Kryeministri i Shqipërisë, Kurumi

Kryeministri i Shqipërisë, Kurumi

Nga Alfred Lela - 29/08/2024

Deklaratat e ministrave të Ramës, jo rrallë, të lënë pa fjalë. Shtrihet aty përgjumja me gërhima e nënshtrimit, ndërthurur me një djallëzi të kamufluar si naivitet, që të kujton dallimin që Umberto Eco bën mes të trashit, budallait dhe idiotit. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për z. Peleshi, që duhej të ishte korçar qibar, znj. Kumbaro që duhet të ishte stërpikur sadopak nga librat që ka përkthyer, apo zj. Balluku që, edhe pse nuk i kërkohet sjellje shtetare (statemenship –tani duhet të themi statewomanship :-)) i duhet, më së paku, të respektojë rregullat e logjikës.

E cila thotë se, në një vend që ka një superstrukturë shtetërore te ngritur, nuk është anarki, apo në luftë civile, a të tjera raste të së jashtëzakonshmes, shteti duhet t’i dijë gjërat, t’i vërë në lëvizje, t’i ndalë së lëvizuri, e me radhë.

Kur dëgjon ministrat e Ramës që thonë se nuk e ka ministria e tyre, aksh përgjegjësi, siç është rasti i fundit për shembull, nuk e ka Porti, Transportet dhe as qeveria në mbikqyrje transportin e lëndëve toksike nga portet e Shqipërisë, thua me vete, po kush e ka? Kush i merr taksat dhe për çfarë qëllimi? A është siguria një prej këtyre qëllimeve? Nëse shteti nuk kontrollon kufijtë, lëvizjen etj., a është atëherë qeveria në krye të shtetit duke e kryer punën për të cilën është ngarkuar?

E ka firma “Kurum”, thonë ministreshat. Ou?!! Të dalë një qytetar, i Elbasanit apo Durrësit, dhe të thotë se kur ka zgjedhur në listën e votimit një subjekt politik me emrin “Kurum”. Është e trashë ta thuash këtë, e papranueshme. Kompanitë ushtrojnë aktivitet prodhues apo tregtar, dhe i nështrohen rregullave dhe ligjeve të shtetit. Ato kërkojnë prej shtetit legjislacion jo diskriminues, rregulla fair, barazi në garë, moslejim të monopoleve, kushte konkurence, e me radhë. Asnjë kompani nuk bën legjislacion, nuk votohet në zgjedhje, nuk merr apo shpërndan përgjegjësi politike apo qeverisëse.

Janë të gjitha këto cilësi të shtetit, dhe qeveria që ka radhën në zyrat e shtetit është përgjegjëse për mbarëvajtjen e të gjitha këtyre. Kur nuk di, nuk mundet, apo nuk do, kjo qeveri duhet të shpallë falimentin dhe të japë dorëheqjen. Përndryshe është shteti që falimenton dhe shteti si koncept është i permanencës, jo i temporencës, pra është aty për të qenë, jo kalimtar.

Doni një rast tjetër të shtetit që nuk di gjë? Është rruga Thumanë-Kashar. Qeveria Rama, pikërisht Balluku si ministre e linjës, kanë futur në konflikt popullin me një kompani private. Kësaj të fundit i kanë kërkuar ndërtimin e një rruge me para private dhe kompania ka dëmshpërblyer pronarët e tokës, ka ndërtuar rrugën etj. Pra ka përmbyllur pjesën e saj të kontratës. Mënyra se si do të kthehet investimi-që nuk është donacion- është një taksë përdorimi e rrugës (toll). Që pas ndërtimit të rrugës, pasi ka marrë benefitet politike, duke e hapur më shpejt se sa duhet për qëllime elektorale, qeveria ia ka lënë kostot kompanisë dhe popullit. E vetmja deklaratë që ka bërë qeveria, që pas hapjes së Rrugës dhe nisjes së protestave është policia në numra të shumtë që u kundërvihet protestuesve, në të drejtën e tyre të të paturit akses në rrugë ose një rrugë dytësore sipas standardeve. Qeveria e Ballukut e ka lënë mitin e shtetit të zgërlaqet, po sflilit njerëzit, dhe i bën këta të fundit që ta shohin një kompani private, që ka derdhur paratë e veta, jo të taksave publike si qeveria, si armik të popullit.

Një dëm i trefishtë, vetëm e vetëm se burrat e gratë në qeveri nuk kanë hallate për t’i dalë zot shtetit të cilit i duan vetëm benefitet e pushtetit.

Idiotësisë në dukje nuk rrinë dot pa i hedhur një dozë poshtërsie. Për të mbuluar rolin e tyre, e zhvendosin shigjetën te opozita. Për Kurumin (që ata nuk e kontrollokan dot medemek) nuk e ka fajin shteti që ata drejtojnë, se ai nuk di gjë, por deputeti demokrat z. Bardhi, i cili VINI RE!!! paska patur në shtabin e fushatës një drejtor të Kurumit. Kjo nuk është më shumë se një nënvariabël e mjerë e fabulës së vjetër “fajin e ka Saliu”. Pra, fajin për gazrat e helmet që i lejon qeveria të kalojnë porteve të sigurisë kombëtare si çokollatë fondente, nuk e ka zëvendësi i Ramës dhe Rama, por zëvendësi i Saliut dhe Saliu vetë!!! Të njëjtën sjellje përdorin edhe në rastin e rrugës Thumanë Kashar: ndërtuesi është demokrat, jo i joni.

Këto nuk janë rastësi, por filozofi. Nuk vijnë nga balluket e ministreshave, por nga balli i lartë mejtimtar i Edi Ramës. A nuk është ai që thotë, sa herë ka një skandal, nga ta dijë se ministrat i hanë kumbulla pas shpine, apo, ‘le të ikin të gjithë në burg, mos u gëzoni, Partia Socialiste ka 800 mijë vetë!’. Vini re: jo shteti, por Partia Socialiste dhe Ai.

Për socialistët nuk kam gjë për të thënë: fara e tyre ndoqi Enver Hoxhën për 40 vjet dhe na dhanë atë Shqipëri që dëshmuan më vitin ’91, kur ra perdja e turpit dhe u pa se ç’kishte në anën tjetër. Nga një skizoshtet do të na kalojnë në narkoshtet.

Për ata që nuk vetëklasifikohen si socialistë, ka shumë për të thënë. Fraza më e përshtatshme për të përcjellë dhe përmbledhur gjithë atë gjatësi teksti që do të lidhte fijet e kësaj shpërbërjeje është: mirë t’jua bëjnë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco