Lajmi i fundit

Të shtënat pranë Donald Trump/ Shërbimi sekret hapi zjarr ndaj personit që po afrohej i armatosur

HORA, HEROI DHE HORRI

HORA, HEROI DHE HORRI

Nga Luçiano Boçi - 04/09/2024

Në të gjitha mediat që lëpijnë Ramën e të cilat do t’i kishte zili dhe Trocki e Lenini për frenetizmin e propagandës, ka shpërthyer një lumë shkrimesh për të mbrojtur të pambrojtshmen: që pamja në shtatorjen e Skënderbeut në Hora të Sicilisë nuk është e Ramës, por e vetë Heroit.

Gjithçka e parashtruar si hartimet e para viteve ‘90 me breshëri figurative, me nivel mjeran shkollaresk.

Pavarësisht autorëve e statusit të tyre shkrimet me shumë sforco (qartësisht të porositura) rreken të na provojnë në stilin e kritikave artistike të partishme të Realizmit Socialist, se shtatorja është kaq e arrirë, kaq frymëzuese sa pothuaj…ç’të them.

Ngatërrojnë qëllimisht atë që përçon e përcjell emri i Skënderbeut vetë, (nga njohja që njerëzit kanë për historinë) me atë çka shtatorja nuk e thotë.

E jo vetëm nuk e thotë, por e përdhos duke i vendosur Skëndërbeut një MASKË.

Fytyrën e Edi Ramës.

Kjo është kaq e dallueshme sa autori (s’po dyshoj aftësinë artistike të tij) nuk harron as detajin e krehjes së mjekrës së cunguar, apo asimetrinë e dallueshme.

E di që “dashnorët e artit” në fakt të propagandës, do ulërasin gjoja për të drejtën që ka arti brenda trillimit të tij, për të transmetuar të vërtetën.

Mos të harrojmë sek ëtu nuk jemi në fushën e parimit hollivudian sipas së cilit: “çdo ngjashmëri me persona apo rrethana është e rastit”, që titrohet herë pas here me raste përkimesh.

Këtu jemi në fushën e qëllimsisë së artit. Atë të transmetimit të historisë nëpërmjet artit.

Në atë fushë, ku lexuesit apo përjetuesit e artit nuk do ia falnin as Kadaresë së famshëm, nëse ai do e portretizonte Skënderbeun si një figurë me gjysëm mjekre të krehur majtas e pa atë hundën si shgabonjë që analet e Venedikut e konsiderojnë si karakteristikën dalluese e familjes Kastrioti. (Së paku autori i shtatores apo përmendores, ta quajë si të dojë, këtë duhet ta dinte mirë).

Apo tiparet e tjera që aq mirë janë përcjellë e përshkruar e vizatuar në pikturat, apo shkrimet e kohës.

E të gjitha këto, ai bronz në mes të Horës nuk i ka.

Natyraliteti epik i pamjes së Skënderbeut, është zevendësuar me skërmitjen politike të Ramës në evente politike.

Fytyra e vrerosur e një horri politik, kurrsesi nuk mund të zevendësojë mitin e pamjes dhe epokës skënderbejane, pavarësisht se arti ka lirinë e tij dhe ndoshta kjo është pika ku justifikohen realizuesit dhe propaganduesit e Ramës.

Por këtyre panegjerikëve pa stil, po u kujtoj një ngjarje të para 11 viteve, kur në Kashar u gjet e hedhur një statujë e Skënderbeut 3 metra e lartë.

Nuk u mor vesh asnjëherë nga doli dhe kush e vendosi e as kush e realizoi.

Statuja ishtë një deformim sipas opinioneve njëzëri, i figurës së heroit tonë kombëtar dhe madje përfshinte elemente të papranueshën si jehonë dhe e tezave antishqiptare serbe.

Askush nuk e mbrojti atë përdhosje, përpos një hipoteze ironie që hodhi në postimet e tij një hierark i dikurshëm i së majtës, tek shkruante:

“SKENDERBEU i Qaf-Kasharit shaka, surrealizëm apo përdhosje?”, pa i dhënë asnjë vlerë asaj ngrehine.

Jam i bindur që dhe dashnorët e sotëm të artit soc-partiak, kanë ndarë të njëjtin opinion, pavarësisht se dikush (gjithmonë jo shqiptar) nën okelion e surrealizmit mund të justifikonte çdo përçudnim.

Ngjarja tregon qartë se kur bëhet fjalë për një figurë mitike si Skënderbeu, mjetet e lirisë artistike nuk janë kaq të lira dhe imponimi historik është i lartë.

Dhe shtatorja e Skënderbeut duhet t’i përmbahej këtij imponimi dhe jo të deformonte dukshëm pamjen e Heroit.

Pyetja e hierarkut të PS duket sikur ende sundon atmosferën me aktualitetin e saj.

Hora e arbëreshëve e ka të skalitur në shpirtin e vet pamjen epike të Skënderbeut dhe atë nuk e zhbën askush.

Për shqiptarinë Hora mbetet një vend i shenjtë, sepse është një copë arbërie e shkëputur dhe që është konservuar me krenari e dinjitet.

Heroin tonë e gjen në çdo shtëpi të Horës.

Ndërsa horrin politik lëreni këtu mes nesh, ne pellgun e politikës delirante e arrogante.

Horri politik nuk shndërrohet dot në Hero, as me asociacion të imponuar me fjalë e gjoja art që të bën të shqyhesh gazit, as me artin e shpikur të kohës së sotme soc-partiak që ka zëvendësuar bindshëm artin soc-realist të Hoxhës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco