Ervin Salianji është dënuar pa ligj! Dhe ky fakt është ulëritës

Ervin Salianji është dënuar pa ligj! Dhe ky fakt është ulëritës

Nga Ylli Manjani - 27/09/2024

Ky është një fakt shumë i rënë për realitetin e këtij shteti që nuk e dinë më se ç'emër e formë ka.

Nuk ka në Kodin Penal të këtij shteti asnjë nen që të lejojë dënimin e dikujt për kallzim të rremë publik.

Nuk ka.

"Kallzim publik" është term i sajuar, sepse nuk ekziston në ligjet penale të vendit.

Kallzimi, që të quhet i tillë, bëhet para prokurorit ose policit gjyqsor. Jo në televizor, as në podiumin e një partie politike.

Kallzimi nuk është as denoncim publik, as deklarim në një sallë gjyqi. Por një njoftim me shkrim ose me zë përpara një prokurori ose polici të shtetit.

Këtë njoftim me shkrim apo me zë, Ervin Salianji nuk e ka bërë. Ndaj nuk ka kallzim të bërë.

Atëherë, kur nuk ka kallzim si qenka i rremë?! Duhet të ekzistojë kallzimi më parë pastaj gjykimi nëse është i vërtetë apo i rremë. Ky është ligji i shkruar.

Vendimet e gjykatave që kanë shpikur termin "kallzim publik", nuk bazohen askund në një ligj të shkruar.

Kjo praktikë bie ndesh me nenin 29 të Kushtetutës, ku ndalohet kategorikisht dënimi i dikujt pa një ligj të shkruar.

As në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur kjo gjë. Të dënonin për agjitacion e propagandë, por mbi bazën e një ligji të shkruar (neni 55 i atij kodi penal).

Ligji i shkruar është kusht për dënimin e cilitdo. Ligji i shkruar është vendosje kufinjsh paraprakë për njerëzit të cilët e dinë se po i shkelin ndaj dhe dënohen.

Si mund të dënohesh për diçka që ligji nuk e parashikon?! Nga duhet të ruhet njeriu, nëse u dënoka pa ligj?!

Në cilin vend anëtar të Këshillit të Europës, NATOS apo të BE ndodh kjo gjë?! As në Shqipërinë e deri sotme nuk kishte ndodhur kjo gjë, pra të dënohesh pa ligj për një deklaratë publike!

Dënimi pa ligj është edhe më i rëndë se dënimi pa prova!

Dënimi pa ligj sjell pasiguri, mungesë garancish.

Dënimi pa ligj për fjalë goje, sjell humbje të lirisë së fjalës.

Dënimi pa ligj i kritikëve të qeverisë, që në thelb dëmton oponencën politike në vend dëmton demokracinë.

Gjykoj se Gjykata e Lartë, pavarsisht se nuk kam ndonjë pritshmëri, duhet të ndërhyjë menjëherë që të rivendosë autoritetin kushtetues në vend.

Duhet ta bëjë këtë, jo thjesht për Ervin Salianjin, por për garancitë kushtetuese në këtë vend. Për të dhënë menjëherë mesazhin ligjor se liritë e të drejtat kushtetuese nuk preken, për asnjë interes politik apo personal.

Duhet ta bëjë për ndalimin e prerë të dënimit pa ligj.

Duhet ta bëjë për të lejuar demokracinë dhe pluralizmin, të paktën në standartet bazë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco