Shejtani brenda djepit të opozitës

Shejtani brenda djepit të opozitës

19:30, 01/11/2021
A+ Aa A-

Surpriza e radhës nga fronti opozitar ishte votimi i eurobondit që ngarkon me 700 milion euro më shumë qytetarët shqiptarë. Në këtë shkrim nuk do rrekemi të sqarojmë situatën e borxhit publik që duket se po shkon drejt majave ashtu siç kryeministri i vendit kishte premtuar kur kërkonte mandatin e dytë. Ajo që vlen të analizohet dhe merret në konsideratë është veprimi i opozitës, e cila në konferenca shtypi e denoncon këtë sjellje të Edi Ramës, por kur vjen puna te kartonat në parlament ngre ata të bardhë duke mos e nakatosur jeshilen e Edi Ramës me të kuqen që presin shqiptarët prej saj.

“Është marrëveshje ndërkombëtare, jemi të detyruar”, tha ligjvënësi Agalliu për të justifikuar abstenimin e opozitës ndaj zhytjes në borxh. Në fakt, një marrëdhënie tregtare siç është marrja e borxhit nuk mund të jetë dhe nuk është marrëveshje ndërkombëtare. Sidoqoftë, nëse e pranojmë logjikën e ligjvënësit të ri, atëherë do duhet të pranojmë dhe përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga sekretari Blinken dhe sfurkut me bar që ofroi e nderuara ambasadore Yuri Kim te selia e Partisë Demokratike. Gjithashtu, kërkesë ndërkombëtare do jetë së shpejti edhe zgjatja e mandateve të trupës së vetingut, edhe pse drejtësia e re duket si një konkubinë e kapur nga pushtetit ekzekutiv i kryeministrit Rama.

Një kërkesë interesante ndërkombëtare mund të jetë dhe fshirja e atësisë dhe amësisë nga regjistrat e gjendjes civile duke i shkëmbyer me prindi 1, 2, e kështu me radhë. Tjetër kërkesë mund të jetë dhe depozitimi mbetjeve kimike dhe lëndëve të tjera të rrezikshme në trupin e tokës sonë. Ndërkaq, jemi dëshmitar të kërkesave ndërkombëtare për shfrytëzimin e naftës si nga Bankers Petroleum ashtu dhe nga kompania Shell, duke e marrë pasurinë e përbashkët nëntokësore, ndërkohë që çmimi i arit të zi po kap 2 mijë lekë të vjetra për litër si askund tjetër në botë.

Këto dhe shumë të tjera nga paradoksalet mund të jenë kërkesa ndërkombëtare, jetojmë në një botë të hapur dhe globale.

Pyetja që lind është: Ç’na duhet opozita nëse për gjërat e rëndësishme vendosin ndërkombëtarët?!

Më mirë disa punonjës të ambasadave, shoqatave dhe korporatave të huaja në Tiranë mund të na thonë ç’është e mirë dhe ç’nuk është e mirë për ne dhe ashtu të veprohet. Nuk ka arsye që të votojmë dhe mbajmë edhe me rroga e ofiqe 50 apo 60 deputetë të opozitës të cilët në fund të ditës do bëjnë atë që u thonë së çështje e mirë për ne, sipas ndërkombëtarëve. Në këto kushte, më mirë Partia Demokratike ta mbylli fare dyqanin dhe të mos u japë shpresa të kota shqiptarëve që nuk besojnë dhe janë të zemëruar me pushtetin suprem të rilindjes. Nëse ndodh që mos tu dëgjohet zëri, ata do e gjejnë rrugën e tyre, refugjat në perëndim.

Deputetë eunukë “përfaqësues të popullit” ky vend ka pasur në gjithë historinë e tij, nga dashuria dhe mentorimi i jugosllavëve, te urdhrat e Moskës, te vëllazërimi me kinezët, etj, etj… Por kaq shumë pacipëri, s’kishte ndodhur asnjëherë! Përveçse votojnë si leva të Edi Ramës, përpiqen duke bërë për budallenj qytetarët të cilët i kanë çuar në ato karrige. Nuk e kuptojnë vallë apo s’duan ta kuptojnë se janë përfaqësues të qytetarëve dhe duhet të votojnë dhe sillen sipas asaj që mendohet se përfaqësojnë kur janë votuar dhe jo si konkubina të Edi Ramës. Në raste të tilla, ka një fjalë popullore që e përmbledh më së miri të vërtetën: “Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda”./BoldNews.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco