Putini i Ballkanit

Putini i Ballkanit

Nga Armand Maho - 26/09/2024

Edi Rama asnjëherë s’ka ditur të fitojë si burrë një palë zgjedhje. Goditjet poshtë brezit, apo pazaret e pista politike kanë qenë dhe janë përherë strategji e tij për të mbajtur pushtetin, i cili i jep goxha benefite për miqtë e tij, investitorë strategjikë ose jo. Pas mbajtjes peng të vulës, arrestit prej gati një viti të Sali Berishës, marrjes me metoda të sigurimit të shtetit të Bashkisë Himarë, sot ishte goditja e radhës që ai i jep fushatës elektorale dhe pluralizmit në vend.

Ervin Salianji është drejtues politik në Elbasan dhe duhet pranuar se është një nga njerëzit më afektivë që ka opozita në aksionet e saj. Rezultati i Korçës i vitit 2021 apo dhe drejtimi i fushatës në Kavajë në vitin 2023, ishin disa të dhëna që për Edi Ramën ishin të papranueshme.

Shumëkush mund të mendojë se ky ishte një favor që iu bë Fatmir Xhafës, pasi jo pak herë janë përfolur deklaratat e tij lart e poshtë kafeneve të Tiranës, që Salianjin donte ta shikonte në burg si hakmarrje për burgosjen e vëllait të tij trafikant, e cila u shoqërua dhe me shkarkimin e tij nga Ministër i Brendshëm.

Por nuk është kështu.

Fatmir Xhafa është një sejmen si gjithë të tjerët që nuk ka fuqi as ta pickojë Ramën dhe jo më ta godasë.

Ervin Salianji nuk po dënohet se denoncoi një trafikant i cili jo vetëm bridhte lirshëm por dhe vijonte të ushtronte aktivitetin e tij në Vlorë për shkak të lehtësirave që i vinin nga i vëllai, ish hetues i komunizmit dikur, sot  njeri i pushtetit, por sepse duhet të jetë Rama ai që cakton opozitën.

Kryeministri, duke përdoru “Kmerët” e tij në gjykatë, kërkon të përçojë mesazhin e frikës për çdo zë opozitar në këtë vend, për çdo njeri që e përçmon pushtetin e tij të përçudnuar tashmë deri në gjenezë.

Ashtu si Sali Berishën edhe deputetin Salianji ai nuk e do në terren. Haberet se ai po bënte një punë të mirë me strukturat dhe njerëzit në Elbasan, e kanë turbulluar jo pak Ramën, i cili për të shprehur tërbimin e tij qartazi nuk ka pranuar asnjë dënim tjetër përveç burgut.

Sado të llastohen lart e poshtë sejmenët dhe lëpirësit e kryeministrit për ta justifikuar, është e qartë se kemi të bëjmë me  një dënim politik. Reja e zezë e diktaturës, e fshehur nën çitjanet e demokracisë që na servir pushteti, ka kohë që vërtitet rreth nesh. Është e turpshme dhe rrënqethëse njëkohësisht.

Ky nuk është më stabilitet. Ndërkombëtarët me heshtjen dhe aprovimin e tyre nuk po kontribuojnë për stabilitetin, por në ndërtimin e një monstre që më shumë se 33 vjet pas rënies së komunizmit, nuk e mendonim kurrë se do na fanepsej sërish. Këta ndërkombëtarë sot që heshtin pas këtyre mynxyrave janë po aq apo më shumë përgjegjës se vetë Rama. Sot ata po na shëmbëllejnë si misionarët kinezë dikur që shoku Mao dërgonte për t’i dhënë një dorë regjimit. Sepse ajo çpo ndodh me Shqipërinë, vetëm demokraci dhe shtetbërje nuk është. Edi Rama mund të quhet me plot gojën Putini i  Ballkanit...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco