Ra ‘ky mort’ dhe u pamë!

Ra ‘ky mort’ dhe u pamë!

Nga Enver Bytyçi - 08/09/2024

Kur Edi Rama dhe Hashim Thaçi u investuan fuqishëm për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë e ndarjes së Kosovës, liderët e Kosovës e madje të tjerë në Shqipëri e në rajon kërkuan ndihmën e Sali Berishës për ta parandaluar diçka të tillë. Njëri pas tjetrit u ngjitën në katin e 14 të godinës së COIN pranë TVSH-së, ku kishte zyrën deputeti Sali Berisha, thuajse të gjithë politikanët e rëndësishëm të Kosovës, përfshirë Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin, përfaqësues të LDK-së, Ramush Haradinajn e të tjerë. Edhe vetë protagonisti i ndarjes së Kosovës, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të vendit, kërkoi të takohej e të bisedonte me Sali Berishën. Por Berisha nuk e pranoi në takim.

Asokohe Sali Berisha ishte thjesht një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ishte më as president, as kryeministër i vendit të tij.

Nga drejtimi i Partisë Demokratike kishte dhënë dorëheqje së paku 5 vite më parë. Megjithatë politika shqiptare, sidomos ajo në Kosovë, e shihte atë si institucion të veçantë e të besueshëm, tek i cili duhej gjetur mbështetje. Dhe Berisha nuk e kurseu mbështetjen e tij për ta kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në Ballkan. Sigurisht që ai kishte bërë llogari në këtë qëndrim. E dinte se së paku Gjermania dhe Britania e Madhe ishin kundër ndryshimit të kufijve. E dinte gjithashtu se në SHBA tek disa segmente të politikës dhe administrates së saj, nuk do të pritej mire qëndrimi i tij. Megjithatë u investua fuqishëm për të parandaluar një copëtim tjetër të trojeve shqiptare, si dhe shpërbërjen përfundimtare të shtetit të Kosovës.

Liderët e Kosovës kërkuan këshillën dhe mbështetjen e Berishës, sepse e dinin se vetëm ai mund të vepronte me zemër për Kosovën dhe kombin. Këtë e përforcoi edhe njëherë para pak ditësh një prej politikanëve më të njohur në Kosovë, Fatmir Limaj, kur tha se në momentin që Berishës, atëherë kryeministër, iu bë e njohur data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai u emocionua aq shumë sa vetëm thoshte “u krye, u krye” dhe derdhte lot gëzimi. Dashuria për Kosovën e zotit Berisha është e njohur. Dhe duhet thënë se pikërisht dashuria për atdheun e për Kosovën u bë shkak i ndëshkimit të tij. U shpall non-grata nga Anthony  Blinken, sekretar i Shtetit Amerikan. Sepse për çdo Fuqi të Madhe, përjashtuar Austro-Hungarisë në rastin e Shqipërisë, patriotët dhe atdhedashësit janë të padëshirueshëm. Sado aleat i ngushtë të jetë një fuqi e madhe, qoftë kjo dhe SHBA-të, nuk duan që aleati i tyre të drejtohet nga njerëz me integritet, dinjitet, patriotë dhe atdhedashës. Këta nuk binden në çdo gjë e për çdo gjë.

„Morti“ erdhi më 29 maj 2021 me shpalljen non-grata të Sali Berishës dhe u shfaq si një stuhi më 9 shtator të atij viti, kur Lulzim Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, partisë që Berisha e kishte themeluar. Kanë kaluar tri vite nga ajo kohë. Nesër është pikërisht dita e tre vjetorit të vendimit absurd dhe të paprecedentë në shërbim të Edi Ramës, Sorosit dhe McGonigalëve nga ana e Lulzim Bashës. Të një vendimi të marrë nga ai vetë, por nën ndikimin e aktorëve anti-Berishë. Pa pyetur as kryesinë, as Këshillin Kombëtar, asnjë forum të partisë e pa e vënë në dijeni më së pari vetë Sali Berishën. Dhe në ditët e para „të këtij morti“ pati entusiazëm të madh te kundërshtarët brenda e jashtë partisë së Sali Berishës. Por ai nuk u dorëzua. Nuk u mposht. Nuk u gjunjëzua! Qëndroi! Më 8 janar 2022 e sulman me gaz lotsjellës Bizhgat që sot u rikthyen për dhunë kundër opozitës. E goditën me grusht në mes të bulevardit. E sulmuan me helmin e gjarpërit me emër ish-Sigurimi i Shtetit, pa ndërprerje. E arrestuan pa akuzë, pa fakte e pa prova. Nuk ia dhanë deri para pak muajsh as vulën, as fondet, as siglën e partisë. Sali Berisha nuk u zmbraps. Miqtë e tij i thane me sinqeritet që të krijonte një parti tjetër. Ai nuk pranoi. Dhe fitoi. Tani lufton me idealizëm, edhe pse 80 vjeç, për ta çliruar Shqipërinë nga shteti-mafie e kriminal.

Por edhe pse ai ia arriti të mbijetojë, edhe pse atij vazhdojnë t’ia njohin meritat si atdhetar e patriot i padiskutueshëm, ata që i shkuan në zyrë në vitin 2018 për të kërkuar derman, pikërisht këta nuk kanë guxuar ta takojnë, të bisedojnë dhe ta mbështesin atë në kauzën e vet. “Morti” që u krijua me shpalljen non-grata na ndihëmoi që të shohim njëri-tjetrin dhe të dallojmë se kush ka e kush jo dinjitet e integritet për të thënë të vërtetën e për të qenë mirënjohës në jetën e tij poliitike. Nuk flas për ata politikanë shqiptarë në rajon që janë pozicionuar p.sh pro Open Balkan dhe inciativave të tjera serbe të çiftit Rama-Vuçiq. E kam fjalën për ata që mendojnë dhe besojnë njësoj si edhe Sali Berisha. Pikërisht këta, që në ditët më të vështira për Kosovën gjetën mbështetjen e pakursyer të Sali Berishëa, pikërisht këta janë ata që prej tri vitesh heshtin, nuk ndihen, nuk duken, nuk flasin, nuk përmenden më. Sikur të ketë rënë murtaja!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco