Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha konference për mediat

Kërcënimet e Vuçiç, seminaret e vasalit të Beogradit dhe akuza kundër liderit të opozitës

Kërcënimet e Vuçiç, seminaret e vasalit të Beogradit dhe akuza kundër liderit të opozitës

Nga Agim Nesho - 14/09/2024

Gjithmonë Ballkani ka qenë fushë beteja ku përplasen interesat e fuqive të mëdha. Dhe jo vetëm për ndarjet dhe tensionet etnike, që siç e ka shprehur Churchill “ka shumë histori për tu përtypur”, por për atë që diplomati i madh Kissinger e ka shprehur qartë që “janë fuqitë e mëdha që provokojnë Ballkanin, jo popujt e Ballkanit”.

Sot Ballkani Perëndimor është kthyer në një zonë të rrezikshme konflikti, në një kohë kur oreksi i Rusisë revizioniste nuk mund të përfundojë vetëm në Ukrainë. Nevoja e saj për tu rikthyer si një fuqi botërore dhe për të rinegociuar me BE-në sigurinë europiane dhe zonat e influencës e bën Ballkanin një rajon të mundshëm konflikti. Nuk është vetëm tradita, feja, popullsia sllave apo bashkëpunimi i saj tradicional me Serbinë, por edhe politikat e njëjta nacionaliste dhe regjimet autokratike që po lulëzojnë në Ballkan. Në këtë situatë delikate, regjimi i nacionalistëve të rinj serbë kërkon të rivendosë dominimin e tij në Ballkan.

Vuçiç e kupton që Perëndimi nuk ka kohë të merret me një konflikt tjetër në Ballkan prandaj luan me politikën e tij të baraslarguar nga Perëndimi, Rusia apo Kina. Ai luan me një palë ndërkohë që i shkel syrin palës tjetër, shpreh një retorikë force, kërkon të ndryshojë gjeopolitikën ballkanike, por nuk harron asnjëherë nevojën që ka për fondet e BE-së. Një Serbi e lidhur vetëm më Lindjen do të ishte vetëm një kopje e keqe e Rusisë imperiale, që do të ruajë politikat e saj nacionaliste, një shtet i rrezikshëm por jo i fortë ekonomikisht në Ballkan.

Perëndimi i lodhur dhe i angazhuar në mbrojtje të rendit ndërkombëtar jo vetëm është indiferent ndaj retorikës së Vuçiç por duket se marrëdhëniet e tij të ardhshme kërkon ti shikojë brenda një kompromisi për të qetësuar ambiciet nacionaliste të Serbisë. Për më tepër që edhe grupe interesi në SHBA dhe Europë lobojnë për një zgjidhje të tillë oportuniste duke i dhënë diçka Serbisë për të sjellë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Dje, Vuçiç ju drejtua kombit për situatën kërcënuese në Kosovë. Për shumë analistë kjo retorikë u vlerësua si retorikë boshe, për qëllime politike të brendshme dhe nuk përmbante një rrezik për stabilitetin e rajonit. Në fakt kërcënimi i Vuçiç ishte real, një provokim i plotë ndaj një shteti sovran si Republika e Kosovës dhe zbatimi i një plani afatgjatë për të mbajtur ndezur “konfliktin e ngrirë” në veri të Kosovës, për ta provokuar atë realisht kur interesat e Rusisë të përqendrohen në Ballkan. Plani i tij për të mbrojtur interesat e “shtypura” të serbëve në veri të Kosovës, duke mundësuar funksionimin e një shteti paralel brenda sovranitetit të Kosovës, ishte sa një provokim ndaj Kosovës aq edhe një testim ndaj Perëndimit, se si do të jetë reagimi i tyre. 

Vuçiç shikon një Perëndim të pafuqishëm që më shumë merret dhe kritikon kryeministrin Kurti se po provokon kur ai zbaton detyrat e tij kushtetuese; një perëndim që kërkon normalizim të marrëdhënieve midis vendeve por nuk thotë asgjë për Kushtetutën e Serbisë, që Kosovën e njeh  si pjesë të territorit të saj, por që nuk e vë si parakusht për ndihmat europiane; një perëndim që nuk merr masa për armatimin e Serbisë por e shikon si arritje kur shet aeroplanët e tij luftarake; një perëndim që po sillet me naivitet si në Konferencën e Munich-ut (1938) kur mendonte se Hitleri po mbronte të drejtat e minoritetit gjerman në Çekosllovaki, por nuk po shihte planet e tij të ekspansionit në të gjithë Europën.

I vetmi argument i Perëndimit për këtë politikë “mirëbesimi” është përkrahja që vjen nga regjimi korruptiv i Tiranës, që njeh bashkëpunimin me Vuçiç dhe ka pranuar bashkëpunimin me regjimin nacionalist të Serbisë si një zgjidhje “stabiliteti”, por kundër interesave të kombit Shqiptar. Shikoni reagimin e regjimit të Ramës pas kërcënimeve të Vuçiç: - zero.

Çdo regjim demokratik do të mbante qëndrim në mbrojtje të parimeve kryesore të së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtjen e sovranitetit të çdo vendi, aq më tepër të shtetit të Kosovës. Edhe në qoftë se justifikohet se nuk do të ngrejë tensionet ne rajon, duhet  të veprojë në mënyrë asimetrike duke miratuar në parlament rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë, duke kërkuar mbrojtjen e minoritetit Shqiptar në Preshevë, ku po veprohet për asimilimin dhe zhdukjen e të drejtave të shqiptarëve, pa pretenduar të bënte një veprim force si Erdogani, kur deklaroi “Kosova është Turqi”. Në fakt, Kosova nuk është Turqi, por është Shqipëri. Ju takon shqiptarëve të mbrojnë interesat e saj. Në vend të mbrojtjes së interesave të kombit, një regjim që ra telefoni për të justifikuar mbrojtjen e Serbisë për mos vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, mos dënimin e sulmit të Banjskës, sponsorizuar nga institucionet e shtetit Serb, apo njohjen e veriut të Kosovës si një tokë e askujt, dje u mor me seminarin e organizuar tek Luca për “Shqipërinë 2030”. Regjimi i Ramës jo vetëm ka hequr dorë nga përkrahja e Kosovës, por pasi bëhet e ditur se Vuçiç do të flasë për “territorin e pushtuar të Kosovës”, zhvillon me urgjencë marrjen nën akuzë të liderit të opozitës Shqiptare, Dr. Berisha, pas 3 viteve hetime dhe një vit arrest shtëpie pa akuzë dhe pa fakte.

Njeriu që dirigjon drejtësinë, si dhe kur duhet të dënohen dhe dalin nga burgu kundërshtarët politikë (rasti Bejleri), i çon mesazh Vuçiç që Shqipëria është e ndarë dhe lideri, që ka ndaluar planet ekspansioniste të Serbisë, është nën arrest.

Kjo ngjarje është një argument më tepër se qarqet që kanë përkrahur Vuçiç-Rama dhe projektet e tyre kanë menduar më përpara për të goditur opozitën dhe liderat që me patriotizmin e tyre mund të pengojnë projektet shoviniste dhe rikthimin e një Jugosllavie të re.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco