Diktatura e re e Krajave dhe ish-hetuesve të komunizmit

Diktatura e re e Krajave dhe ish-hetuesve të komunizmit

Nga Agron Tufa - 03/10/2024

Kur bëra publike për herë të parë (dhjetor, 2019) dokumentet arkivorë të kreut të sapozgjedhur të SPAK-ut, ish-hetuesit komunist Arben Kraja, të zgjedhur me një procedurë mbi trevjeçare Vetingu, pati reaksion të madh, ku nuk munguan mbrojtësit e tij. Ca më shkruan në privat me një ton gjysmërixhaje e gjysmëkërcënimi. Ca të tjerë, kolegë të ish-hetuesit komunist Kraja, si ish-hetuesi dhe spiuni Bujar Sheshaj (edhe ata të zgjedhur me Veting), dolën hapur që në mbledhjen e parë të KLP-së së sapo “reformuar”, me thirrjen – “të qëndrojmë grushtbashkuar rreth kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, për ta mbrojtur atë dhe njëri-tjetrin nga sulmet e Agron Tufës!”

Ndonjëri prej dalëzotësve të Krajës, kaloi nga mohimi total në relativizim, duke e minimizuar rolin e Arben Krajës vetëm me rastin e të rinjve shkodranë Luçi dhe Bizi. Nxorëm prapë dokumenta të tjerë me firmën e Krajës, ku dëshmohet se rasti i Luçit dhe Bizit nuk ka qenë rast i vetmuar! Në këto dokumenta shihet se Partia i ka ngarkuar Arben Krajës hetues (i pari krye i SPAK), gjuetinë e shtrigave mbi rininë shkodrane. Dhe kur se! Pasi mijëra shqiptarë kishin thyer barrierat e ambasadave dhe ishin larguar drejt Europës 'kapitaliste'. Pra, në fund të korrikut 1990! Dhe me çfarë egërsie!

Viktima tjetër e hetuesit komunist mizor Arben Kraja, është 22 vjeçari shkodran Andrea Daija, të cilin e ka torturuar dhe detyruar të firmosë se ka pasur në planin imagjinativ tentativën për arratisje. Ky Beni hynte me forcë në kokat e të rinjve për t’u kontrolluar dhe ëndërrimet dhe imagjinatat...

Veprimin e parë si kreu i SPAK-ut Arben Kraja e bëri ngutazi që në dhjetor 2019 më pushimin e kallëzimit penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një ish drejtor burgjesh të komunizmit, kriminel e vrasës, madje shkresa e tij nuk ka as vulë!

Një pjesë e dosjes ku protagonist është Arben Kraja hetues, e keni më poshtë.

Një gjë na ngelej gjithmonë mister: si ka mundësi që Autoriteti i Rrënimit të Dosjeve për ish-Sigurimin e Shtetit e ka nxjerrë të pastër në Veting këtë hungërues të Diktaturës!? Si ka mundësi që AIDSSH i numëronte (dhe i justifikonte) Arben Krajës vetëm rastin e të rinjve Luçi e Bizi, duke e quajtur këtë si një gjë të papërfillshme?

Tash që e njohim mirë se ku çoi kjo mbrojtje e urdhëruar e këtyre qenve të tërbuar, të lëshuar nga zinxhirët e diktaturës për të çarvalosur demokracinë, nuk është fare më mister. Asfarë misteri! Për fatin tonë të keq, na del se paskam parë qartë dhe saktë, se paskam pasur 100% të drejtë në profecinë time prej kasandre.

Atë alarm që dhashë që në dhjetor të vitit 2019 (ndonëse i mbyllur në kamp azilantësh politikë), fare pak kush deshi ta marrë parasysh. Ja frytet e helmëta ku i kemi tash, sot e gjithë ditën:

1. Shkatërrimi i pluralizmit politik, shkatërrimi i zgjedhjeve dhe votës së lirë;

2. Opozita e burgosur, e shantazhuar, e penguar, e arrestuar, e ndaluar.

3) Mbrojtja e hapur, e troçtë, e pafytyrë e gjithë trafikut kombëtar e ndërkombëtar, sipas interesave të qeverisë, folje-ndihmëse e diktaturës së re.

4) Një mori e panumërt perversitetesh të neveritshme, që mund t’i shtoni vetë...

Dëmi është i mënxyrshëm. Njerëzit nuk kanë kurajë të flasin. Popullit i është aktivizuar ajo që unë e quaj “agjencia e fshehtë e pavetëdijes”, që ka ndezuar automatikisht llampën e alarmit të frikës së vjetër të diktaturës enveriste. Njerëzit kanë frikë se u shkatërrohet jeta, familja, fati, karriera. Sepse jo mëkot janë prej të njëjtit gen... prej të njëjtës familje politike, me të njëjtat metoda drejtësie e survejimi dhe me të njëjtën ndërgjegje të krimbur në krime. Njerëzit kanë frikë, sepse po shohin se si po dënohet lidershipi opozitar. Po ata dhjetëramijëra si unë e si ti?! Njerëzit kanë frikë! Madje kanë frikë të bëjnë dhe një "like" të këtij shkrimi dhe i kuptoj mirëfilli, ndonëse nuk i mirëkuptoj.

Për mua, diktatura e bijve (le të thartojë turinjtë kush të dojë) është një punë e kryer tashmë, e dizajnuar, e egër, me cerberët e vet. Dakord, e di, ajo nuk shembet me votë të lirë e frymëzime elektorale, se nuk ka bërë vaki të shemben ndonjëherë kështu diktaturat. Sepse nuk janë aq kaqola ustallarët e diktaturës, sa të të lënë ty të shkosh serbes dhe i lirë në kutinë e votimit... I kanë marrë masat dhe kush nuk e di këtë gjë tashmë të provuar kaq e kaq herë...?

Diktaturat më të frikshme e më të paskrupullta janë njëherësh dhe më frikacaket. Mjafton të kesh zemër, të ngrihesh, po, edhe të sakrifikosh, dhe shemben si një dordolec në shesh. Epo, liria gjithmonë e ka një peshë e një çmim, nuk të falet për sadaka... Duhet shembur me çdo kusht kjo tirania e diktaturës së re, për të ndaluar shfytyrimin e njeriut tonë dhe atdheut tonë. Ndryshe ka për të qenë tragjikisht vonë.

ImageImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco