Seriozisht po i hakërrehemi Tanias?

Seriozisht po i hakërrehemi Tanias?

Nga Sonila Meço - 27/08/2024

Të ndërtosh strategjinë komunikuese mbrojtëse a sulmuese ndaj BE-së, duke përdorur deklaratat e Tanja Fajon, Zv Kryeministre e Ministre e Jashtme e Sllovenisë nga një Konferencë Ambasadorësh është pritshmëri zbavitëse fund gushti për kë mendon se po i bie a mbështet mjaftueshëm pushtetin, për të rënë në sy a për ta “tronditur”.

Emri i kryediplomates sllovene është shumë i njohur për Shqipërinë, si eurodeputete dhe raportuese për vendin tonë, sidomos gjatë periudhës përgatitore për liberalizimin e vizave. Social-Demokrate, ish gazetare, prej kohësh me ambicie të forta politike në vendin e saj.

Sot është sulmuar si jo realiste, pasi ka deklaruar se Shqipëria mund të aspirojë për anëtarësinë në BE në 2030-ën. Por çfarë të habit në marren shumë seriozisht të një date nga Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, nga një seminar i radhës i burokracive të zyrave me aromë printerësh, në pikë të zhegut e pushimeve në Tiranë, është sulmi ndaj saj si nga ata, që pretendojnë se Shqipëria nuk hyn dot kurrë në BE me këtë qeveri, si nga ata që fyhen për shtyrjen edhe me 6 vite të anëtarësimit, pasi Shqipëria ka bërë manaren me çdo kërkesë ndërkombëtare.

Më absurd është fakti se nga i njëjti vend, nga i njëjti person, në të njëjtën deklaratë pohohet hapja e portës së anëtarësimit, por edhe mbyllja e derës së Shëngenit për Shqipërinë.

Po si ka mundësi ky sulm me kahe të kundërta? Si ka mundësi Fajon la të fyer këdo me atë datë? Si ata, që u ngjan afër, si ata që u ngjan larg? Dhe mbi të gjitha, nga Fajon, pikërisht nga Fajon, prej konferencës “Dilpo 2024” pritej realisht lajmi i madh i një date anëtarësimi, kur negociatat kanë ngecur fort e nuk po shtyjnë dot as qepenin e kapitujve të parë?

Pas ngjarjes së rëndë të marrë përsipër nga ISIS në festivalin e Solingen në Gjermani, ku humbën jetën tre persona nga një sulm terrorist me thikë e u lënduan shumë të tjerë, Kryeministri Gjerman ka folur ashpër për ligje e masa drastike në raport me politikat e azilit, emigrantëve dhe forcimit të kufijve. E kjo ndodhte bash në prag të zgjedhjeve në dy rajone, ku partia e ekstremit të djathtë AfD udhëheq dukshëm në sondazhe.

Bashkimi Evropian po teston veten në një nga zinxhirët më të gjatë të krizave politike, ekonomike e emigracionit, por edhe në atë që ka qenë arsyeja e ekzistencës prej zanafille: shmangia e luftërave mes vendeve evropiane. Dhe aroma e barutit mes vendeve anëtare vërtetë nuk u ndje më kurrë, por luftërat përreth po shtohen e konceptet që mbanin ekuilibrat deri dje, po sfidohen fort sidomos nga emigracioni masiv dhe ndryshimi i pozicioneve ekonomike brenda bashkimit.

Me gjithë këto kusure, zgjedhim Fajonin, që bën një pohim si për të gëzuar mikpritësin e një konference pa asnjë produkt real, si çdo event sallash me “të jashtëm” dhe o burra: turp Europës, që na shtyn anëtarësimin, turp Europës, që na afron anëtarësimin!

Sepse Shqipëria u vetofrua për të plotësuar çdo tekë eminencash gri e jo gri ndërkombëtare, me pushtet ekonomik a politik, çdo kërkesë absurde e sui generis për eksperimente politike e juridike nga isha pushtetesh shndërruar në agjentë financiarë e marketingu për pasunarë botërorë, çdo “dhunim” kushtetues me bekim grupesh të dyshimta interesi, çdo neps elektoral kandidatësh për kryeministra, që shfryn “gazrat” në territorin shqiptar, çdo projekt fantazmagorik mbi shkëmbime territoresh, çdo grishje lobesh për ishull, gadishull, pasuri natyrore, çdo CV burokratësh Brukseli, pensionesh zyrtarësh të lartë, çdo sekserizëm ndërkombëtar për përqindje fitimesh nga operacione të papranueshme nga çdo shtet tjetër aspirant për BE…pra pasi Shqipëria u vetofrua duke dëshmuar Çiflig e jo Shtet, duke përmbushur statusin e një “dumping site” (një vend ku gjërat e padëshiruara, të rrezikshme, të dëmshme hidhen edhe ilegalisht), prekemi seriozisht për datën “jo realiste” të Tania Fajon?!

Dhe patjetër kemi edhe kartat nën mëngë: po të tërë vendet e BE-së bëjnë pastrim parash, kanë mafiet e tyre, tregtojnë drogëra, tek ne e gjetën të vënë kute sterile?

A janë treguar të mefshtë? Të ngadaltë? Cinikë? Të ligj?

Pa shih me kë ka ngecur Shqipëria! Me ato vende, që për hir të mos pranimit publik të izolimit si shtete ende “jo shtet”, Evropa i pagëzoi me termin absurd “Ballkani Perëndimor”. Si ka mundësi u degdis Shqipëria aty, thjesht se s’na desh Evropa plakë, na pengoi armiku i jashtëm, apo na “mallkoi” fataliteti ynë antropologjik….???

Deri këtu jo! E dua Shqipërinë më shumë se propagandën, se një “geto” ku shihen vetëm të mirat, se një “dorëzim” fatal me idenë rraskapitëse “kaq o kaq meritojmë!”. Se Shqipëria është nëna e babai, gjyshërit, kujtimet, fëmijëria e sakrifica e secilit, investimi e përkushtimi, rrugët e ngjarjeve të vogla e të mëdha…

Ndaj kam aq kurajë sa të dalloj se rasti i Shqipërisë ka shpjegim jo aq konspirativ. Mbetë pas:

Sepse pranuam çdo gjë pa rezistencë, se nuk ndërtuam dot shtet, se vendosëm të zhbëjmë kombin e territorin, duke e zëvendësuar me filipinas, indonezianë, afrikanë dhe koncesione mafias në zona strategjike, sepse prodhuam azilantë me statistika vendi lufte, sepse mbushëm Evropën me më të mirët tanë e ç’po i duhet më Bashkimit se ç’mbeti, sepse ia vodhëm e keqpërdorëm fondet BE-së, se s’lamë politikanë, zyrtarë e agjentë ndërkombëtarë pa korruptuar, se nuk ditëm ta shndërrojmë faktorin shqiptar në fuqi, po i hymë me hunj çdo kryeministri Kosove e ua bëmë çorap punët e brendshme duke shastisur Europën me rolin e liderit rajonal, që zvogëlon numrat shqiptarë e rrit importet serbe…

E pra, ne nuk kemi bërë ç’na ka thënë Evropa, por i kemi shërbyer agjendave personale, shpesh të rrezikshme të lobeve e grupeve të interesit, që në fakt edhe me aq qejf nuk e kanë BE-në si lojtar mes lindjes e perëndimit.

BE-ja mund të jetë një dështim, por ne nuk bëmë shtet për vete. Aq, për nafakën tonë, me ç’na gjendej. Dhe për të keqen e së mirës, që nuk e duam, kemi shumë më shumë prej Zotit se Sllovenia e Fajonit.

Ndaj 2030-a nuk është as afër e as larg, është për kokërr të qejfit të një politikaneje të huaj, që ka dëgjuar se në Shqipëri mund të thuash e bësh ç’të duash, se në mos ndonjë karte elektorale në vendin e vet, pensionin e ka të garantuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco