Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Plani, Tirana shesh 'përshesh' kullash

SPAK, ‘drejtuesi politik’ i 13-të i Edi Ramës!

SPAK, ‘drejtuesi politik’ i 13-të i Edi Ramës!

Nga Bledian Koka - 11/09/2024

Një javë nga emërimi i 12 “apostujve” politikë në qarqe, “darka e fundit” Edi Ramës ashtu si piktura e famshme e Da Vincit ka edhe një risi që u shfaq vetëm sot! Gati një vit para zgjedhjeve, SPAK i Altin Dumanit kishte shancin e artë për ti dhënë fund të gjithë artikulimit të pandikuar politikisht se ai është kthyer në një institucion-mashë në duart dhe për interesat parapolitike të Edi Ramës. Sot organi i akuzës që ka marrë trajtën e hetuesisë famëkeqe të Enver Hoxhës, vulosi fundin e besueshmërisë së vet për 50% të popullsisë duke i komunikuar akuzën për korrupsion pasiv, liderit të opozitës Sali Berisha! Ky i fundit hyri në orën 12.10 në SPAK si qytetar nën hetim dhe doli që aty si lider i opozitës nën akuzë! Një akuzë qesharake, banale, e ulët, turpshme e neveritshme dhe diskretituese sidomos për atë që e ka artikuluar! Sipas SPAK, dhëndri ka korruptuar vjehrrin dikur KRYEMINISTËR për të përfituar sipas ligjeve socialiste e demokrate PRONËN E TIJ, 450 metra katrorë tokë!  Sali Berisha është syrgjynosur prej 9 muajsh në banesën e tij, megjithëse hetimi zgjat prej 4 vitesh, po aq sa zgjati edhe Lufta e 2-të Botërore! Edhe ky akt, një torturë çnjerëzore më vete për një burrë gati 80 vjeç, i cili u detyrua të izolohej në një ambjent i cili literatlisht ka 100 herë më pak hapësirë sa çka edhe një burg! Një dosje që lindi e vdekur, e ndërtuar pas një padie politike e ngritur në themel të saj nga një e pavërtetë e madhe të cilën as vetë organi i akuzës nuk e ka më në refene. Toka në pronësi të familjes Begeja nuk ka qenë e blerë nga pushtuesi fashist, sepse për ata që e njohin minimalisht hartën e Tiranës, fusha e aviacionit nuk ka asnjë lidhje me terrenin ku gjendej dikur Kompleksi Partizani! Familja Begeja dhe pasardhësit e saj nisën në vitin 1994 një sagë për rimarrjen e pronës së tyre legjitime e cila zgjati plot 21 vjet duke kaluar kalvarin ligjor të 4 qeverive, 2 socialiste e dy demokrate! Duke marrë firmat e shumë ministrave, shto këtu edhe firmën e Edi Ramës kryebashkiak, por pa asnjë firmë të Sali Berishës!

Intermexo!

Në 23 Nëntor të vitit të kaluar Zëri i Amerikës publikoi një investigim në të cilin zbardhet se kush është autori i ndryshimit të destinacionit nga hapësirë sportive në tokë për ndërtim të territorit që njihej si ish Kompleksi Partizani!

Zëri i Amerikës shkruan se: “Më 8 qershor të vitit 2006, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) i Bashkisë së Tiranës, kryetar i të cilit ishte drejtuesi i atëhershëm i Bashkisë Edi Rama, ndryshoi destinacionin e disa zonave të qytetit të Tiranës nga “zonë sportive” në “zonë banimi”, mes të cilave dhe një sipërfaqe prej 0.7 hektarësh, në rrugën “Frosina Plaku”, pjesë e Klubit sportiv Partizani”. Pra është Edi Rama ai që ka firmosur këtë vendim të cilin edhe sikur Sali Berisha të kishte dëshirën për ta refuzuar është po Zëri i Amerikës që duke cituar SPAK-un sqaron se: “Në argumentat e saj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cilëson në kundërshtim me ligjin “Për urbanistikën” ndryshimin e destinacioneve të terreneve sportive, akt i cili do të merrte disa muaj më pas, më 21 nëntor të po atij viti, edhe miratimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, KRRTRSH, që në atë kohë kryesohej nga zoti Berisha, në cilësinë e kryeministrit”. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e detyronte qeverinë që vetëm të “noterizonte” vendimet e KRRT-së së Tiranës në drejtimin e Edi Ramës pa pasur të drejtë ti anulonte! Po pse Edi Rama vendosi ta bënte ndryshimin e terrenit sportiv “Partizani” në shesh ndërtimi? A e bëri këtë që të përfitonte edhe dhëndrri i kundërshtarit të tij politik Sali Berisha? Sigurisht që jo! Ish klubi Partizani bashkë me asetet e veta në atë kohë zotërohej nga biznesmeni Paro Laçi, një njeri i afërt me Edi Ramën! Sipas zërave të kohës, Edi Rama ishte i bindur se ai do të fitonte në zgjedhjet e vitit 2009 dhe synimi ishte që me ardhjen në pushtet si kryeministër do të kishte mundësinë të akaparonte për vete atë që kishin nisur si plan në postin e krybashkiakut! Plani dështoi në 28 Qershor 2009!

“Korrupsioni” i pretenduar i Sali Berishës!

Pra nëse i referohesh dosjes së SPAK, aty rezulton se kanë firmosur nga Pandeli Majko e Blendi Klosi gjatë qeverisjes “Nano”, tek Edi Rama në në 2006-ën e duke përfunduar me firmat për leje ndërtimi të dhëna nga Lulzim Basha e Erion Veliaj deri në 2015-ën kur ka nisur ndërtimi! Dhe po sipas po të njëjtit organ akuze “edhe sikur të ketë ndodhur” nga vitin 1994 e deri në vitin 2015 kur ka nisur ndërtimi, Jamarbër Malltezi ka korruptuar “pasivisht” vetëm Sali Berishën vjerrin e tij! Por dhe sikur të ketë ndodhur vërtetë akti i korruptimit të Sali Berishës nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, a ka një njeri të thotë sa është shumë në para e këtij korrupsioni?

Absurdi e ka humbur kuptimin si nocion në këtë pikë!

A është SPAK “drejtuesi politik” i 13-të i Edi Ramës?

Dy javë më parë, diktatori i Venezuelës (i majtë edhe ky) Nikolas Maduro pasi i akaparoi zgjedhjet presidenciale urdhëroi arrestimin e liderit të opozitës Edmundo Gonzales i cili një ditë më parë ka kërkuar azil politik në Spanjë, nën akuzën për terrorizëm, konspiracion dhe krime të tjera! Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi ashpër pas përfundimit të zgjedhjeve në Venezuelë duke ngritur pretendimet për manipulim të zgjedhjeve të cilat sipas Uashingtonit janë fituar nga opozita! Sot një mendje e shëndoshë nuk mund të mos e kuptojë qartazi se në ndryshim nga homologu i tij venezuelian Nikolas Maduro, Edi Rama kërkon që jo pas por një vit para zgjedhjeve të asgjësojë me si të mundet liderin e opozitës Sali Berisha. Pas dështimit të skemës për akaparimin e Partisë Demokratike, pengimi i Sali Berishës për të ushtruar misionin e tij si lider i opozitës përmes “drejtuesit politik” të 13-ë, SPAK-un është qartazi mekanizwm parapolitik që ka nisur ne dhjetor të vitit të kaluar e që shënoi sot etapën tjetër! Atë të kumtimit të akuzës absurde se DHËNDRI KA KORRUPTUAR VJEHRRIN…, e kë pale, SALI BERISHËN!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco