Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës

Shihni fëmijët tuaj në sy mirë e gjatë...më pas zgjidhni të jeni luan për një ditë, a dele për aq jetë sa ju është taksur!

Shihni fëmijët tuaj në sy mirë e gjatë...më pas zgjidhni të jeni luan për një ditë, a dele për aq jetë sa ju është taksur!

Nga Sonila Meço - 08/10/2024

Në maloren drejt lagjes ku banoj ngjitej me vështirësi një grua thatime, veshur trashë për motin e ngrohtë té ditës. Ecte ngadalë dhe ndërsa tërhiqte çizmet e mëdha lëshonte zëshëm ahtin e një mundimi fizik, që të këpuste shpirtin. Zbrisja përkundër dhe ndala duke e vëzhguar teksa më kaloi përbri. As moshë nuk i përcaktoja dot, por s’kish më rëndësi kjo.

Vuajtja i ulërinte e çante përmes indiferencës së kalimtarëve, të hutuar, shqetësuar e nxituar edhe ata. S’durova, e arrita shpejt, i kapa krahun dhe i kërkova të më priste sa të merrja makinën aty pranë, parkuar me bllokazh hapur e ta shoqëroja deri lart (malorja bëhej edhe më e papërballueshme për të me arritjen në hyrje të rezidencës).
Më priti ulur në bordurë, hyri me vështirësi dhe ngjeshi pas qafe shallin e trashë.

E pyeta nëse kishte ftohtë e mu gjegj me një breshëri diagnozash. Kish zë të bukur, paksa të gërvishtur, por të ngrohtë e të paqtë. Punonte sanitare në dy vila në një rezidencë luksoze. Autobusi qe vonuar e nuk mund të humbiste kohë më shumë. Kish tre fëmijë, më e madhja maturante. Donte ta shkollonte me çdo kusht, të mbaronte universitetin për mjekësi, ëndrra e të dyjave, nënë e bijë. E divorcuar, kujdesej e vetme për fëmijët, më i vogli 14 vjeç. Donte t’u siguronte shkollën e lartë të treve. Me fjalët e saj më pohoi se punonte si “kafshë”, veç të shihte fëmijët të shkolluar. Pamundësia për “ta ndritur vetë”, siç më tregoi për veten, e kish bërë robinjë të ëndrrave për fëmijët dhe veç edukimin shihte si gurkyçin magjik të daljes nga mizerja e vet, të lumturisë së krijesave të saj. Punonte mbi 12 orë në ditë, edhe fundjavave.

Mu dhimbs, por edhe e adhurova për mençurinë, që nuk ia kish bërë kurban “shpullave” të jetës. Sakrificat sublime jo thjesht për bukën e gojës, as për “llotari” fati me dhëndurë për të bijat, por edukimin e tyre i bënin akuzë tmerrit të lajmeve mbi çeljen e universiteteve. As nuk i hyra atij diskutimi, doja ta përgëzoja e t’i tregoja ç’lartësi kish arritur ai trup thatim e i kërrusur në sytë e mi, pa mbushur ende të 40-at, e vetme, e sfilitur, por jo për mbijetesë, por për t’u dhënë edukim e formim tre fëmijëve të saj.

Sesi u ndjeva pasi zbriti me shkulme dhimbjesh osteoporoze e herniesh mund ta dijë veç roja i rezidencës, që pa se si u përkula mbi timon e u shkreha në lot. Jo për gruan e rraskapitur, ajo ish e ndriçuar në terrin, që ka kapluar njerëzit e dorëzuar shkretëtirës kulturore e shpirtërore. Dënesa erdh prej katandisjes e dënimit më të ndyrë, që mund t’i bësh një kombi: shkatërrimin e arsimimit në të gjitha nivelet, mundësive të edukimit dhe zhvillimit profesional, kërkimit shkencor, formimit dhe “furnizimit” të tregut të punës, ekonomisë, institucioneve me njerëz të kualifikuar, specializuar, ndriçuar dijesh e teknikash.

A i ndoqët lajmet dje? A i patë studentët në protestë? Po mbyllen degë universitetesh, s’ka më studentë, po tejkalohet numri i tyre nga pedagogë mbaruar institucione arsimore gjithnjë e më të dobta, me grada shkencore zhytur plagjaturash, pa botime në revista shkencore, pa studime.

Kontrata Sociale është “grisur” me tërsëllimë nga shteti para syve të prindërve e të rinjve në pjesën e saj më të gjallë: aksesin në edukim cilësor. Arsimi po dështon dhe po na dështon si shoqëri me aprovimin diabolik të autoritetit shtetëror. Ky dështim i drejtuar e assesi thjesht nga paaftësia po prodhon shoqëri të varur e injorante, elektorat të marrë peng, autoritarizëm, ekonomi të shkatërruar, kriminalitet të sofistikuar, pabarazi vrastare, meritokraci të dërrmuar, cikël varfërie e margjinalizimi, tkurrje kapitali njerëzor, emigracion masiv, diplomaci qesharake.

Do ta shkatërrosh një komb në shekullin e 21-të? S’ka nevojë as për raketa, as armë atomike. Mjafton ulja e cilësisë së arsimit e edukimit, krijo kurrikula skandaloze, realizo testime fiktive, zhbë ndërgjegjen morale, kap median, helmo kulturën e artin e mirfilltë dhe vendos si mjet shkëmbimi favoresh korrupsionin në çdo ndërveprim qelizor shoqëror.
Profesionistë në pozicione jetike e sigurie, që arrijnë pozicione drejtuese nëpërmjet manipulimeve, korrupsionit, afërsisë me pushtetin. Pa ide, pa formim, pa studim, pa djersitur notën, pa investuar kohë e mund, pa ndërmarrë itinerarin përkushtues drejt ndriçimit të plotë të mendjes e t’i lejosh të kryejnë operacione, t’u shërbejnë njerëzve, të ndërtojnë rrugë e ura, të drejtojnë financa, të japin drejtësi, të edukojnë breza, të kryejnë hetime e parandalojnë krime, të informojnë publikun, të udhëheqin një vend, të bëhen prindër…

Si t’ja thoja këto gruas së tkurrur si mosozot edhe aq, nga sakrifica ekstreme për të siguruar të ardhmen më të mirë se e saja për tre fëmijët e vet…por si ka mundësi të heshtin prindër të tjerë, më të kultivuar e mundur karshi kësaj gjëme?!

Po për çfarë dreqin vlen të marrësh ende frymë kur lejon të të shkatërrojnë arsyen madhore të përmbushjes njerëzore? Si mundet të na zërë gjumi si prindër, ndërsa lejojmë të na dënojnë të ardhmen e fëmijëve kësisoj? Po për çfarë punove, u sfilite, u rropate e durove o njeri, që t’a dorëzosh kaq lehtë avenirin e krijesave të tua, hisen e shpirtit, vendin ku dhe gjithçka për t’u kujtuar me dinjitet për të veneruar “idhuj” me pushtete absolute e influencera instagrami?

Ah moj Bardhë (emri i bënte drejtësi asaj qenieje qelibar), nuk t’i thashë të gjitha këto dhe ndoshta bëra gabim!

Sepse të nisa sërish t’u shërbesh me devotshmëri atyre, që fëmijët i sistemojnë në çdo kohë se janë nën çadrën e pushtetit, teksa u bëjnë gjëmën fëmijëve të tu e shumë të tjerëve në luftën për t’i rezistuar së keqes, që na ka zënë.

Fola tani e publikisht o grua e mirë edhe për ty e të ngjashëm të tjerë, që nuk kanë asnjë kontratë me fatin e tyre veç dinjitetit! Në më lexofsh, dije se je “idhulli” im dhe se shpagimi i drobitjes tënde do të shpërblehet me të vetmin investim, që askush nuk mund t’ua shkulë fëmijëve tanë: edukimin. Në emër të tij e për të ia vlen çdo betejë me të keqen.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco