngrejë shqetësimin e ligjshëm të banorëve të Tropojës si përfaqësues i tyre këtu në parlament për dy problematika shumë të mprehta të cilat kanë të bëjnë direkt shëndetin e këtyre banorëve!

Marrë shkas nga shoë i rradhës i KM dje për pastrimin e trajtimin e plehrave e mbetjeve nga ana e Bashkive me shpresën se shqetësimi i tyre do të dëgjohet nga KM dhe institucionet e tjera përgjegjëse për të bërë të mundur financimin e këtyre projekteve dhe zgjidhjen e këtyre dy problematikave të cilat ndikojnë direkt në jetën e banorëve të Tropojës!

Tropoja prej kohësh është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qytetarët nga e gjithë Shqipëria dhe nga turistët prej katër anëve të botës.

Dhe kjo jo pa arsye.

Natyra dhe cilësia e jetës falë kësaj natyre, janë burimi kryesor i kësaj dyndje turistike në Tropojë.

Por, ka rreth 2 vite që këto dy dhurata të Zotit, janë goditur rëndë duke e kthyer këtë mrekulli natyrore në një zonë të ndotur e të rrezikshme për shëndetin e banorëve e të turistëve.

Kam pasur në vazhdimësi shumë ankesa nga banorët e Tropojës këto kohë se si natyra fantastike është tretur në tymin e ndotjes.

A e dini se pse?

Sepse pushteti i papërgjegjshëm lokal po e shkatërron këtë natyrë duke djegur mbetjet urbane.

Kjo ka sjellë një katastrofë natyrore.

Reja e tymit të plehrave është bërë pjesë e pandarë e Tropojës, duke e shndërruar qytetin e Bajram Currit dhe zonat përreth, përfshirë këtu zonat turistike, në një zonë të kuqe sa i përket nivelit të ndotjes.

Banorët thonë se jeta është bërë e vështirë pasi tymi ndotës është kthyer në rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Situata është bërë e padurueshme dy muajt e fundit, sepse bashkia e pavotuar e Rilindjes me drejtuesit e paligjshëm në vend që t'u japin zgjidhje banorëve për mbetjet, kanë zgjedhur katastrofën: djegin vend grumbullimin e mbetjeve pa menduar aspak për ndotjen e natyrës së mrekullueshme të Tropojës dhe as për shëndetin e tropojanëve.

Është e trishtueshme të shohësh sesi kjo perlë e natyrës të shndërrohet në një burim sëmundjesh e ndotjes që do të jenë të parikuperueshme për vite e vite.

Kjo situatë e rëndë do të dëmtojë rëndë faunën dhe mjedisin e kësaj zone, ndërsa turizmi do të marrë një goditje të paimagjinueshme.

Ndaj sot nga kjo foltore dua ti them kësaj qeverie që të kthejë sytë nga Tropoja.

Të merren masa urgjente për trajtimin e mbetjeve duke ndaluar në mënyrë urgjente katastrofën mjedisore që po ndodh.

Është koha t'i japim fund tymit të korrupsionit e papërgjegjshmërisë së pushtetit të vjedhur të Tropojës.

Tropoja nuk mund të mbetet peng i një pushteti që nuk mendon për shëndetin e tyre, por vetëm për aferat e korrupsionit të radhës.

E sikur të mos mjaftonte kjo situatë, një tjetër katastrofë shëndetësore rrezikon çdo ditë shëndetin e tropojanëve.

E gjithë bashkia e Tropojës nuk ka një thertore funksionale për therjen sipas kushteve higjeniko-sanitare të bagëtive.

Në fakt është një ndërtesë që quhet thertore, por është një vend ku vetëm mund të xhirohen filma horror.

Po, po. Horror.

Ndërtesa është jashtë çdo standardi, pasi rrezikon jetën e qytetarëve.

Është e tmerrshme situata me higjienën në atë vend që në letra quhet thertore, pasi e tillë nuk mund të jetë.

Imagjinoni një vend me baltë e pa asnjë standard, më keq se një stallë e kooperativave të dikurshme që pritet mishi që më pas i ofrohet qytetarëve në dyqane.

Fermerët janë të detyruar ti therin aty bagëtitë, pasi në të kundërt penalizohen me gjoba të majme pasi nuk u lejohet të zgjedhin rrugë alternative.

Imagjinoni se sa në rrezik është shëndeti i tropojanëve!

Nuk mund të vazhdohet kështu.

Ku janë institucionet e shëndetit?

Ku është ministrija që do të hapë akademi për barinj, por ndërkohë s’ka asnjë kusht për prerjen, trajtimin dhe shitjen e mishit dhe nënprodukteve të tij?

Normalisht nuk e kanë fare në rend të parë jetën e qytetarëve.

Ministrja e bujqësisë nuk e sheh këtë horror, sepse ajo ska asnjë lidhje me këta qytetarë.

Kjo qeveri nuk mendon për qytetarët, sepse e ka mendjen tek afera e radhës së korrupsionit.

Tropoja dhe tropojanët nuk e meritojnë këtë trajtim kafshëror.

Komplet e kundërta ndodhë në anën tejtër të kufirit në Gjakove as njëzet minuta larg nga Tropoja trajtimi sipas parametrave të dy këtyre problematikave.

Tropoja dhe tropojanët nuk e meritojnë këtë qeveri e as këtë pushtet lokal të vjedhur.

Ata meritojnë dhe do të kenë një pushtet që kujdeset për ta, jo një pushtet që u vret natyrën e u rrezikon shëndetin e tyre.

Ndaj sot nga kjo sallë, dua ta ngre zërin në emër të atyre banorëve punëtorë e të ndershëm:

Boll më!!

Tropoja nuk mund të jetë viktimë e urrejtjes politike të pushtetit të vjedhur.

Prandaj ktheni vëmendjen nga TROPOJA zoti KM mbështetni me financime këto dy projekte, sepse Bashkia nuk ka fonde për realizimin e tyre, pasi po rrezikohet seriozisht shëndeti i qytetarëve!

Faleminderit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco