Duke pritur 'Inglizin' dhe 7 Tetori

Duke pritur 'Inglizin' dhe 7 Tetori

Nga Luçiano Boçi - 02/10/2024

Nacionalistët shqiptarë përgjatë luftës, sytë, mendjen dhe ëndrrat i kishin të lidhura me aleatët. Ata ishin pro perëndimorë dhe anti bolshevikë natyralë dhe këtë e dëshmuan me aktivitetitin e tyre patriotik.

Ndonëse zemërthyer për shkak të mbështetjes me të madhe që misionet angleze i bënë komunistëve (Promemoria e Mid’hat Frashërit dhe Abaz Ermenjit: “Kjo mbështetje morale dhe materiale e misioneve aleate ndaj bolshevizmit theu ekuilibrin në dëm të forcave nacionaliste shqiptare”. ), pas lufte ato nuk e reshtën luftën kundër komunizmit dhe asnjëherë nuk shkëputën shpresat për një zbarkim aleat antikomunist.

Shumë prej tyre u sakrifikuan dhe u vetësakrifikuan përgjatë organizimeve të kryengritjeve e desantimeve, të mbështetura nga shërbimet anglo-amerikane, me qëllim shembjen e komunizmit.

Megjithëse shumë patriotë sidomos në veri, arritën të nxisnin vatra kryengritje midis të cilave spikati ajo e Postribës, përhapja e tyre në gjithë territorin mbeti anemike.
Shtypja e tyre me egërsi ekstreme dhe roli i Kim Filbit në dështimin e desantimeve, shtyu disa herë gadishmërinë aleate për një ndërhyrje.

Ndonëse antikomunistët prisnin me padurim atë, ajo vonoi përfundimisht gjatë deri sa erdhi ‘90.

“Inglizi” nuk zbarkoi, siç do dëshironte Frashëri, Ermenji, Guraziu, Kupi, Kazazi, Matjani, Lleshanaku, Cali dhe krerët e Veriut, etj, si dhe pjesa më e emancipuar e shiptarëve.
Pavarësisht se Hoxha mbolli terror përgjatë sundimit të tij me burgosje, vrasje dhe pushkatime, ëndrra e së djathtës dhe nacionalistëve për liri e rend demokratik, nuk u shua asnjëherë.

Por ajo mbarti me vete gjithmonë pyetjen sfiduese:

Pse nuk zbarkuan aleatët të shpëtonin vendin nga dikatura e të rivendosnin demokracinë?!

Përgjigjet mund të jenë të shumta, por midis tyre njëra ulëret më shumë:

Duhej që lëvizja antikomuniste të ishte më e fortë, më e organizuar dhe e shtrirë në gjithë Shqipërinë.

Duhet të ishin vetë shqiptarët kundërshtuesit e fortë të parë.

Kjo do të shtynte aleatët të ndërhynin.

“Inglizi” nuk erdhi sepse njerëzit me heshtjen e tyre për shumë arsye të thëna e të pathëna, iu nënshtruan në shumicë komunizmit, duke humbur liritë e të drejtat në progresion.

Shqiptarët nënshkruan kështu një nga fatet më të kobshme të tyre.

Pakica që rezistoi u përballë me krimet më çnjerëzore të regjimit, pa u dorëzuar deri sa dita e lirisë erdhi.

Por ishte një pranverë e dalë nga një dimër polar i gjatë dhe i stërmundimshëm, i vonuar nga pranimi i së keqes.

Nëse reagimi i qytetarëve do ishte i duhuri dhe i fortë, Hoxha s’do ushtronte terrorin e tij për 46 vite rresht.

Aleatët do kishin ndërhyrë.

Ky ishte çelësi që nuk funksionoi dhe pengoi aleatët të zbarkonin.

Historia na paralajmëron qartë.

Regjimet i përmbysin mosbindja e rezistenca qytetare dhe forca e opozitës.

Pa iluzione se detyrën tonë do ta përmbushë vetëm “Inglizi”, kur ai ta mendojë se duhet ndërhyrë, me kanale apo pa kanale diplomacie.

Koha e opozitës dhe e qytetarëve është tani!

Për ato që presin vetëm “Inglizin”, por dhe për përfaqësuesit e “inglizëve”, po sjell në kujtesë refleksionin e oficerit britanik Toni Simkoks, i vendosur gjatë luftës pranë forcave çlirimtare të Gani Kryeziut.

I shqetësuar nga politika e atëhershme e vendit të tij shkruante:

“Duke i lejuar komunistët që me ndihmat tona të vrasin, të sulmojnë, apo të provokojnë kundërshtarët e tyre politikë, është më keq se sa ta kishim bërë ne vetë këtë gjë”.
Mos harroni:

7 Tetorin ta shndërrojmë në nisjen e betejës që nacionalistët dhe patriotët tanë të lavdishëm e patën të pamundur për ta bërë të plotë, e cila do të na sjellë me vete dhe “Inglizin”.

E drejta dhe liria fitohen nuk dhurohen!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco