Fatmir Mediu: Skenar ruso-serb për të destabilizuar rajonin, Rama të distancohet nga Vuçiç

Fatmir Mediu: Skenar ruso-serb për të destabilizuar rajonin, Rama të distancohet nga Vuçiç

20:23, 08/11/2021
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ngriti shqetësimin sot nga foltorja e Kuvendit se rajoni po rrezikon destabilizimin. 

Mediu u shpreh se ka një skenar ruso-serb për të çuar drejt ndarjes Bosnje Hercegovinën, por që pasojat mund të jetë edhe më gjerë.

Ky plan, tha Mediu, është përgatitur në Moskë dhe ka mbështetjen e Serbisë. 

Mediu i kërkoi qeverisë shqiptare të adresojë me urgjencë në NATO shqetësimin për krizën që i kanoset rajonit, si dhe i kërkon parlamentit shqiptar që të miratojë rezolutën që dënon krimet serbe dhe skenarët destabilizues të Beogradit.

Gjithashtu, Mediu ka një porosi edhe për kryeministrin Edi Rama të cilit i bën thirrje që të distancohet nga lidershipi serb, Vuçiç. 

Fjala e plotë e mediut në Kuvend
Me lejoni që t`ju bëj një thirrje për të parë se çfarë po ndodh rreth nesh. Ato do kenë implikime dhe pasoja të pakthyeshme kombëtare nëse ndodhin. Ka paralajmërime se mundësia e konflikteve në Ballkan është prezente në Bosnjë, apo Kosovë. Ekspertë të çështjeve Ballkanike në SHBA dhe Europë, po flasin me shqetësim për një skenar të përgatitur në Moskë dhe të mbështetur nga Serbia dhe Republika Serbska në Bosnjë Herzegovinë.
 
Prezenca e Shërbimeve Ruse të Inteligjencës në NISH, Prezenca Ushtarake dhe stërvitjet e përbashkëta Ruso-Serbe- Republika Serbska. Shpenzimet ushtarake Serbe janë të jashtëzakonshme. Mbështetja me mjete luftarake, jo mbrojtëse, por sulmuese, si MIG 29, nga ana e Rusisë ndaj Serbisë, duhet të jenë një alarm i fortë, ku përveç Kroacisë, askush tjetër nuk ka reaguar.
 
Media Ruse është prezente dhe ka gjetur mbështetjen në vende të Ballkanit. Njerëz të paguar prej Serbisë përpiqen të theksojnë se e kaluara historike e Serbëve s`ka rëndësi dhe bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit me Sërbinë, është e ardhmja e Ballkanit, duke kërkuar implementimin e ideve dhe doktrinave të iniciuara prej kohësh në Serbi.
 
CNN theksonte këto ditë se; - Shteti ballkanik i Bosnjë-Hercegovinës është në prag të asaj që analistët paralajmërojnë se është kriza e tij më serioze, që nga fundi i luftës në Bosnjë në 1995, në të cilën mijëra u vranë dhe u kryen akte të tmerrshme të spastrimit etnik.
 
Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, paralajmëroi në fillim të kësaj jave se marrëveshja e paqes, e ndërmjetësuar nga SHBA, e nënshkruar në fund të luftës, rrezikon të shembet, nëse nuk ndërmerren veprime për të ndaluar separatistët serbë që të shtyjnë drejt shkëputjes.
  
Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën prej tre personash të Bosnjës, me kalimin e kohës ka kërcënuar vazhdimisht se do të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit, i cili që nga lufta është përbërë nga dy rajone autonome të lidhura nga një qeveri qëndrore.
 
"Kjo është e barabartë me shkëputjen pa e shpallur atë",   - i tha Schmidt, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili u mblodh këtë javë për të riautorizuar misionin e gjatë të forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, EUFOR.
 
Në një vend ku ndarjet etnike midis serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve çuan në kryerjen e krimeve të luftës në historinë e fundit, ky nivel tensioni po i bën vëzhguesit shumë nervozë.
 
"Nuk ka dyshim se kjo është deri tani kriza më e rrezikshme që nga viti 1995 dhe se mund të çojë në një luftë tjetër," - tha Ismail Cidic, president i Qendrës së Avokatisë Boshnjake.
 
Janush Bugajaki, ekspert i çështjeve Ballkanike në Washington thekson se:
 
Ndërsa fokusi i politikave të jashtme të administratës Biden është kundërvënia ndaj një Kine në rritje, Rusia po përgatit një konflikt në mes të Europës.

Në fakt, nxitja e paparashikueshmërisë dhe paqëndrueshmërisë janë dy strategjitë kryesore të Moskës për të minuar Perëndimin.

Ballkani Perëndimor mbetet objektiv kryesor për mundësinë e fuqizimit të Moskës. Mosmarrëveshja e fundit mbi njohjen e targave në kufirin Kosovë-Serbi duket si një provë për përballje më serioze. Zyrtarët rusë po nxisin qeverinë Vuçiç që ta transformojë Serbinë në fuqinë dominuese të Ballkanit Perëndimor dhe, kështu, të shtojnë shanset e Rusisë ndaj Uashingtonit dhe Brukselit.

Në shtator, Beogradi organizoi bllokimin përgjatë kufirit me Kosovën, dhe pasi vendosi trupat e tij në gatishmëri, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake. Ambasadori rus Aleksandër Botsan-Kharchenko shoqëroi ministrin e Mbrojtjes të Serbisë Nebojsha Stefanoviç gjatë inspektimit të njësive ushtarake serbe.

Terreni propagandistik për konflikt është gjithashtu duke u përgatitur. Beogradi dhe Moska e akuzojnë qeverinë e Kosovës se po kërcënon ekzistencën e minoritetit serb. Gjatë ndërmarrjeve të tilla në Ukrainë dhe Gjeorgji, Kremlini, vazhdimisht, ka përdorur pretendime të tilla  në lidhje me popullsinë ruse atje. Tani, Rusia po i mëson “vëllait më të vogël”, Serbisë, metodologjinë e dominimit rajonal dhe copëtimit territorial.

Sipas një prej skenarëve, operativët e inteligjencës serbe mund të provokojnë konfrontime ndëretnike brenda Kosovës dhe të përdorin dhunën që do pasojë si pretekst për ndërhyrje ushtarake.

Po ç`duhet të bëjmë Ne:

Së pari: Të kuptojmë se ndarjet në Ballkan nuk janë ekonomike dhe nuk zgjidhen me marrëveshje ekonomike. Ato janë të thella, historike, etniko-fetare, dominance dhe mbështetje gjeo-politike.

Së dyti: Shqiptarët kanë pasur avantazhin e mbështetjes së SHBA, BE dhe NATO, si dhe dobësinë e Rusisë dhe Kinës në fillim të viteve 90 dhe fillimin e shekullit.

Balancat kanë ndryshuar, Rusia është më agresive dhe rasti i Gjerogjisë dhe Ukrainës ka pavrovuar jo thjeshtë pamundësinë, por dhe një lloj indiference nga faktori ndërkombëtar. Kosova nuk është anëtare e NATOs, dhe brenda NATO-s, ashtu siç nuk ishte Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat në rrafshin gjeopolitik kanë një peshë të madhe.

Sipas ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin, të gjithë serbët kanë të drejtë të jenë të bashkuar në një shtet. Ashtu si rusët, serbët portretizohen si viktima të përvuajtura, të cilët fuqitë armiqësore po komplotojnë për t’i eliminuar. Beogradi pretendon të drejtën për të mbrojtur serbët në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci.

Përveç destabilizimit të Kosovës, fokusi aktual i Beogradit është të thellojë ndasitë në Bosnje-Hercegovinë që t’i mundësojë tërësisë serbe të shkojë drejt shkëputjes. Ai gjithashtu bashkëpunon me nacionalistët serbë në qeverinë e koalicionit të Malit të Zi për të manipuluar pavarësinë e tij dhe politikat e tij properëndimor.

Ç`duhet të bëjmë Ne:

Së pari kjo çështje duhet adresuar urgjentisht dhe seriozisht në NATO, në këshillim me partnerët tanë strategjik.

Së dyti  Parlamenti shqiptar duhet të nxjerrë një rezolutë, duke dënuar krimet e Serbisë dhe të gjithë skenarët destabilizues të Serbisë.

Së treti Delegacionet e Parlamentit, në Asambletë Parlamentare, marrëdhëniet dhe nismat rajonale dhe ndërkombëtare, duhet të bëjnë prezent rezolutën dhe t`a kthejnë atë në çështje debati sidomos:

Asmableja Parlamentare e NATOs: Asmableja Parlamentare e OSBE: Këshilli i Europës etj.

Së katërti, Është i nevojshëm distancimi nga lidershipi Serb për këto qëndrime dhe mbështetja pa përplasje dhe paternalizëm të qeverisë dhe Institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Kurti ka deklaruar se: “Serbia është më e rrezikshme se më parë.  Ata duan të sillen sikur të jenë Gjermania mes dy luftërave botërore: ‘Nëse nuk do të na kënaqni, ne do të bëjmë një tjetër”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 09/11/2021 08:53

Si mund te lejohet Akoma ne politike ky plere???Ky eshte nje lloj me keta qe po shan.Ky eshte me armik i shqipetareve se vucic.Ky skarcitet njerezor qe Cfare nuk i beri shqiperise Duhet te ekzekutohet nga Shteti.

Shto koment

Denonco