Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Si po ndikojnë vendimet e qeverisë Rama në popullatë

Ligji absurd – Shkrihen zyrat e shtypit, rikthehen kontrollet punëtore

Ligji absurd – Shkrihen zyrat e shtypit, rikthehen kontrollet punëtore

09:15, 29/09/2021
A+ Aa A-

Një projektligj që mban për emër sloganin e PS “Për Shqipërinë që duam” është depozituar nga qeveria në parlament. Me miratimin e tij, parashikohen shkrirja e zyrave të shtypit në institucionet e varësisë së kryeministrit dhe kalimi nëpërmjet filtrit të punonjësve të saj. Nuk parashikohen kriteret e punësimit, por agjencia i jep të drejtë vetes infiltrimin e njerëzve në të gjitha instancat, të cilat jo vetëm do bëjnë verifikimin e denoncimeve, do japin masa administrative, por do marrin në dorë dhe ndërmjetësimin mes palëve, duke shmangur kështu auditet dhe gjykatat, një strategji e ngjashme me patronazhistët, tashmë e lejuar me ligj

Një projektligj i ri që ka marrë emrin e sloganit të Partisë Socialiste në fushatë elektorale “Për Shqipërinë që duam”, ka mbërritur në parlament dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga komisionet dhe më pas të votohet në parlament. Është një projektligj që synon të ngrejë një agjenci, punonjësit e të cilës do infiltrohen në të gjitha institucionet në varësi të kryeministrit, ndërsa platforma e saj online do publikojë denoncimet dhe masat që janë marrë ndaj individëve të ndryshëm. Zyrat e shtypit do të shkrihen dhe të gjithë ata që do punojnë aty, në rast të mosgjetjes së një vendi tjetër pune do hidhen në rrugë. Por këto janë vetëm efektet anësore të ligjit.

Projektligji

Nga një vështrim i këtij projektligji vërehet se, kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një bunkerizim i mëtejshëm i informacionit, dhe përpunimit të tij sipas midesë së pushtetit. Se si do rekrutohen punonjësit e agjencisë “Për Shqipërinë që duam”, nuk flet asnjë germë e ligjit, por ka të ngjarë që të jenë militantë të PS-së, që do infiltrohen si kontrollet punëtore të dikurshme, ndërsa institucionet shtetërore apo zyrat e tyre janë të detyruara të japin të gjithë informacionin që ata kërkojnë. Më tej, këta persona që do punojnë në këtë agjenci kanë të drejtën e propozimit të masave administrative deri në pushim nga puna për persona të ndryshëm, ose vendosjen e gjobave përkatëse. Pra si të thuash do jenë patronazhistët e partisë, por këtë herë këtë punë do e bëjnë kundrejt rrogës.

Ndoshta këtë kishte parasysh Kryeministri kur në mbledhjen e parë të qeverisë kur prezantoi dhe projektligjin u shpreh se ajo duhet të konsiderohet si bibla e kurani i institucioneve. Ose thënë më shkoqur, ata që do të caktohen nga agjencia në institucionet përkatëse, duket se do kenë rolet e sekretarëve të partive të dikurshëm “do t’ju lutesha ta lexoni vetë deri në fund, germë për germë ligjin e ri të bashkëqeverisjes, ta konsideroni biblën dhe kuranin e shërbimeve ndaj publikut, për të gjithë ata që keni në varësinë tuaj, duke ju kërkuar, jo vetëm zyrtarisht, por dhe njerëzisht që të mos më lini vetëm në këtë përpjekje që e keni për detyrë si ministra, kjo nuk diskutohet, por që duhet ta kuptoni, ta ndjeni dhe ta zhvilloni si një mision human në radhë të parë” do shprehej kryeministri.

Propaganda

Nuk dihet ende se për çfarë duhet një agjenci e tillë që të ketë kontrollin direkt të kryeministrit, kur çdo institucion ka strukturat e veta të auditit, që nga kryeministri dhe deri te drejtoritë. Shkrirja e zyrave të shtypit dhe kalimi i kësaj kompetence një agjencie të stërmadhe propagande, ngjason me veprime të vendeve autoritare dhe diktatoriale. Nuk mund të gjesh një vend në botë sot që agjencitë e kontrollit të zëvendësojnë rolin e zyrave për marrëdhëniet me publikun. Nga ana tjetër s’mund të krijohet strukturë paralele kontrolli, për sa kohë janë institucionet e kontrollit që parashikon ligji.

Duket më shumë një fletërrufe e stërmadhe, ku çdokush mund të shkruajë si të dojë dhe kur të dojë, ndërsa agjencia sipas asaj çfarë shkruhet na paska dhe tagrin e ndërmjetësimit mes palëve. Pra, punonjësit e saj do luajnë dhe rolin e sekserit mes denoncuesit dhe të denoncuarit, ose personit që ka ankesa. Pra, merr dhe funksionet e gjykatës administrative. Sekserët e agjencisë do ndërmarrin zgjidhjet e mosmarrëveshjeve mes biznesit dhe institucioneve, apo dhe individëve të ndryshëm qofshin person fizik apo juridik, për çdo gjë që nga mosdhënia e shërbimit, kërkesat për ryshfet, gjobat e ndryshme etj. Pra, pas miratimit të këtij ligji dalin jashtë lojë zyrat e gjykatave, dhe drejtësia duket se merret në dorë nga ata që do emërohen në agjencinë e “Shqipërisë që duam”.

Patronazhistët

Projektligji nuk është asgjë tjetër vetëm se vazhdim i uzurpimit të kompetencave të institucioneve. Në një demokraci aplikimi i ligjeve të tilla, është as më shumë e as më pak por autoritarizëm. Duket se lufta kundër korrupsionit Ramës i ka dështuar por ky nuk duket se është qëllimi në vetvete i një projektligji të tillë. Në të vërtetë, është pasja nën kontroll e gjithçkaje, vënia në rresht e administratës para zgjedhjeve lokale (punonjësit e agjencisë do jenë prezent dhe në pushtetin lokal), evidentimi i kundërshtarëve, ndërmjetësimi i ryshfetit apo i gjobave të ndryshme, natyrisht nën përqindjen e caktuar. Por çka është më e rëndësishme shmangia e institucioneve të kontrollit të drejtësisë. Vendosja e emrit të sloganit elektoral një projektligji, është qartazi mentalitet autoritar ku ligjin do e bëjnë punonjësit e “Shqipërisë që duam”, që s’janë asgjë tjetër vetëm se patronazhistët e fushatës./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco