Meta: Një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka Kushtetutë

Meta: Një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka Kushtetutë

20:57, 15/10/2018
A+ Aa A-

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese duket se përbën një shqetësim të madh për Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Në emisionin ‘5 pyetjet’ të gazetarit, Ilir Babaramo, kreu i shtetit është shprehur qartë duke theksuar se ‘Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.’

Sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi, Meta është shprehur se ‘Ajo që dua të theksoj është, një angazhim i përbashkët i Parlamentit, si institucioni kryesor, që e ka miratuar këtë reformë, si përsa i takon ndryshimeve kushtetuese, që janë kryesoret dhe përsa i takon legjislacionit mbështetës dhe partnerëve kryesorë ndërkombëtarë që kanë dalë si garant të ecurisë dhe të suksesit të kësaj reforme. Kjo kërkon një dialog tepër të sinqertë dhe të përgjegjshëm që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt dhe këto institucione të reja të krijohen sa më shpejt në mënyrë kushtetuese dhe të pakontestueshme’.

Presidenti Meta ka theksuar gjithashtu se ‘Çdo polarizim, edhe i reformës në drejtësi, është vetëm një dëm i madh që i bëhet rikthimit të besimit të shqiptarëve tek drejtësia dhe tek institucionet e pavarura të saj.

Kjo është një reformë që mund të jetë e suksesshme  duke u zbatuar vetëm në frymën e ndryshimeve kushtetuese, që kishin bazën e tyre opinionin e Venecias, një institucion i gjithëpranuar nga të gjithë forcat politike shqiptare në këto gati tre dekada.

Theksoj se është një moment tepër i rëndësishëm që reforma të bazohet në dy elementë: kushtetueshmëri dhe transparencë, përsa i takon zbatimit të saj dhe çdo hapi të saj, që të mos ketë hapësira as për mjegull, as për dyshime dhe as për kontestime’.

Sipas kreut të shtetit ‘një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapat të shpejtë në krijimin e institucioneve dhe në krijimin e tyre’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco