Basha s'mund të synojë pafundësisht pjatën: ‘as mish e as peshk’!

Basha s'mund të synojë pafundësisht pjatën: ‘as mish e as peshk’!

10:11, 07/09/2021
A+ Aa A-

Fillimi i këtij sezoni politik na shpalosi dy panorama të partive më të mëdha në Shqipëri; PS-së dhe PD-së.

Nëse te e para Edi Rama përfundimisht e hoqi edhe cipën e fundit të demokracisë së brendshme dhe të kolegjialitetit, duke arritur që të emërojë e ç`gradojë në poste partiake dhe qeveritare njerëz pa i pyetur e vënë edhe ata vetë në dijeni, te PD situata duket pak më ndryshe.

Në Kuvendin e fundit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti një fjalim dhe hodhi disa teza mjaft të rëndësishme. Mes tyre ajo që bëri më shumë bujë ishte shpalosja e planit për të ndryshuar Kushtetutën e vitit 2008 në pjesën e sistemit politik-zgjedhor, të bërë nga Rama e Berisha. Ky plan realizohet vetëm me një shumicë absolute parlamentare, që do të thotë bashkëpunim PD-PS.

Nuk e ka kritikuar njeri për këtë, përveçse për faktin e mungesës së transparencës; A është marrë vesh paraprakisht me Ramën, për këtë projekt?!

Natyrisht që pas zhvillimeve të fundit dhe zgjedhjeve brenda PD-së pati të pakënaqur, por kjo nuk u shoqërua me kokë-ulje dhe heshtje totale siç po ndodh në PS-në e Ramës.
Ka brenda PD-së zëra të rëndësishëm, jo vetëm si ish-presidenti Bujar Nishani, që folën e vazhdojnë të artikulohen fortë. U kritikua kryetari Basha dhe vazhdon që të sulmohet në media e në rrjet nga pesha të rënda historike të Partisë Demokratike, edhe pse kjo nuk e shpëlan krejtësisht atë nga disa vendime, emërime dhe veprime jo bashkuese.

Gjithsesi ndryshe nga Rama që i ka të gjithë gërvishtësit e pakënaqur të kapur me dosje dhe nën thundër, Basha e ka lënë me dëshirë, detyrim apo për mungesë guximi, një litar jashtë…

E ky litar, i cili duhet prerë sa më shpejtë është çështja “Berisha non grata”, e debati mbi të.

A duhet të jetë Sali Berisha në parlament në datën 10, e më tej; a duhet të jetë pjesë e grupit parlamentarë të partisë që themeloi 30 vite më parë.

Vetë Berisha e ka të qartë dhe të vendosur se çfarë do të bëjë: Edhe sikur një të mbetet në atë parti, ai do të jetë aty.

Por duket se nuk është i qartë, ose më saktë i vendosur për një qëndrim prej lideri, kryetari i partisë. Si pasojë, një tollovi e madhe e ka pështjelluar anëtarësinë dhe votuesit e shumtë të PD-së.

Heshtja dhe qëndrimi “as mish e as peshk” i tij për “çështjen Berisha”, në plan të parë duket si një zgjidhje shpëtuese për atë personalisht.

Por nuk mund të jetë kështu pafundësisht.

Basha e di shumë mirë se çfarë përfaqëson Berisha jo vetëm historikisht por edhe aktualisht në teren, e në sensibilitetin e qindra-mijë demokratëve e më tej.

Nga ana tjetër presioni i ambasadores së SHBA në Tiranë, duket se nuk është ulur.

Tani jemi në një situatë kur Basha është ulur në restorantin e zonjës Kim ku shërbehet vetëm mish, peshk, ose bar. Kryetari i PD ka ca kohë që e mban kamerierin në këmbë dhe kërkon që të hajë pjatën; “as mish e as peshk”!

Por kjo nuk bëhet dhe ora që restoranti të mbyllet po afron. Ai e di ku është futur dhe ka pranuar që të hajë një vakt, ndaj duhet të vendosë.

Të zgjedhë mes detyrim përcaktimit të menusë së zonjës Kim, ose të largohet dhe të bëjë atë që ndien, mendon dhe ja kërkon shumica apo fryma e partisë.

Ky është një shans i madh, një mënyrë për të riformatuar lidershipin dhe integritetin e tij personal e politik.

Por mbi të gjitha është një borxh dhe një “detyrim- përcaktim” që ka ndaj qindra-mijë demokratëve dhe jo ndaj pronares së restorantit ku po qëndron; “as mish, e as peshk”!/Çim PEKA LIVE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

eldi04/02/2023 23:13

ihih

Shto koment

Denonco