Pas paralajmërimeve dhe krizës energjetike për çmimeve në sektorin e hidrokarbureve në Europë, tregu ka marrë kthesë. Menjëherë pas deklaratës së presidentit Vladimir Putin për bashkëpunim për normalizimin e tregut, kompanitë kanë reflektuar me ulje të ndjeshme të çmimit në tregjet ndërkombëtare.
Por ndërkohë në Shqipëri, siç ka ndodhur vazhdimisht, rritjet e e çmimeve nuk shoqërohen me ulje, as kur kjo ndodh në bursa.
Gazetarja Sonila Meço shkruan se shqiptarëve u nevojitet një shpjegim se përse te ne rritja e çmimeve është pa kthim.
“Putini i dha pak “ajër” Europës së asfiksuar nga çmimet e tërbuara të gazit. Riktheu furnizimin nga Gazprom me nivele që qetësuan bursat e llahtarisura. Po luajti ca edhe për të energjizuar Nord Stream 2, furnizimin e pritshëm me kapacitete më të larta të gazsjellësit, që mesa duket paska në dorë “krizën” e madhe, “apokalipsin”, “kometën Halley”, që desh ra e bëri qametin.
Po dhe Po! E kish në dorë Rusia këtë saraçineskë krize, e konfirmuan tregjet, liderët, gazetaria investigative botërore, ekspertët. Asnjëherë më parë Rusia nuk kish luajtur kaq fort me Europën, duke përdorur furnizimin me gaz në kohë post pandemike për politikat e veta dhe shkundjet e ekuilibrave të forcës në politikën e jashtme.
Por Putin u tërhoq, dha urdhër, furnizimi u shtua, kërkesa e lartë gjeti përgjigje, çmimet u ulën dhe rrugët e ofertës janë të hapura.
Tani si do ta justifikojmë rritjen pa kthim të çmimeve të energjisë në katundin tonë? Se ne kemi edhe një mekanizëm allasoj, që rrit çmimet kur i rrit tregu ndërkombëtar, ama nuk ulen hiç kur i ulin bursat. Një shpjegim pa nerva duam, sy e veshë presim për këtë sqarimin e mekanizmit allasojsh,” shkruan ajo.
© SYRI.net