Lajmi i fundit

Ndarja nga jeta e ish-deputetit Gerti Bogdani/ Berisha: Lajm i zi, një humbje e madhe për PD-në, një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare

Kur bamirësia është korrupsion dhe korrupsioni bamirësi

Kur bamirësia është korrupsion dhe korrupsioni bamirësi

Nga Hysni Gurra - 14/09/2024

Në hetimin prej tri vitesh ndaj ish-kryeministrit Berisha, SPAK në përpjekje për të mbushur faqet dhe justifikuar para padronit politik është vetëdiskretituar duke paraqitur si “korrupsion” bamirësinë.

Ndërkohë që korrupsionin me fondet publike që ulëret prej vitesh e konsideron “bamirësi”.

Është folur shumë për të ashtuquajturën “Dosja Partizani”.

Me dy fjalë: “afera” konsiston që pronarët pas një sorollatje prej vitesh marrin pronën e vet. E zhvillojnë dhe madje në pronën e tyre i dhurojnë jo vetëm zaptuesve shtëpi, por edhe kopësht dhe çerdhe moderne për zonën.  Dhe kjo është bamirësi me lekët e pronarëve.

Nuk është “bamirësi” me fonde publike dhe as me fushata publike.

Po ashtu z. Malltezi akuzohet që ka bërë bamirësi me paratë e veta për fëmijët autikë. Po të mos ishte akuza e SPAK pak njerëz do e mësonin se familja

Malltezi bën bamirësi. Sepse bamirësia ka kuptim kur “jep e djathta, të mos e shohë e majta”.

Por për prokurorinë politike ky është krim!

E padëgjuar në historinë e lashtë dhe të re   të bësh bamirësi dhe të përfundosh në akuzën e prokurorëve politikë.

Një tjetër “perlë” e shkruar nga prokurorët është se ‘z. Malltezi nuk i gjetëm asgjë, as komunikim, as gjë prej gjëje dhe konkludojmë se roli i tij ka qenë i fshehtë”.

Për nga imagjinata ja kalojnë edhe shkrimtarëve të librave thriller.

Po çfarë ndodh në anën tjetër? Miliona euro “avullojnë” me letra dhe pa letra dhe SPAK dhe drejtuesi i saj thonë se “është krim intelektual” dhe është vështirë të kapet.

Në SHBA, Mc Gonigal është dënuar për paratë që ka marrë këtu, ndërsa këtu paratë që ka marrë Mcgonigal konsiderohen bamirësi.

Bamirësi është për SPAK edhe qindra milionë euro për incineratorë që jo në realitet, por nuk i gjen as në letër. Bamirësi janë edhe koncesionet në shëndetësi.

Bamirësi janë tenderat ku me një të rënë të lapsit fluturojnë 50 milionë euro (tuneli Llogarasë), bamirësi është edhe tentativa e kryeministit për t’i dhënë vëllait të vet dhjetëra hektarë në Jug të vendit.

Bamirësi janë për SPAK dhe pronat e grabitura dhe pasuritë e vëna nga drejtorët e 5D të bashkisë së Tiranës.

Mesa duket bamirësi janë edhe pronat publike që janë marrë me vendim qeverie dhe i janë dhënë klientëve të qeverisë.

Por për SPAK është korrupsion kur merr pronën tënde, është abuzim kur zhvillon pronën tënde dhe krim kur bën bamirësi me paratë e tua.

Për të ndihmuar sadopak të vetëdiskretituarit, edhe sipas fjalorit të gjuhës shqipe:

“Korrupsion - nënkupton çdo shkelje të detyrës së personave zyrtarë ose përgjegjës në subjektet juridike dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo përfituesve të kësaj sjelljeje, e drejtuar si përgjigje ndaj një shpërblimi që drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar apo është pritur për t’u marrë për veten apo për një person tjetër”

Po sipas fjalorit, bamirësi apo mirëbërës është dikush që “bën të mira, që ndihmon të varfrit a nevojtarët”

Kështu zonja dhe zotërinj të SPAK-ut hapni fjalorin dhe mësoni çfarë do të thotë të jesh bamirës, çfarë do të thotë të jesh abuzues, çfarë do të thotë të jesh i korruptuar dhe mbi të gjitha çfarë do të thotë të jesh i (vetë)përdorur.

Boll me spektakël!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco