Lajmi i fundit

Gjyqi politik/ Salianji dozon në gjykatën e lartë kërkesën për pezullimin e dënimit

Amerika që aspirojmë dhe shifrat e reformës në drejtësi

Amerika që aspirojmë dhe shifrat e reformës në drejtësi

Nga Akil Kraja - 01/10/2024

1. Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Eric Adams, u morr zyrtarisht si i pandehur këtë të martë, dt.26 shtator nga një gjykatë në New York. Aktakuza e ngritur nga prokurori Damian Williams, i njëjti që ngriti dhe dosjen e Charles McGonigal, konsiderohet si një tërmet politik në SHBA. Adams akuzohet se ka marrë mbi 100.000 dollarë në fluturime biznesi dhe qëndrime në hotele lluksi në Turqi, ashtu si dhe financime të paligjshme për fushatën e tij zgjedhore si kandidat për Bashkinë e NY. Pagesat dhe përfitimet e paligjshme duket se janë kanalizuar nga zyrtarë e sipërmarrës të lidhur me autoritetet turke. Prokurori Williams shprehet se zyra e tij “si dhe kolegët në FBI dhe në Departamentin e Drejtësisë do të vijojnë të ndjekin korrupsionin kudoqoftë ai në qytet, në veçanti kur korrupsioni merr formën e një influence të huaj të paligjshme mbi sistemin tonë demokratik”. Adams është akuzuar dhe më parë për çështje korrupsioni teksa ai drejtonte Komitetin e Shtetit të NY për Garat, Lojërat e fatit dhe Bastet. Ai njihej për frekuentimin e mjediseve dhe të personazheve gri. Vizita e tij në kazinonë e Monte Carlos, për të festuar fitoren e tij si Kryetar Bashkie në 2021 u përfol gjerësisht. Ai e paraqiste veten si një personalitet politik ndërkombëtar dhe udhëtonte gjerësisht. Në një vizitë të fundit në Izrael, ai vendosi dorën në murin e lutjeve me një byzyluk në dorë ku shkruhej “luftarak”. Udhëtimet e tij jashtë vendit ashtu si dhe ky udhëtim në Izrael janë aktualisht nën hetim.

2. Në Shqipëri, pavarësisht mbështetjes madhore nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, prokuroria speciale anti-korrupsion dështoi të përfshinte Kryetarin e Bashkisë Tiranë në dy dosjet korruptive të inceneratorit të Tiranës dhe atë 5D. Në të dy këto dosje përflitet për udhëtime lluksi jashtë shteti të financuara nga para të përfituara në mënyrë të paligjshme. Erion Veliaj njihet gjerësisht, ashtu si Adams, si një njeri i udhëtimeve. Në një investigim të tetorit 2016, Veliaj rezultoi se kishte kaluar 22 ditë jashtë shtetit dhe vetëm 9 ditë në Tiranë. Një frekuencë e rikonfirmuar nga investigime të tjera ndër vite. Udhëtimet e tij të shpeshta në SHBA, si kjo e para pak ditëve krahas Edi Ramës në OKB, ngrenë pikëpyetje keq-menaxhimi nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Ashtu si Adams, dhe Veliaj akuzohet për kontakte të pajustifikuara me individë të botës gri të cilët shpesh herë marrin leje ndërtimi nga administrata e tij. Në fushën e mbetjeve, partnerë të Bashkisë Tiranë janë dënuar nga një gjykatë italiane për lidhje me Ndraghetën. Përflitet se ka dhe përgjime mes tyre për ndërtimin e një kulle në Tiranë. Rasti Adams shërben si referencë edhe për financimet nga jashtë shtetit. Dy individë janë dënuar me burg në SHBA për transferta ilegale me origjinë nga Shqipëria. Njëri është Charles McGonigal, tjetri është Bilal Shehu. Raste që lidhen me Kryeministrin Rama i cili citohet personalisht në dosjet e gjyqësorit amerikan. Së fundmi, Arben Ahmetaj, ish Zv.Kryeministër, akuzoi se tenderi për tunelin e Llogarasë i kaloi i tej-fryrë një kompanie turke në shkelje të ligjeve shqiptare pas një udhëtimi të Ramës në Stamboll. Rikujtojmë se ishte pikërisht një udhëtim lluksi në Stamboll i cili e çoi si të pandehur kryetarin e Bashkisë së NY.

3. Prej kuorumit të vitit 2016, fjalët drejtësi e reformuar dhe investim amerikan/europian kanë qënë të mbivendoshme në Shqipëri falë përfshirjes energjike e të drejtëpërdrejtë nga trupi diplomatik. Por dis-proporcionaliteti mes shkallës së abuzimeve në NY e Tiranë dhe të reagimeve të drejtësisë mes dy shteteve, e bën çdo krahasim të duket i pavend. Qytetarët shqiptarë nuk mund të aspirojnë të njëjtin standart drejtësie si në SHBA teksa konstatojnë pamundësinë e prokurorisë shqiptare për të arritur të njëjtën performancë si ajo amerikane në hetimin e një Kryeministri apo Kryetari Bashkie në detyrë. Nga një analizë e raporteve mbi Shqipërinë të redaktuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rezulton se të dënuarit/vendimet për korrupsion, sipas shifrave të përmbajtura në këto raporte, kanë qënë 277 në 2008, 346 (2009), 162 (2010), 122 (2013), 183 (2014), 28 (2015), 76 (2016), 99 (2017), 29 (2018), 34 (2019) dhe 127 (2021). Nëse këtyre shifrave u shtojmë dhe vendimin e fundit me burgosje të deputetit Salianji, pas një tjetër serie vendimesh knotroverse ndaj kryetarit të opozitës Berisha nga një gjyqtare e akuzuar me tre identitete, reforma në drejtësi në sytë e opozitës shqiptare nuk mund të lexohet si një sukses. Përkundrazi, ajo lexohet tanimë si një drejtësi e politizuar që mbron pushtetin dhe dënon opozitën. Më 7 tetor, opozita shqiptare ka thirrur një protestë për të ndaluar këtë rrëshqitje tejet të rrezikshme për vendin e rajonin ballkanik. Protesta aspiron standartet e demokracive kontinentale. Ajo sheh drejt perëndimit dhe është pasqyrë e lidhjes së jashtëzakonshme mes kombit shqiptar e atij amerikan, dhe njëherazi e orientimit të padiskutueshëm euro-atlantik të elitave dhe popullit shqiptar. Shqiptarët aspirojnë një drejtësi që nuk ka frikë të hetojë as familjarët e Presidentit Biden dhe as Kryetarin e Bashkisë së NY. Më 7 tetor, shqiptarët kërkojnë një drejtësi si gjithë amerika, një shqipëri si gjithë europa. Asgjë më pak.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco