Hakmarrja e Lulzim Bashës ndaj Forumit Rinor të PD-së

Hakmarrja e Lulzim Bashës ndaj Forumit Rinor të PD-së

16:06, 05/11/2021
A+ Aa A-

Dy ditë para se Sali Berisha të mbledhë të rinjtë demokratë në një Foltore të posaçme në Tiranë, Lulzim Basha urdhëroi hapjen e garës për riorganizimin dhe zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

Një njoftim i zyrës së shtypit thekson se ‘mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën’.

Për zgjedhjet në FRPD, Basha ka urdhëruar edhe ngritjen e një grupi pune që do të ndjekë procesin, i cili përfundon me zgjedhjen e kryetarit përmes formulës 1 anëtar 1 votë.

Njoftimi i PD kujdeset të nënvizojë se kryetarit aktual, Belind Këlliçit, i ka mbaruar mandati në vitin 2019. Tashmë i zgjedhur deputet, Këlliçi është mes atyre që nuk kanë dalë publikisht në krah të Bashës, në përplasjen mes kryetarit dhe liderit historik Berisha.

Ditët e fundit Belind Këlliçi është përfolur se mund të mbështesë Sali Berishën duke marrë pjesë në Foltoren e të dielës me të rinjtë demokratë.

Njoftimi i PD:

Hapet gara për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD. Kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisi sot procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat.

Kreu aktual i PD Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.

Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga:

Oriela Nebiaj 

Hergert Alimerko 

Dario Sejdini  

Enkelejda Rica  

Juela Hamati 

Anita Doçi 

Ky grup do të mbikëqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.

Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.

Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco