Tre llojet e protestës në marshimin e sotëm mbi Tiranë

Tre llojet e protestës në marshimin e sotëm mbi Tiranë

Nga Alfred Lela - 07/10/2024

Sot, në ora 18.00, Partia Demokratike dhe aleatët opozitarë tubohen, në atë që kanë quajtur “marshim drejt Tiranës”, për të reaguar për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në vend. Kësaj here nuk do të ketë fjalime, thirrje dhe as skenografi, por nuk është kjo e reja.

Protesta, e menduar si marshim, synon përfshirjen e gjithkujt që nuk është dakord me këtë qeveri. Pra, ajo është menduar si horizontale, jo si vertikale; jo me Berishën dhe eksponentë të tjerë të PD dhe opozitës që bëjnë thirrjet apo parashtrojnë tezat e revoltës, por me njerëz që marshojnë përkrah njëri-tjetrit, pavarësisht nëse janë të majtë ose të djathtë, nacionalistë apo kozmopolitë, konservatorë apo progresistë.

Protesta e sotme e opozitës është pra urbi et orbi, për botën dhe qytetin, e drejtuar gjithkujt dhe askujt në veçanti.

Ideja këtu është se një qeveri e keqe nuk bën ndarje mes të vetëve dhe kundërshtarëve; një qeveri e keqe, kur keqmenaxhon apo korrupton fondet publike, nuk prek vetëm në taksat e demokratëve, por edhe të socialistëve, nuk rrënon vetëm financat e sotme, por ndërhyn te shanset e së ardhmes.

Kjo vetëdije duhet të jetë ajo që i bashkon ata që, prej vitesh protestojnë kundër Edi Ramës dhe Rilindjes, me ata që e kanë një pakënaqësi, i mundon një zemërim, u pulson një mosdakordësi me mënyrën se si gjërat shkojnë në Shqiëpri.

Çdo tentacion për ta parë protestën si hall të opozitës politike, është përpjekja e vjetër për të ndërtuar blloqe ndarëse të ‘ne’ dhe ‘ata’, ‘të mirët’ dhe ‘të këqijtë’, ‘të majtët’ dhe të ‘djathtët’. Në një Shqipëri që funksionon, të gjithë janë ‘të mirë’, e kundërta, në një Shqipëri që funksionon vetëm për një pakicë, të gjithë janë ‘të këqij’. Kjo, sepse, të gjithë bashkë humbin atë që është thelbi i një sistemi demokratik: shanse të barabarta në lojë, dhe diferencën e bëjnë vetëm kapacitetet. Kur ky ekuacion zhbëhet, atëherë kemi ligjin i cili fshin çdo ekses të njërit mbi tjetrin.

Shqipëria sot është qartësisht eksesi i një grupi të vogël mbi shumicën. Asgjë nuk e shpjegon këtë më thjeshtë dhe pastër se Shqipëria që tkurret dhe diaspora që fryhet. Kjo ikje eksodike nuk është një tekë psikedelike, nuk është shpërngulje për ‘ndërrim ambjenti’; këta që ikin nuk janë artistë që zhvendosen në kërkim të frymëzimit, por shqiptarë që duan të vendosen para shanseve të barabarta dhe barazisë para ligjit.

Refuzuesit e protestës së sotme janë rrjedhimisht dy llojesh. Ata që kanë ikur dhe nuk kanë se si të jenë, dhe ata që kanë mbetur, të cilët gjithashtu nuk kanë se si të vijnë. Në këtë grup të dytë bën pjesë armata e kapur rob e administratës dhe familjeve të tyre të cilët, me hir apo pahir, formojnë ushtrinë e patronazhistëve, që sot do të jetë në survejim të plotë të marshimit opozitar në Tiranë.

Thënë këtë nuk duhet të fshihemi pas gishtit: po, ka tkurrje të protestave dhe pjesëmarrjes-për arsyet që u përmendën më lart-por keqkuptimi këtu është i atyre që ngërdheshen më ‘pafuqinë e opozitës’. Ata që kanë kontribuar për tkurrjen, flasin për të si faj të dikujt tjetër. Thellësia e problemit ngërthen shoqërinë dhe flet për pafuqinë e saj për të mbajtur gjallë mekanizmat e mosbindjes, ripërtëritjes, mospajtimit, rotacionit etj.

Ata që kanë ikur kanë protestuar me këmbë, një pjesë e të mbeturve kanë qenë vazhdimisht në këmbë. Të tjerët janë ata që refuzojnë për t'u njohur me arsyet e atyre që ikin dhe atyre që janë në këmbë.

Këta janë njerëzit që rrinë në bythë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco