Si i fabrikon Rama 'yjet në ngjitje' të Rilindjes

Si i fabrikon Rama 'yjet në ngjitje' të Rilindjes

Nga Armand Shkullaku - 19/09/2024

Edi Rama i është përgjigjur flakë për flakë stuhisë tallëse në rrjet, që shpërtheu pas daljes në publik të atyre që u prezantuan si “rising stars” të Partisë Socialiste, duke emëruar më të spikaturën prej tyre, zonjën Ilva Gjuzi si zëvendës ministre të Turizmit. Kryeministri ka dashur të sfidojë kështu mbarë opinionin, i cili mbeti me gojë hapur disa ditë më parë, kur “yjet e reja” të Rilindjes deklaruan pak a shumë se Edi Rama ka vetëm një të metë: është më i mirë seç duhet.

Çdo drejtues i një force politike, aq më shumë i një shteti, do të ulte kokën dhe do të skuqej përballë një deformimi të tillë të gjeneratës së re. Madje, me rreth 25 vite në pushtet, do të ndihej përgjegjës për modelin që ka projektuar dhe promovuar si “elitën” e ardhshme të vendit. Mirëpo Edi Rama bëri pikërisht të kundërtën: Sa më i deformuar, sa më servil, sa më patetik e qesharak në venerimin e liderit, aq më shpejt i kap majat e pushtetit. E para prej tyre, dje u bë numri dy i sektorit të shpallur si strategjik nga udhëheqësi, turizmit.

Prezantimi katastrofik i “yjeve” të Rilindjes, provokoi një diskutim dhe reagim shoqëror, i cili u përqëndrua kryesisht dhe pa të drejtë tek tre të rinjtë si simbol i një brezi të përçudnuar nga pushteti ndërkohë që duhet të ishte shpirti i lirë i ndryshimit të realitetit. Sulmet dhe talljet ndaj tyre ishin shproporcionale, memet dhe humori në mjaft raste u bënë denigruese, duke dëshmuar kështu edhe një herë tjetër handikapin e madh të shoqërisë sonë, që merret me shfaqjen dhe refuzon të shikojë thelbin e fenomenit.

Gjëja më e lehtë është shënjestrimi i dikujt që dobësinë apo deformimin e pësuar e shfaq publikisht. Pra në këtë rast, i gjithë mllefi i shoqërisë derdhet tek tre personazhe të rinj, që nga shpresë janë shndërruar në fshesë të së ardhmes, dhe jo tek inxhinieri pervers që, për më shumë se një dekadë, ka ndërtuar një fabrikë ku mendja dhe dinjiteti janë asgjesuar nga prodhimi në masë i servilizmit dhe debilitetit. Eshtë pikërisht modeli që ka instaluar Edi Rama dhe propaganda e shfrenuar që e lartëson atë, të cilat kushtëzojnë çdo prurje të re tek partia në pushtet.

Përveçse i padrejtë, mllefi i shfrenuar ndaj “yjeve” të Rilindjes, është edhe hipokrit. Sa janë shtuar sot njerëzit që nuk preferojnë të ngrenë zërin, por të pranojnë me kokën ulur çdo padrejtësi? Sa prindër i këshillojnë fëmijët e tyre të pajtohen me realitetin, të futen në parti e t’i bëjnë like shefit të madh, si e vetmja mundësi për të kapur një vend pune? Në një mjedis të tillë, është shumë e lehtë të peshkosh gjuza apo kaçe, që shërbejnë për të përtërirë gjakun e prishur të Edi Ramës.

Duke u ndalur tek faktorët e këtij deformimi të gjeneratës së re, që janë modeli i imponuar nga pushteti dhe rezistenca e dobët e shoqërisë, shfaqja e tre personazheve të PS ka vlerë vetëm si tregues se në ç’nivel kemi rënë. Ndërsa reagimi i kryeministrit, pas kësaj shfaqjeje, ka vlerë për të kuptuar si kemi ardhur deri këtu dhe çfarë do të jetë “Shqipëria 2030” në projektin e Edi Ramës.

Emërimi zëvendësministër i dikujt, pas një performance veleritëse servilizmi dhe boshësie, nuk është thjesht trilli i një mendjeje të sëmurë. Por është akt i menduar mirë për të përçuar mesazhin se, po, vetëm njerëz të tillë, që adhurojnë liderin, që nuk mendojnë por recitojnë, bëjnë përpara. Dekreti i Ramës është koncentrat i viteve të tëra propagandë që më në fund po jep frytet e veta. Një shpëlarje masive trush, ku sa më mirë ta kesh kryer procesin, aq më lart ngrihesh dhe aq më pranë udhëheqsit frymon. Nuk do të jetë çudi kur një ditë, Njeriu i Ri i Rilindjes, do të ketë vetëm një fjalë për Edi Ramën: marrtë nga ditët tona! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco