E nderuara znj. Von der Leyen, pse Evropa sot nuk e monitoron më Shqipërinë, si dikur paraardhësit tuaj?!

E nderuara znj. Von der Leyen, pse Evropa sot nuk e monitoron më Shqipërinë, si dikur paraardhësit tuaj?!

Nga Ndriçim Kulla - 20/09/2024

Për dijeni ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Silvio Gonzato

Në dyert e kyçura të opozitës me kyçin e madh të Sekretarit të Shtetit z. Antony Blinken, ju evropianët nuk vonuat të vendosnit  edhe kyçin tuaj. Pamë qëndrime të pa imagjinueshme të dënimeve të heshtura kolektive, të cilat në tërësinë e tyre nuk janë ushtruar kurrë më parë.

Çfarë po ndodh me ju?

Pse e keni dënuar opozitën shqiptare me braktisje?

Në emër të kujt?

Mos vallë edhe ju në emër të miliarderit Xhorxh Soros dhe lobimeve të tij?

Keni ndonjë urdhër apo orientim për këtë?

Fenomene, të cilat të bëjnë të dyshosh se edhe bota perëndimore hera-herës bëhet e centralizuar dhe vepron nën diktatin e arrogancës.

Si qytetar dhe intelektual shqiptar, do isha shumë më i lumtur të gjeja fjalë më të ëmbla, teksa dëshiroj t’iu bëj prezent një përkushtim, që sot po i mungon qartë Evropës ndaj Shqipërisë.

Znj .Von der Leyen, “Edi juaj i dashur”, sipas mendimit tim, veç të tjerave, është edhe krijesa juaj monstruoze, me të cilin ju u sollët çuditërisht, duke i dhënë çdo mbështetje të pa kontrolluar personale që ai iu kërkoi, për ta kthyer në një sundim të vërtetë në tërë “zululandin” e tij shqiptar, që ai ka krijuar. 

Ndaj një reformatori të mirënjohur shqiptar, i cili udhëhoqi më së shumti transformimin social-ekonomik dhe politik në Shqipëri gjatë 34 vjetëve, duke e shpënë Shqipërinë në NATO, duke kurorëzuar lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë, madje tërë udhëtimin e vendit tonë drejt Evropës, të cilin e shpuri deri në prag të derës suaj, ju pranuat faktin e pakontestueshëm “të varjes në litar” pa gjyq që i bëri Sekretari i Shtetit, z. Antony Blinken.

Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, parimeve dhe normave të drejtësisë, ne si votues dhe taksapagues të këtij shteti sovran, më se njëherë i kërkuam z. Blinken publikisht, provat e shënjestrimit të kryetarit të opozitës shqiptare, mirëpo miqtë amerikanë deri më sot nuk kanë denjuar të na japin kurrë asnjë provë.

Politika juaj konfuze, mjaft indiferente dhe me interes të shuar  ndaj vendit tonë në këtë periudhë, nuk e mori kurrë mundimin të respektonte si referencë asnjë nga rezultatet e bashkëpunimit të paraardhësve tuaj të afërt, me të cilët u këmbyet, për të verifikuar revanshin politik të “Edit tuaj të dashur” ndaj kundërshtarëve opozitarë sot në Tiranë.

Ne e dimë më mirë se ku  jetojmë, se çfarë po ndodh këtu tani, pasi jemi ne subjekti që e vuajmë përditë keqqeverisjen, korrupsionin, krimin e tmerrshëm të organizuar brenda të cilit është përfshirë së bashku me sistemin edhe “i dashuri Edi juaj”, tonelatat e drogës, represionin, vjedhjen e zgjedhjeve dhe burgosjet politike.

Është fakt i pamohueshëm se raportet e bëra publikë nga forumet dhe organizatat e Bashkimit Evropian, kanë qenë më se korrekte dhe kanë denoncuar me realizëm skëterrën ku e ka futur regjimi demokracinë, lirinë politike, rikthimin e luftës së klasave, shtetin ligjor, grabitjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale etj, etj,.

Ndërsa, duke përfshirë edhe mesazhet tuaja, me ju ka ndodhur e kundërta; keni shpërblyer me dashamirësi autorin kryesor të regjimit, kur ju e dini shumë më mirë se askush, që ai po e mban Shqipërinë larg Bashkimit Evropian.

“I dashuri Edi juaj!”, sot është bërë metafora që vret me shëmtinë e saj të hidhur të një  tragjedie, perspektivën evropiane të Shqipërisë. Kjo është një periudhë politike e vështirë për ne, e cila shpreh së paku, edhe braktisjen e vlerave tuaj perëndimore ndaj nesh, indiferentizmin tuaj dhe të institucionit shumë të rëndësishëm që ju drejtoni ndaj shqiptarëve.

Hitleri, piktor gjerman, kur i vodhi natyrës lulet e bukura, me të cilat tentoi të realizonte imazhet e pikturave të  tij të dështuara, e ktheu tërë Gjermaninë dhe më vonë tërë Evropën në një katastrofë të vërtetë, aq sa viktimat ende ulërasin në të gjithë kujtesën e qytetërimit tonë deri në ditët e sotme.

Edi Rama për ju është i dashur dhe as të mos ju shkojë ndërmend, se ne jemi xhelozë për këtë. Por për ne ai është bërë një kolerë e vërtetë.

Shumica e shqiptarëve monstrën që na qeveris sot e quajnë regjim. Ndërsa ju i drejtoheni me përkëdhelje ledhatuese: “I dashur Edi!”

Ju edhe pse jeni miqtë tanë, po qëndroni shumë larg së vërtetës.

E çuditshmja e kësaj është, se ajo që ju ka lidhur me këtë personazh “shumë të dashur për ju”, është Shqipëria.

Dhe për këtë arsye institucionet tuaja duhet të kishin gjetur rrugën dhe ti ishit drejtuar, përveç Edit edhe Shqiptarëve, tek sa ata vuajnë padrejtësitë e regjimit të tij dhe detyrohen të ikin nga ky vend .

Ende nuk e keni vënë re se në Shqipërinë e dikurshme evropiane ka marrë formë të plotë një regjim?!

Përgjegjësi kryesor mbetet “Edi juaj i dashur”.

Po marr guximin që t’iu pyes:

A keni ju ndonjë ide për fenomenin tragjik të ikjes së afro një milion e gjysmë shqiptarëve në tre mandatet e qeverisjes së “ Edit”?

Arsyeja nuk mund të ketë rënë nga një qiell i nxirë me fortunë dhe bubullima. Ajo vjen si pasojë e diferencimit klasor që ky regjim po u bën njerëzve.       

Po qe se bëjmë një krahasim me popullsinë e Gjermanisë suaj, i bie që për 12 vjet nga atdheu juaj të kishin ikur afërsisht  42 milion gjermanë. A nuk do ishte kjo një tragjedi me përmasa biblike për ju?!

Këtë nuk arriti që tua bënte as Hitleri, megjithëse shumë të këqija të tmerrshme iu ka bërë gjermanëve dhe tërë evropianëve. Kjo është tragjedi e rëndë për ne dhe bashkë me këtë dhimbje ne po vuajmë edhe dhimbjen e humbjes së perspektivës.

- A keni patur rastin ju të shikoni ndonjë fotografi të thjeshtë, ku lideri i opozitës shqiptare Dr. Sali Berisha është duke folur para admiruesve demokratë në ritualin e çdo mbrëmjeje në ora 20.00 nga dritarja e ballkonit të shtëpisë, sepse është në arrest shtëpie?

Ky është një turp i madh edhe për Europën e vlerave.

- A mund ta ndjeni veten të lirë në kurajën tuaj kur ju akuzoni ose do të akuzoni në betejat tuaja politike Putinin, Lukashenkon, Maduron apo diktatorë të tjerë të globit për gjyqet dhe burgimet politike me qëllim që të heqin qafe kundërshtarët?

- Ju e keni në oborrin tuaj njërin prej tyre  dhe më e keqja është se bëni sikur nuk e shihni.

- Nuk është problem i drejtësisë.

- Drejtësinë të parët e duam ne. Ky është problem i padrejtësisë.

- Ata duan që ta nxjerrin përsëri kryetarin e opozitës nga gara në zgjedhjet e vitit 2025 dhe pushteti i krimit, drogës, korrupsioni dhe zgjedhjet e grabitura të vazhdojnë rrugën e tij me  mbretërim .

- Ka shumë shkelje të֝ mëdha në këtë proces të montuar politik, të cilat e zhveshin sistemin lakuriq .

Pë fat të keq, në raport me ne sot , ju jeni fokusuar më shumë tek poturet e beut otoman, tek çitjanet, tek kostumet e stolisura dhe të dizenjuara nga stilistët më të famshëm evropianë apo shkarravinat e tij absurde, që i shet si piktura dhe i shëtit nga një kontinent në tjetrin, nga një qytet evropian në tjetrin me lekët e taksapaguesve shqiptarë, se sa tek të hidhurat që po ndodhin në Shqipëri.

Juve iu ka magjepsur imazhi i tij dhe nuk e keni vënë re mirë sjelljen e tij prej diktatori.

Pra, ka diçka tragjike që e bën më të errët perspektivën e vendit tonë me indiferentizmin tuaj  .

E ku qëndron thelbi i  saj  tragjike?!

Qëndron pikërisht tek e vërteta e të gjitha të vërtetave. Evropa sot nuk e monitoron më Shqipërinë si dikur paraardhësit tuaj me shumë sukses  edhe pse Shqipëria po lëngon nga korrupsioni,  nga padrejtësitë, nga përndjekjet politike ,nga droga dhe paratë e pista të trafikut të kokainës, të cilat tashti çajnë qiellin me kulla deliri, që përveçse kanë shkatërruar tokën e parqeve publike nuk do t’i ofrojnë asnjë shërbim ekonomik vendit tonë dhe shqiptarëve.

 Ndriçim Kulla është studiues, publicist, ish botues ,autor i dhjetra librave studimorë, letrarë dhe politikë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco