Urrejtja në 500 faqe

Urrejtja në 500 faqe

Nga Hysni Gurra - 17/09/2024

Ka vetëm një fjalë që përshkron 500 faqet e aktakuzës ndaj z. Berisha, urrejtja.

Në pritje të një dokumenti, fakti, prove, mediat e qeverisë po ushqejnë publikun me fantazi, gënjeshtra, sajesa nën moton: shpif, shpif se diçka do të mbetet.

Dhe në mungesë të fantazisë po riciklohen edhe shpifjet që u sqaruan njëherë, para një viti.

Një gazetare e kronikës e përshkroi hetimin më shumë se tre vjet për këtë çështje kur tha se është bërë “vetting financiar”.

Dhe çfarë ka dalë? Asnjë qindarkë publike. Asnjë qindarkë e një biznesmeni, mbështetësi, apo simpatizanti. Zero.

Asnjë qindarkë taksë e pa paguar.

Çdo veprim financiar përmes bankës…

Por ajo çfarë propaganda e SPAK dhe e qeverisë janë kujdesur në ekstrem që nga dita e parë është rropatja për të mbajtur gjallë  me çdo kusht narrativën e “pasurisë”, duke menduar se njerëzit këtu janë ende në vitet 90.

A është Jamarbër Malltezi njeri i varfër?

Përgjigja është jo.

A ka marrë qoftë edhe një qindarkë nga fondet publike? JO!

A ka një metër katror pronë publike? JO!

A ka paguar taksat dhe detyrimet financiare për pasurinë e vënë? PO!

A ka një dokument të vetëm që të thotë të kundërtën? Jo!

Duke luajtur me “narrativën e pasurisë”, tellallët e qeverisë përpiqen të krijojnë idenë se Malltezi u pasurua gjatë viteve të qeverisë Berisha.

E vërteta është krejt ndryshe për ata që duan të shohin faktet dhe të vërtetën. 

Pa ardhur Berisha në pushtet më 2005, vajza e tij dhe bashkëshorti deklaruan të ardhura të konsiderueshme nga puna jashtë Shqipërisë në institucione ndërkombëtare.

Gazetat e kohës e përmblodhën pasurinë e saj në rreth 1 milionë dollarë.

Ka bërë deklarim për pasurinë në ILKDP (zonja Malltezi) edhe pse ligji nuk ja kërkonte.

Çështja që ka marrë emrin e “klubit partizani” është e thjeshtë për këdo.

Mjaftojnë pesë fjali dhe jo 500 faqe.

Klubi jo vetëm nuk ka qenë funksional, por ishte një territor i zënë me forcë, mes të tjerash dhe nga 42 familje. Familje që nuk u hodhën në rrugë, por ju dha shtëpi po aty, nga njerëzit fisnikë që zotëronin pronën.

Përveç shtëpisë, komuniteti aty mori edhe çerdhe dhe shkollë.

Padia e rreme e Taulant Ballës (dosja Partizani) është mbështetur mbi shpifjen që është pronë e shpronësuar nga italianët. Vetë SPAK e pranon që është gënjeshtër.

Pronarët kanë paguar 800 mijë dollarë për të privatizuar rrënojat që të merrnin pronën e vet.

Privatizimi i këtij terreni ka nisur nga qeveria socialiste.

Ndryshimi i destinacionit të terrenit është bërë nga kryebashkiaku Edi Rama që në 500 faqe nuk guxojnë t’i përmendin emrin prokurorët e “pavarur”.

Të zotërosh tokë në Tiranë (tokën tënde) dhe të zgjedhësh të investosh vetë në ndërtim, fitimi është mëse i garantuar.

Prona private dhe zhvillimi i saj nuk është krim, përkundrazi kjo pasuri e vënë prodhon pasuri dhe është e mirë e përgjithshme.

Familja Malltezi nuk e ka përmendur kurrë bamirësinë që kanë bërë në heshtje ndër vite. U deshën “torollakët” që menduan se të bësh bamirësi është krim, që të merret vesh se bëjnë bamirësi, japin zekat dhe kontribuojnë për komunitetin.

Të kontribuosh për familjen qenka krim.

Të paguash shpenzime shëndetësore për prindërit qenka hata!

Zot na ruaj mendt e kokës!

Dhe një detaj që mungon në 500 faqet e mbushur me “detaje”, pasuria e z. Malltezi është zhvilluar kryesisht në vitet që nuk ka patur pushtet Berisha.

Në mungesë të fakteve dhe provave në treg riciklohen edhe sajesa, një prej të cilave të bën për të qeshur:  është rasti “gjeneralit që nuk pranoi…”.

Kush ka lexuar aktakuzën e spakistëve e ka të qartë se kemi të bëjmë me një “gjeneral ose të kapur ose të paaftë”.

E vërteta është se prona që ishte e privatizuar, e paguar duhej dorëzuar- dhe jo të mbahej nën zaptim nga njerëz që jo vetëm e shfrytëzonin si “mall të babës”, por nuk kishin asnjë leter dhe nuk paguanin prej vitesh asnjë cent tarifë apo taksë.

Dhe vetë “gjenerali” thotë me shkrim: “nuk futemi dot atje”.  Po të ishte vetëm kjo sajesë gjysma e së keqes, por fakti që e hedhin sërish në treg, tregon jo mungesën e provave, por edhe shterpësinë në fantazi.

Koha është gjykatësi më i mirë!

Dhe koha po e bën punën e vet.

Tani do të vijë radha e mbrojtjes.

Mbrojtja për këtë çështje ka një punë shumë të lehtë dhe kjo falë “punës” së spakistëve.

Ndërkohë që është e qartë strategjia e zvarritjes dhe përbaltjes nga akuza.

Dhe ajo çfarë është ulëritëse (që nuk është temë e këtij shkrimi) janë standartet e dyfishta.

Kanë bllokuar pasuritë e z. Malltezi - pasuri e vënë me djersë dhe mund dhe nuk sekuestrojnë për shembull pallatet e kompanisë “5 D” të bashkisë së Tiranës- rasti i padëgjuar që drejtorët marrin paranë publike dhe 100% e kalojnë në xhepat e vet.

Të shpenzosh vite duke bërë “vetting financiar” në tre breza, të mos gjesh asgjë, asnjë abuzim, asnjë shkelje ligji, asnjë problem me taksa dhe tatime dhe të nisësh sajesa dhe luftë politike, të gënjesh edhe me dokumenta është guxim që vetëm i paafti dhe njerëzit pa karakter mund ta bëjnë.

Urrejtja është si uthulla dëmton më shumë enën e vet.

“Urrejtja klasore/ideologjike/politike e kësaj çështje e ka edhe anën e vet “pozitive”: do të garantoj një spektakël në gjykatë.

Është vetëm fillimi i çmontimit të akuzave politike dhe këmbana që bie për të gjithë ata që nuk kanë patur kurrë punë me fonde publike dhe me zyrat e shtetit.

Është këmbana e drejtësisë bazuar mbi ligj dhe jo mbi direktiva dhe urdhëra, nga kushdo qofshin ato.

Dhe e fundit, në katër vite hetime, rilindja dhe drejtësia politike e Edi Ramës kanë harxhuar miliona lek për të sajuar një dosje, duke fshehur e fallsifikuar dokumenta dhe për të konkluduar se të jesh pronar në Tiranë qenka mëkat.

Të jesh besimtar dhe të japësh zekat qenka mëkat.

Të qarkullosh e deklarosh gjithë ekonominë tënde familjare dhe të aktiviteteve të tua, edhe kur nuk ta kërkon ligji, përmes bankave, në mënyrë të ligjshme dhe transparente qenka mëkat.

Përfundimi, 500-faqe për të justifikuar 4 vite rroga të hetuesve politikë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco