Inceneratorët e plehrave ‘djegin’ mbi 20 milion euro më shumë se parashikimi në kontratë

Inceneratorët e plehrave ‘djegin’ mbi 20 milion euro më shumë se parashikimi në kontratë

17:38, 02/11/2021
A+ Aa A-

Në tre vjet qeveria dha tri koncesione për inceneratorë që janë kthyer në mollë sherri mes opozitës dhe mazhorancës, sidomos pas disa hulumtimeve mediatike që hodhën dyshime të mëdha për lidhjen e kontratave koncesionare.

Koncesioni i parë u dha në datë 2014 për inceneratorin e Elbasanit. Kompania ALBTEC ENERGY SHPK bën ofertë të pa kërkuar, qeveria brenda dy muajsh mori vendimin për ndërtimin e inceneratorit, bëri termat e referencës dhe shpalli garën, ku mori pjesë vetëm ALBEC ENERGY, që fitoi kontratën me vlerë 22 milionë euro.

Draft kontrata parashikonte ndërtimin e inceneratorit brenda 16 muajve, por në kontratën e nënshkruar, punimet parashikohen 7 vjet.

Pagesat për inceneratorin e Elbasanit filluan në shtator 2015 dhe deri më tani i është paguar ALBTEC ENERGY mbi 27 milionë euro, 5 milion euro më shumë se sa parashikohej në kontratë.

Koncesioni i dytë, ai i Fierit, u dha në vitin 2016. INTEGRATED TECHNOLOGY SERVICES SHPK, me të njëjtën zyrë si ajo e inceneratorit të Elbasanit, bëri ofertë të pa kërkuar. Qeveria shpalli garën. Mori pjesë vetëm INTEGRATED TECHNOLOGY SHPK dhe fitoi kontratë me vlerë 25 milionë euro.

Kontrata fillestare parashikonte përfundimin e punimeve për 2 vjet ndërsa kontrata përfundimtare, i zgjati punimet në 6 vjet. Pagesat për kompaninë e inceneratorit të Fierit kanë filluar në nëntor 2016 dhe deri më tani janë paguar mbi 30 milionë euro, 5 milionë euro më shumë se parashikimi në kontratë.

Në vitin 2022, viti i fundit i punimeve sipas kontratës, parashikohet të paguhen edhe 5 milionë euro të tjera.

Koncesioni i tretë, ai i Tiranës u dha në 2017-ën. Ministria e Mjedisit mori një letër me propozim të pa kërkuar nga një kompani që ende nuk ekzistonte dhe tre muaj më vonë kompania u regjistrua në Holandë.

Qeveria shpalli tenderin dhe kompania fitoi kontratën koncesionare 30-vjeçare, me vlerë 128 milionë euro. Në vitin 2022, qeveria parashikon të paguajë 12 milionë euro të tjera.

Mbi këtë çështje ka nisur hetim SPAK, dhe tani edhe një Komision Hetimor Parlamentar i kërkuar nga Partia Demokratike.

Mbledhja e parë e këtij komisioni ka nisur me debate. Kryetarja Jorida Tabaku dhe nënkryetarja Ermonela Felaj nuk ranë dakord për rregulloren e punës. Në debat, ku nuk kanë munguar tonet e larta u përfshinë edhe deputetët Belind Këlliçi, Dhurata Çupi, Etjen Xhafaj dhe Eduard Shalsi.

Ndërkohë janë mësuar emrat e personave që do të thirren nga Komisioni Hetimor si persona që kanë dijeni. Lista fillon me kryeministrin Rama, ish-ministrat Ahmetaj, Koka, Gjiknuri ish-kreu i agjencisë së mbetjeve, Alqi Ballako, sekretari i përgjithshëm, Agaçi kryebashiakët, Veliaj, Llatja dhe Subashi. Në Komision do të thirren edhe Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja./ euronews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco