Kundërshtitë e fatkeqit të dëshpëruar për lavdi

Kundërshtitë e fatkeqit të dëshpëruar për lavdi

Nga Pranvera Shehaj - 09/09/2024

Ndërsa lukunia, siç ti i thua piktor, u mor me shumëçka, mua nuk më intrigoi asgjë nga çka the dje, veçse fuqia e artit të fjalës. Fokusohem shpesh tek fjala jote se nuk më hiqet nga mendja vetëbesimi yt thuajse tronditës për subkoshiencën e pasigurt që karakterizon çdo human, kur dikur ke thënë se nuk njeh konkurrencë në gjuhën shqipe. Shqipja jote e pakonkurrencë, dje ishte e përçartur se e mjera ajo dot s’po dinte, i çonte fjalë socialistëve, shqiptarëve, të burgosurit politik, regjisorëve të përtej kufirit apo thjesht i shërbente si konkubinë dëshirës së liderit për ta përmbushur unin. Shqipja dje seç mpleksi qëllimin tënd e ti ia përlyeve pa shije bukurinë asaj. Një tradhti pa dashje, por së paku e dyanshme. Edhe pse shqipja dje shpalosi një kontradiktë hipnotike fund e krye, ku çdo paragraf pasardhës rridhte kundërshti absurdi me atë më sipër, në këto rreshta, në emër të kthjelltësisë dhe imunitetit të mendimit, do ta përvesh empatinë deri në limite, duke mirëkuptuar e besuar njësoj si ty, gjithçka çfarë the dje. Premtuar ky qëndrim i imi, sërish disa absurde dot nuk arrij t‘i zgjidh.

Së pari, u keqardhe dhe ankove për mungesën e një kundërshtari të denjë për të ofruar një alternativë pozitive politike dhe për të mbjellë besim në popull. Qofsha e saktë, alternativa është e kundërta e asaj që ofrohet, andaj rrjedhimisht i bie që ajo ekzistuesja qenka negative, e nevojitur për t‘u kundërshtuar pozitivisht. Kjo fshin me gomën e absurdit listën e gjatë të bilancit kinse brilant, por çuditërisht të pambështetur në asnjë shifër që pasoi fjalimi. Nga ana tjetër, ç’nevojë ka të mbillet besim në një vend që, sipas shikimit tënd nga aty lart, gëlon nga zhvillimi?

Së dyti, ishte i pastër përçimi i mesazhit se kundërshtari yt nuk provokon, nuk motivon, nuk të fton në sfidë, deri kur pastërtia e mesazhit u zëvendësua nga gjendja e konfuzit në mendjen e atyre që të dëgjonin sepse emri, karakteristikat dhe të metat e këtij kundërshtari zaptuan si të paftuar mbi 60% të fjalimit tënd. Thuhet se subkonshi është peng i tre gjendjeve: urrejtjes, dashurisë ose frikës. A i thërret dot subkonshit tënd e ia del të shqipërosh se cilën prej të tria gjendjeve provon për të padenjin kundërshtar?

Së treti, nuk ka vend për dyshim se ti a kushdo që këshillon ty e di se kontrasti është ndër ngjyrimet komunikative më efektive në diskursin politik. Që kontrasti si metodikë influence në fjalimet politike të prodhojë me saktësi efektin e duhur, ka vetëm një kusht: autorët në dy anët e monedhës (kontrastit) duhet të jenë të mirëidentifikuar. Sipas vorbullës tënde të mendimit, se kush ishte autori i anës së errët të monedhës, e kuptova, por u përhumba në gjetjen e autorit të anës së ndritur të monedhës. Kujtesa më çonte në Rilindje, e tashmja ndër fjalët e tua më buçiste në vesh PS. Vallë pse ky konfuzion autorësie në bërjen e bilancit? Turp në vend të krenarisë apo lutje për rikthim në origjinë?

Së katërti, rrjedhshmëria dhe përpjekja për të luajtur me shqipen nuk mundën të mbështjellin lakuriqësinë e pandjeshmërisë për përmendjen e një viti tmerri për shqiptarët, përmes të cilit kërkove një nga tre alternativat: lidhjen spekulative të ngjarjeve me një figurë politike, kërcënimin për rimobilizim të asaj gjendjeje tmerri, ose paranojën tënde dhe nevojën për të denoncuar diku një skenar iluzionar destabiliteti. Cilido qoftë qëllimi i përmendjes pa asnjë hije keqardhjeje të atij viti, tregon se subkonshi yt nuk është siç pretendon, imun ndaj kundërshtarit.

Së pesti, edhe pse ne gjysmën e parë të fjalimit u kujdese të ndërtosh një pikturë optimiste të unit tënd duke arsyetuar se si ti paskishe pritur e paskishe dashur një kundërshtar jo aq negativist, në gjysmën e dytë të fjalimit, shfreve me aq kontradiktë përshtypjet e tua për lëvizjet politike të kundërshtarit, duke përçmuar listën e drejtuesve politikë e duke shfrenuar gjestet, fjalët, opinionet. Shqipja e rrëshkitur në atë fjalim, të përplasi një tjetër kundërshti. Nëse lista e kundërshtarit është fund e krye pasqyrë e një modeli humbësi, se taksirat pas 11 viteve pushtet tëndin, edhe mbase s‘ka si të jetë ndryshe, a mos jotja ishte mbetje e të papërlyerve akoma nga akuzat klasike për korrupsion, porositje vrasjesh, përdhunime, trafik ndërkombëtar etj? Ti u vetëkrenove se nuk i kursen as ministrat e tu e kjo më bëri të mendoj se edhe ti, me gjithë mjeshtërinë që aq fort bërtet, ke zgjedhur ç‘ke lënë gjallë nga shpura e shërbyesve të tu. Listë humbësish përballë listës së të pambyturve?

Së gjashti, në bërtimën e sigurisë që sfidon edhe shprehjen se “vetëm vdekja është e sigurt”, nuk isha e aftë të ndaja nëse përmbushjen e besimit absolut se sërish do të fitosh, ta jep fakti se në këto 11 vite ke bërë, ndërtuar e punuar aq shumë për këtë vend sa e meriton të vazhdosh ta shkruash fatin e tij, apo sepse përballë ke kundërshtarin e sfilitur. Ti u ndale gjatë në këtë arsyen e dytë e fatkeqësisht kjo tregon sa pak intriguese duhet të jetë ndjesia e fitores së çalë sepse tregove se për ty fitorja shijon edhe kur ajo është kaq e vobektë ndërsa vjen si pasojë ekskluzive vetëm e kundërshtarit të dobët.

Së fundmi, do ta mbaj fjalën, e deri në fund do të rri në vorbullën e mendimeve të tua teksa bëj një deduksion modest. Lavdia është qëllimi i pashmangshëm i pushtetit. Nëse në fillimet e tij, lavdia nuk është qëllim, në përfundim ajo mbetet i vetmi destinacion i dëshiruar, e kjo vjen nga nevoja e liderëve për të lënë gjurmë në histori, për t‘u mbajtur mend, për t‘u rreshtuar si shtetbërës. Por që lavdia të lindë, ajo ka nevojë për një terren fertil të sfidave, përplasjeve, garës, betejave dhe luftërave për pushtet. Një lider i lavdishëm, qoftë edhe në një çast të historisë së tij të pushtetit duhet të kete patur përballë një kundërshtar të lavdishëm, i cili t‘i ketë shtrirë dorën për betejë të denjë. Thënë kjo, mua nuk më mbetet vetëm se të të keqardh e të më dhimbsesh, se si ti paske qëlluar në kohëra të padenja politike, ku sipas vorbullës tënde të mendimit, fitoren ta përcakton mungesa e kundërshtarit të denjë e të fortë, e jo merita për ç‘ka i ke dhënë këtij vendi. Më dhimbsesh se për shkak të rrethanave, do të mbesësh një Fatkeq i dëshpëruar për Lavdi.

Si përfundim, humbja është relative. Nëse përballë humbësve, as ti s‘ia dole e s‘do ia dalësh kurrë të glorifikohesh ashtu siç i ka hije liderëve të betejave të denja, humbës në qëllim do mbesësh dhe ti.

Shqipja e pakonkurrencë e jotja, shpalosi dje një fjalim të cilin deliri, ekstaza, siguria a rehatia e zhyti në kundërshti. Dje, ishe libër i hapur piktor, qoftë dhe për ata pak që lehtësisht dinë të të lexojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco