Të kthehesh në Shqipëri me sy të gjelbër

Të kthehesh në Shqipëri me sy të gjelbër

Nga Alfred Lela - 28/08/2024

Titulli është metaforik. Nuk se kam vënë lente (jeshile!!!) për të përmirësuar veten, duke mbetur edhe këtë verë, kokë-e-këmbë, jashtë modave të parisë së Tiranës, plot me implante folikulash dhe meremetime vulvash. Kam bërë ato që unë quaj pushime pa pushuar, duke u shtrirë, jo plazheve por hapësirave, duke takuar disa fshatra dhe qytete të Amerikës, nga Bar Harbor në Maine në Niagara Falls të New York-ut. Përgjatë këtyre dy javëve të paharrueshme, më ka mbetur në sy një e gjelbër tundimi i së cilës gjendet, ndoshta, vetëm në vargjet e Lorkës Verde que te quiero verde (e gjelbër, sa të dua, e gjelbër). Si për ta përmbyllur këtë ode të së gjelbrës, mbesa ime 4 vjeçare, Abigail, kalendarin e ditëve të javës e kishte zëvendësuar me ngjyra: e enjtja ishte e gjelbra. Një fëmijë në Boston mund ta shenjojë një ditë të javës me të gjelbër, a mundet një në Tiranë?

Nuk është kjo apak një përpjekje tjetër për t’i gjetur Ramës dhe pushtetit, një brinjë të ekspozuar ku mund të goditet. Është një monolog i bërë me zë të lartë. Është thirrja e brendshme kundër katrahurës dhe murrëtimit, që na parqiten si dritë dhe përparim. Ndoshta nuk do të mund të ndryshojmë asgjë, por të paktën të mos i lëmë të na ndryshojnë projeksionet kundrejt dritës dhe errësirës.

Kur zbret në Rinas, e gjelbra që të ka veshur sytë në Amerikë, goditet nga e murrta dhe grija. Rruga nga aeroporti në Tiranë i ngjan një skene filmi post-apokaliptik, kurora e ndonjë tufe pemësh apo shkurresh është vetëm shëmbëlltyra e botës para se të shndërrohej në shkretëtirë. Hekur, beton e xham, një ndërthurje vrastare e arkitekturës brutale me shkujdesjen arkitektonike të shqiptarit, ndërto ku dhe si të mundesh, xhixhat i kemi dhënë, inshallah nuk e prishin, me kismet e rregullojmë me shtetin. Ky i fundit shtrihet te këmbët tona. Në anë të rrugës janë ato kurrizet e breshkave, që vetëm fantazia e Edi Ramës mund t’i pjellë. Të panevojshme po e po, por edhe të rrezikshme. Shenja se si, huqet estetike bëhen standard shtetëror. Palmat e ngrata, krahëthata si simotrat e tyre në Bagdad pas sulmit amerikan të korrikut ‘90, simbolizojnë humbjen. Gjithë çka humbèt kur kryeministri del nga zona e vet dhe e sheh atdheun si kopësht eksperimental, kur shfaqet sa tre Kim Yong Unër bashkë në çdo ceremoni, nga satelitët te ndërzimet.

Tirana vetë është një Gotham City ballkanik. Ngaqë përpjekjet estetizuese nuk kanë qenë strategjike por sporadike, të del para syve jo laryshia, por laramania e një pune të pambaruar të Jackson Pollock-ut. Rrugëve u duhet të durojnë pluhurin e një qyteti afrikan që e bën të duket më shumë i tillë vapa. Hedhurina ke në çdo cep. Korsitë e biçikletave, me ndarëset plastike të shkalafitura dhe pastelin e ringjyrosur nga pluhuri, i ngjajnë një koride ku janë ndeshur qen të tërbuar. Pemët nuk mungojnë në disa pjesë të qytetit, por ato zvogëlohen nga pluhuri, trotuaret e ngushtuara (është një i tillë në Rrugën Pashko Vasa, sa të duhet të ecësh brinjazi), zdrala e pallateve të vjetra dhe prepotenca e të rejave.

Sa për parqet, ato jetojnë vetëm si publicity stunt i pyllit orbital. Në vendin tonë, kryesisht malor, as Puka që dikur mbulohej nga pyjet nuk i ka më. Aspak paradoksalisht, biznesmenët pukjanë që i bënë paratë duke prere dhë shitur pyjet e Pukës në Tiranë, tani ndërtojnë rrugë dhe kulla, nga kryeqyteti e deri në tunelin e Llogarasë.

Nuk e di ç’vend do linte Dantja për ta në ferrin e tij, unë do imagjinoja një gropë të murrme rrethuar me trungje të tharë, në degët e të cilëve varen stalaktite betoni. Një pamje e përjetshme e vdekjes.

Dua të pyes: Pse Tirana nuk është një qytet për njerëzit, siç është psh Bostoni, apo pse Dhërmiu, nuk është më një fshat turistik, siç është për shembull Bar Harbor-i në kufi me Kanadanë?

Më kujtohet Kadarjesa, dritë paste!, kur thoshte se shqiptari e urren gjelbërimin. Imagjinarja na thotë se, ndoshta, duke patur kaq shumë kontakt me turqit, të cilët nga ana e tyre kishin afinitet me arabët, popuj që vinin nga shkretëtirat, në sytë e tyre, të ushtarëve të një perandorie që vinte nga viset e zhveshura, mbiu anti-gjelbërimi.

Mund të jetë antropologjikisht kështu, por politikat dalin mbi kulturat me vullnetin e duhur. Sidoqë të jetë, përmbi këtë murrëtirë, armiqtë e gjelbërimit, na flasin përditë pikërisht mbi gjelbërimin. Me një krekosje të pashoqe, me vetëbesim mefistofelian. Natyra i përgënjeshtron sa herë shkrimet tona dështojnë. Era që fryu dje, tek shpaloste qese, lecka e mbeturina, këta flamuj të babëzisë e keq-qeverisjes, nën kupën e qiellit të Shqipërisë, u tregoi të gjithëve, edhe patronazhistëve të marrëzisë, se mjafton një turr ere dhe shiu për ta nxjerrë lakuriq atdheun e propagandës.

Le të shndrijnë puplat dhe të krekosin gjokset, por grumbulli mbi të cilin janë nuk është piedestal, por pleh.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco